Berisha takon biznesmenë holandezë e kosovarë për investime në energji
Kryeministri Berisha priti dje një grup biznesmenësh holandezë dhe kosovarë, të cilët paraqitën projekt-idetë e tyre për sektorin e energjisë, porteve dhe turizmit. Ky grup përbëhej nga përfaqësues të grupit “QMI”, partner i Doimo Group International dhe Ridderhaven, të mirënjohura në botë në fushat e lartpërmendura dhe të tjera. Përfaqësuesit e kompanive, Hafiz Tafaj dhe Hans van der Lange, i shprehën kryeministrit se interesi i tyre në këta dy sektorë nuk është i rastësishëm, pasi është i lidhur me historikun e aktivitetit të tyre. Aktiviteti i tyre në ndërtim është një histori shumë e mirë për përfshirjen në projektet e energjisë dhe hidrocentraleve. Qëllimi i investimit të tyre është kombinimi i projekteve në Kosovë dhe Shqipëri për të forcuar më tepër urat e lidhjes midis dy vendeve. Kryeministri i falënderoi për interesin e tyre në ekonominë e dy vendeve dhe i siguroi që këto dy fusha janë me rëndësi të madhe strategjike për qeverinë e tij dhe ekonominë e Shqipërisë. Kryeministri Berisha u bëri një prezantim të situatës aktuale të ekonomisë shqiptare dhe të projekteve konkrete të së ardhmes në këto fusha dhe në fusha të tjera të lidhura me to. Kryeministri Berisha i siguroi ata se do të kishin mbështetjen e plotë të qeverisë shqiptare për zhvillimin e projekteve që ata do të paraqesin në fushat e sipërpërmendura. Kryeministri theksoi se zhvillimi i Shqipërisë dhe Kosovës do të ecin paralelisht dhe projekti i portit të Shëngjinit do të shoqërohet me projekte të tjera madhore bashkëpunimi.
5 Shtator 2009