E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ndalohet në Hollandë i tmerrshmi Dritan Rexhepaj



TIRANË - Një shtetas shqiptar, i shpallur në kërkim ndërkombëtar për vrasje, i cili ka mundur të arratiset nga dhomat e shoqërimit të Komisariatit të Policisë së Durrësit në janar të vitit 2006, u arrestua dje në Amsterdam, Holandë. Burime nga policia e shtetit bënë të ditur për gazetën se nga autoritetet e policisë holandeze u bë e mundur të ndalohet e të arrestohet shtetasi shqiptar Dritan Rexhepaj, 28 vjeç, lindur dhe banues në Vlorë. Ai ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata e Shkallës së Parë për Krime të Rënda, në Tiranë, me Vendimin Nr. 23, datë 01 shkurt 2006, ka vendosur masën e sigurimit “arrest me burg”, në mungesë, për veprat penale “vrasje në rrethana të tjera cilësuese”, e kryer në bashkëpunim dhe “armëmbajtje pa leje”. Dritan Rexhepaj, në bashkëpunim me persona të tjerë, kanë vrarë me armë zjarri dy punonjës të policisë të Komisariatit të Krujës më datë 27 gusht 1999. I kërkuari për vrasje ka mundur të arratiset nga dhomat e shoqërimit të Komisariatit të Policisë së Durrësit në datën 26 janar 2006. Ai dyshohet edhe për kryerjen e disa krimeve të tjera të rënda në Shqipëri. Gjithashtu, Rexhepaj akuzohet edhe nga autoritetet e drejtësisë italiane për kryerjen e veprës penale të trafikut të lëndëve narkotike dhe vrasjes së mbetur në tentativë.
Për kapjen e këtij ka patur një bashkëpunim të vazhdueshëm ndërmjet Interpol Tiranës, Interpol Romës, Interpol Brukselit dhe Interpol Amsterdamit.

Gjendet buzë rrugës trupi i pajetë i një fëmije të porsalindur

VLORË - Kalimtarë të rastit gjejnë trupin e pajetë të një fëmije të porsalindur të braktisur anash rrugës automobilistike. Burime të policisë së qytetit të Vlorës thanë dje se trupi i pajetë i fëmijës së porsalindur u gjet në vendin e quajtur “Hidrovori”, rreth orës 20.45. Sipas të njëjtit burim mësohet se foshnja është lënë menjëherë pas lindjes në anë të rrugës, pasi trupi i pajetë u gjet bashkë me kordonin e lindjes. Policia e dërgoi trupin e pajetë në morgun e spitalit të qytetit dhe po punon për identifikimin e autorëve të braktisjes, të cilët mund të jenë edhe përgjegjësit kryesorë për vdekjen e fëmijës.

1 Prill 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›