E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha takon sekretaren e Shtetit të Francës për Tregtinë, inkurajohen investimet franceze



Kryeministri Berisha priti dje në takim sekretaren e Shtetit të Francës për Tregtinë e Jashtme, Anne-Marie Idrac. Berisha u shpreh gjatë konferencës së përbashkët për shtyp se zonja Idrac vjen në Shqipëri për të inkurajuar dhe fuqizuar si marrëdhëniet politike midis dy vendeve, ashtu dhe marrëdhëniet në fushën ekonomike dhe tregtare. “Ne diskutuam mbi mundësitë e mëdha që paraqet Shqipëria për investitorët francezë. Konstatojmë me kënaqësi se një seri sipërmarrjesh franceze operojnë në Shqipëri, ndër të cilat ‘Sagem’, në një nga fushat më të rëndësishme, atë të prodhimit të dokumenteve të identitetit më modernet në Europë për shqiptarët, Societe Generale është gjithashtu, një garanci tjetër e madhe për investitorët francezë, por edhe një investitor i mirë në Shqipëri. Këto ditë Shqipëria do të ratifikojë në Parlament marrëveshjen me Eurocopter, do të modernizojë flotën e saj të helikopterëve me prodhimet e kësaj kompanie. Unë e njoha ministren me të gjitha përpjekjet tona me dyfishimin dhe mbi dyfishimin e lidhjeve infrastrukturore e të gjithanshme me rajonin, Marrëveshjen e Tregtisë së Lirë në rajon dhe zbatimin e saj nga qeveria shqiptare, si një kusht për zgjerimin e hapësirës së tregut në rajonin tonë, për përpjekjet tona për një klimë miqësore dhe bashkëpunimi me të gjitha vendet e rajonit. Unë kam bindjen se kjo vizitë do të jetë një inkurajim i vërtetë për investitorët”, - është shprehur Berisha. Edhe sekretarja franceze dha garanci për shtimin e investimeve franceze në Shqipëri. “Përsa i përket fushës së investimeve ne kemi synim që të shtojmë, forcojmë dhe të nxisim investimet franceze në Shqipëri dhe vendosjen e ndërmarrjeve franceze këtu. Besoj se ka edhe fusha të tjera, ku ndërmarrjet franceze mund të jenë prezent në Shqipëri, duke filluar që nga uji dhe energjia, për shembull kompania ‘Rhone’, e cila është e interesuar në investimet për centralet hidroelektrike”, - është shprehur përfaqësuesja franceze.

24 Shkurt 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›