Europarlamentari Shultz uron Metën për bashkëqeverisjen
Kryetari i Grupit Parlamentar socialist në Parlamentin Europian, Martin Shultz, i ka dërguar një letër urimi kreut të LSI-së, Ilir Meta, me rastin e nënshkrimit të marrëveshjes PD-LSI për krijimin e qeverisë së re. Në këtë letër, europarlamentari Shultz ka vlerësuar vendimin e LSI-së për të qenë pjesë e qeverisjes dhe për të kontribuar në realizimin e reformave integruese të vendit. Shultz ka shprehur bindjen se LSI-ja do të ketë një pjesëmarrje të suksesshme në qeverisje, ndërkohë që i ka shprehur Metës mbështetjen maksimale për një bashkëpunim sa më të mirë me Europën. “Para së gjithash dua t’ju falënderoj përzemërsisht për pjesëmarrjen e suksesshme në qeverinë shqiptare. Unë uroj nga zemra që ju të mund të përmbushni aspiratat politike të bashkëqytetarëve dhe bashkëqytetareve tuaj. Për ne të gjithë në Europë, do të jetë një shenjë e mirë që Shqipëria të perfeksionojë bindshëm rrugën e saj drejt një të ardhmeje paqësore dhe që njerëzit të mund të shikojnë një Shqipëri me një të ardhme të qartë e të sigurt. Me shumë kënaqësi unë ju mbështes me të gjitha forcat e mia dhe me gëzim shpreh besimin për bashkëpunimin tuaj të mirë me Europën dhe për Europën”, - shkruan në letrën e tij kryetari i Grupit Parlamentar socialist në Parlamentin Europian. Shultz ishte ndër të parët politikanë ndërkombëtarë që përshëndeti vendimin e kreut të LSI-së Ilir Meta për të bashkëqeverisur me Partinë Demokratike.
5 Shtator 2009