E Shtunë, 31 Tetor 2026

E rrallë, gjykatësit shqiptarë nuk lexojnë dot konventat ndërkombëtare



Avokati i Popullit ka prezantuar ditën e djeshme raportin vjetor të punës së tij në Komisionin e Ligjeve në Kuvend. Raporti ka nxjerrë në pah shumë probleme por problemi më pikant ishte ai i konventave ndërkombëtare. Parlamenti Shqiptar ka ratifikuar me qindra konventa ndërkombëtare çka nënkupton që pushteti gjyqësor duhet të zbatojë ligjet në përputhje me këto konventa. Por asnjë gjyqtar shqiptar nuk ka një kopje të vetme në gjuhën shqipe të paktën të 75 konventave ndërkombëtare me arsyen e thjeshtë se nuk janë botuar në Fletoren Zyrtare. Këtë fakt e ka konfirmuar edhe Avokati i Popullit. “Vazhdon të jetë problem mospërkthimi dhe mosbotimi në Fletoren Zyrtare i Konventave dhe akteve ndërkombëtare të ratifikuara. Rreth 75 prej tyre janë të papërkthyera e të pabotuara për shkak se Ministria e Drejtësisë nuk po arrin të kryejë këtë detyrë funksionale, megjithë rekomandimet e herëpashershme të Avokatit të Popullit. Kjo situatë sjell dëme të mëdha, sepse këto tekste akoma nuk janë në përdorim të të gjitha institucioneve zyrtare të interesuara dhe në veçanti të gjykatave shqiptare, duke dëmtuar shtetin ashtu edhe qytetarët. Pra, si mund të zbatohen këto tekste në qoftë se ato fizikisht nuk ndodhen në dispozicion të organeve që duhet t’i zbatojnë ato? Edhe Rekomandimi 13 i REC-it në vitin 2002 i Komitetit të Ministrave të vendeve anëtare të Këshillit të Europës, miratuar më 18 dhjetor 2002, u kërkon shteteve anëtare që të “garantojnë që teksti i Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut është përkthyer dhe u është shpërndarë autoriteteve kombëtare veçanërisht gjykatave dhe se për zhvillimet në jurisprudencën e Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut ka akses të mjaftueshëm në gjuhën e vendit”, - thuhet në raportin e Avokatit të Popullit. Në lidhje me këtë situatë, Avokati i Popullit ka dhënë edhe rekomandimin e tij. “Në përfundim të kësaj paraqitjeje theksojmë se është e qartë për të gjithë që përgjegjëse për gjendjen e të drejtave të njeriut dhe lirive themelore të njeriut në çdo vend janë Parlamenti dhe qeveritë që dalin prej tij. Në këtë kuadër, secili duhet të bëjë punën e tij”, - përfundon raporti.

1 Prill 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›