E Shtunë, 31 Tetor 2026

‘Dosjet’, Kushtetuesja letër Venecias

 

Aristir Lumezi

Gjykata Kushtetuese përmes një letre zyrtare i kërkon Komisionit të Venecias një “amicus curiae” për ligjin e “Dosjeve”. Javën e shkuar, kanë qenë anëtarët e Gjykatës Kushtetuese të cilët, si dhe në tre raste të tjera, kërkojnë mendimin e ekspertëve të huaj që monitorojnë zbatimin e legjislacionit shqiptar. Në letrën në emër të anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, kryetari i saj, Vladimir Kristo, shprehet se “kërkojmë mendimin tuaj përsa i përket ligjit “Për pastërtinë e figurave të larta zyrtare”. Ky konsultim zyrtar është një praktikë e ndjekur dhe më parë nga ana e Gjykatës Kushtetuese, e cila, në momente kyçe të ballafaqimit të legjislacionit shqiptar me Kushtetutën e vendit, i kërkon konsulencë institucionit që ka asistuar nga afër hartimin e Kushtetutës së Shqipërisë. Pritet që përgjigjja që do të vijë nga ky komision, do të “çlirojë” edhe vetë gjykatën nga presioni politik i kohëve të fundit. Në mënyrë të vazhdueshme, përfaqësues të lartë të maxhorancës, përfshirë këtu Kryeministrin dhe Kryetaren e Parlamentit, i kanë kërkuar anëtarëve të kësaj gjykate të japin dorëheqjen para se të merrnin në shqyrtim ankesën e bërë për këtë ligj nga ana e deputetëve të Kuvendit, për shkak se prekeshin nga zbatimi i tij. Nisur dhe nga rastet e mëparshme, kur Gjykata Kushtetuese ka kërkuar konsulencën e Komisionit të Venecias, vendimmarrja e saj ka qenë në të njëjtën linjë gjykimi. Nga reagimet e faktorit ndërkombëtar, përfshirë ambasadat e SHBA, Britanisë së Madhe, OSBE-së, BE-së dhe së fundmi dhe reporterëve të Këshillit të Evropës, që ishin në Shqipëri pak ditë më parë, ligji i Lustracionit, kërkon një rishikim të thellë të tij. Kjo do të thotë se edhe Komisioni i Venecias nuk do të dalë jashtë këtyre qëndrimeve, të cilat e vlerësojnë atë në konflikt të hapur me disa nene të Kushtetutës së Shqipërisë.
Pezullimi
Pak ditë më parë, Gjykata Kushtetuese pezulloi zbatimin e ligjit “Për pastërtinë e figurave të zyrtarëve të lartë”. Pas mbledhjes së nëntë anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, me 7 vota pro pezullimit dhe 2 kundër, u vendos pranimi i kërkesës së 35 deputetëve të Kuvendit për të pezulluar zbatimin e ligjit deri në marrjen e vendimit përfundimtar. Vetëm Xhezair Zaganjori dhe Admir Thanza ishin kundër pezullimit të zbatimit të ligjit, ndërsa 7 anëtarët e tjerë të kësaj gjykate kanë qenë pro pezullimit. Në po atë mbledhje, gjyqtarët vendosën që t’i drejtohen Komisionit të Venecias duke i kërkuar një opinion “amicus curiae” për ligjin, si institucion i pavarur dhe i specializuar. Ky vendim i Gjykatës Kushtetuese erdhi për shkak se “zbatimi i ligjit të Lustracionit, mund të sjellë pasoja në funksionimin normal të shtetit të së drejtës si dhe në cenimin e të drejtave dhe lirive themelore të individit, vendosi të urdhërojë pezullimin e zbatimit të ligjit derisa vendimi përfundimtar i Gjykatës Kushtetuese të hyjë në fuqi”, thuhet në vendimin e Gjykatës Kushtetuese të pak ditëve më parë. BE i kërkoi qeverisë shqiptare, pak ditë më parë, të mbrojë, sigurisht edhe në procesin e Lustracionit, pavarësinë e institucioneve kushtetuese, veçanërisht Gjykatën Kushtetuese, Gjykatat dhe Prokurorinë. BE rekomandoi që ligji duhet të pajtohet me kërkesat kushtetuese dhe standardet ndërkombëtare. Në këtë kontekst, BE konsideroi se Gjykata Kushtetuese duhet të jetë e aftë të vendosë mbi kushtetutshmërinë e ligjit, përpara se ai të zbatohet.

Ligji i Legalizimeve

Ligji i Legalizimeve, i rrëzuar në Gjykatën Kushtetuese, ka marrë edhe ekspertizën e Komisionit të Venecias. Si në ligjin e vitit 2004, ashtu dhe në atë të përmirësuar në 2006, Kushtetuesja në shqyrtimin e kërkesës së mbërritur nga Kuvendi dhe shoqatat e pronarëve, i kërkoi Komisionit të Venecias mendimin e tij për këtë ligj. Në të dy rastet, vendimi përfundimtar i Gjykatës Kushtetuese ishte në përputhje me sugjerimet e dhëna dhe nga Komisioni i Venecias.

Dekretimi i Presidentit

Në shtator 2004, kryetari i atëhershëm i Gjykatës Kushtetuese, Gjergj Sauli, iu drejtua Komisionit të Venecias për një “amicus curiae” opinion në lidhje me bllokimin e dekretimit nga ana e Presidentit të një anëtari të Gjykatës Kushtetuese, pasi kishte marrë pëlqimin e Kuvendit. Komisioni i Venecias, iu përgjigj Gjykatës, brenda një muaji nga nisja e kërkesës, kohë e cila pritet të respektohet edhe në kërkesën e fundit të Gjykatës Kushtetuese në lidhje me “Dosjet”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›