E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS dhe LSI ndahen për të përkujtuar tragjedinë e Gërdecit

 

Tragjedia e Gërdecit në një vjetorin e saj ka vënë përballë dy forcat e së majtës, PS dhe LSI. Partia Socialiste, përmes zëdhënëses së saj, Mimi Kodheli, hodhi idenë e një manifestimi qytetar për të mos harruar këtë tragjedi, por pa pjesëmarrjen e LSI-së në të, ashtu si një vit më parë. “Në 15 Mars, bashkimi i ri qytetar do të manifestojë në Gërdec dhe në Tiranë me moton: Mos Harro! Nuk kemi pse e ftojmë LSI, pasi nuk është pjesë e opozitës ndaj Berishës, po paterica e tij”, tha Kodheli. Kjo deklaratë e zëdhënëses së Kryesisë Socialiste, ka ndezur tensionet mes dy partive. Nënkryetarja e LSI-së, Erisa Xhixho, e cilësoi këtë deklaratë provokim të ulët të kryetarit socialist Edi Rama. “LSI së bashku me koalicionin e saj të madh dhe real opozitar do të organizojë në datën 15 mars në Tiranë dhe në gjithë Shqipërinë protesta masive kundër Qeverisë Berisha”, tha Xhixho, duke shtuar se LSI dënon publikisht deklaratat e bëra sot nga tellallja e Edi Ramës. LSI i konsideron ato një provokim të ulët të Edi Ramës ndaj LSI. “LSI, që përfaqëson opozitën e vërtetë të drejtuar nga Ilir Meta, nuk ja cakton dot vendin, koalicioni i korruptuar i Bashkisë dhe lejeve të ndërtimit që drejton Edi Rama. Koalicioni i Bashkisë dhe lejeve të ndërtimit kërkon të përjashtojë LSI, por të gjithë e kanë të ngulitur në kujtesën e tyre se ishte Edi Rama ai që i rrahu shpatullat Sali Berishës, ditën e tragjedisë së Gërdecit. Ishte Edi Rama që për ditë të tëra nuk guxonte të përmendte Sali Berishën si fajtorin dhe përgjegjësin kryesor për tragjedinë e Gërdecit”, tha Xhixho.
Lëvizja Socialiste për Integrim, përmes nënkryetares së saj, i kujtoi dje opinionit por dhe socialistëve se ishte “Ilir Meta dhe LSI të vetmet, që një ditë pas tragjedisë së Gërdecit kërkuan dorëheqjen e menjëhershme të Berishës dhe vënien e tij përpara drejtësisë”. “Ka qenë LSI dhe Ilir Meta të vetmet që kërkuan ngritjen e Komisionit Hetimor parlamentar për tragjedinë e Gërdecit, që u pengua nga koalicioni i Bashkisë dhe lejeve të ndërtimit të Edi Ramës. Ka qenë LSI dhe Ilir Meta që kërkuan në shesh me mijëra dhe me zë të lartë përpara Kryeministrisë largimin e Berishës, vetëm tre ditë pas tragjedisë së Gërdecit”, tha Xhixho. Nga ana e saj, zëdhënësja e kryesisë së PS-së, Kodheli, tha se manifestimi më 15 mars “është një thirrje që i drejtohet gjithë shqiptareve dhe shqiptarëve, pa dallim bindjesh politike, të cilët më 15 mars duhet të bashkohen, për të treguar se qytetarët nuk harrojnë”. a.l

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›