E Shtunë, 31 Tetor 2026

Policia, aksion për ndalimin e shitjes së drogave



KORÇË - Policia e Korçës ka nisur së fundi një kontroll ndaj lokaleve dhe po mban në mbikëqyrje ambientet publike për të ndaluar shitjen e narkotikëve. Burime të policisë lokale thanë për gazetën se “ky aksion ndërmerret pasi vihet re një tendencë në rritje e konsumit të drogave nga të rinjtë në qytetin e Korçës”. Të njëjtat burime thanë se përmes këtyre aksioneve synohet zbulimi i rrjetit të shpërndarësve të drogave në këtë rajon të vendit dhe i personave që fshihen prapa tyre. Një ditë më parë, shërbimet e policisë arrestuan një 24-vjeçar nga Korça, i cili u kap duke shitur një dozë lëndë narkotike që mendohet të jetë e llojit heroinë. 24-vjeçari M. Tabaku, banues në Lagjen Nr. 8, sapo kishte dalë nga shtëpia e tij kur u kap duke i shitur një shtetasi 1 dozë lëndë narkotike përkundrejt shumës 500 lekë. Gjatë kontrollit në banesën e tij u sekuestruan në cilësinë e provës materiale një qese natribani e tejdukshme, brenda së cilës kishte një sasi bime të ngjashme me atë të llojit Canabis sativa (hashash) me peshë 1.2 gr.

Aksidenti, vdes 42-vjeçari, plagoset rëndë drejtuesi i mjetit

DEVOLL - Një 42-vjeçar humbi jetën, ndërsa drejtuesi i automjetit mbeti i plagosur rëndë si pasojë e një aksidenti automobilistik të ndodhur paraditen e djeshme në një rrugë dytësore që lidh qytetin e Bilishtit me një fshat të rrethit të Devollit. Burime zyrtare të policisë rajonale të Korçës bënë të ditur për gazetën se Gëzim Xhambazi, 42 vjeç, nga qyteti i Korçës, humbi jetën, ndërsa u plagos rëndë Sheqadet Lulo, 50 vjeç, nga fshati Baban i Devollit si pasojë e aksidentit automobilistik të ndodhur në rrugën rurale Bilisht – Baban. Sipas policisë, autovetura tip “Golf”, me targë DV 2072A, e drejtuar nga 50-vjeçari Sheqadet Lulo, ka humbur kontrollin si pasojë e shpejtësisë së madhe dhe është përmbysur. Nga hetimet e policisë rezulton se drejtuesi i mjetit ka qenë në gjendje të dehur kur po transportonte si taksist 42-vjeçarin Xhambazi, të cilit i ka shkaktuar vdekjen.

Parandalohet vetëvrasja e 34-vjeçarit

ELBASAN - Një 34-vjeçar nga rrethi i Elbasanit ka tentuar të vetëvritet me armë zjarri në të gdhirë të ditës së djeshme, por është parandaluar nga familjarët e tij. Burime të policisë lokale thanë për gazetën “Albania” se F. Xhelili, 34 vjeç, banues në fshatin Thanë të Elbasanit, u dërgua në spitalin rajonal pas tentativës për vetëvrasje për shkak të gjendjes së rëndë depresive. Mësohet se një grup hetimor po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe motiveve të këtij rasti.

1 Prill 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›