Berisha takon ambasadorin rumun Miku
Kryeministri Berisha vlerëson marrëdhëniet e mira mes Shqipërisë dhe Rumanisë gjatë një takimi me ambasadorin e këtij vendi, George Miku, me rastin e përfundimit të misionit të tij. Sipas njoftimit për shtyp të Këshillit të Ministrave ambasadori Miku shprehu vlerësimin për nivelin shumë të mirë të marrëdhënieve dypalëshe, si dhe shprehu kënaqësinë e tij për arritjet e rëndësishme të Shqipërisë, të cilat do të kurorëzohen me anëtarësimin e vendit në NATO. "Kryeministri Berisha theksoi se marrëdhëniet mes dy vendeve kanë tradita të rrënjosura thellë në histori dhe se ato kanë ende shumë hapësira të reja për t'u çuar në nivele edhe më të larta", thuhet në njoftimin për shtyp. Kryeministri Berisha vlerësoi lart mbështetjen që Rumania i ka dhënë dhe i jep Shqipërisë në proceset e saj integruese, si dhe në fusha të ndryshme të zhvillimit ekonomi, kulturë, arsim etj.