E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha takon drejtues politikë nga Presheva dhe Mali i Zi



Kryeministri Berisha priti ditën e djeshme në zyrën e tij kryetarin e Unionit Demokratik të Malit të Zi dhe delegacionin që e shoqëronte. Berisha i njohu shqiptarët nga Mali i Zi me ecurinë e operacionit për eliminimin e pasojave të tragjedisë, me punën e madhe dhe të rëndësishme të forcave të ushtrisë për pastrimin e zonës, me reagimin me efikasitet të sistemit tonë shëndetësor në trajtimin e të plagosurve. Kryeministri Berisha u shpreh se bashkëpunimi mes forcave politike shqiptare kudo ku ata ndodhen është në interes të mbarë kombit. Njëkohësisht, Berisha mirëpriti dje në takim një përfaqësi të forcave politike të Luginës së Preshevës. Politikanët shqiptarë të Luginës së Preshevës i shprehën kryeministrit Berisha ngushëllimet dhe dhimbjen e tyre për tragjedinë e Gërdecit si dhe shprehën mbështetjen e tyre për përpjekjet e qeverisë shqiptare për të normalizuar situatën dhe vlerësimin pozitiv për shpejtësinë e ndërmarrjes së masave për pastrimin e zonës, kurimin e të lënduarve dhe rindërtimin e objekteve të shkatërruara nga shpërthimi. Kryeministri Berisha dhe përfaqësuesit e forcave politike të Luginës së Preshevës biseduan gjerësisht edhe për zhvillimet politike në Serbi në prag të zgjedhjeve parlamentare. Përfaqësuesit e forcave politike të Luginës së Preshevës u shprehën për nevojën e respektimit të të drejtave themelore për shqiptarët në Serbi dhe Kryeministri Berisha i siguroi ata se do të kenë përkrahjen e qeverisë shqiptare për kërkesat e tyre të ligjshme.

1 Prill 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›