E Diel, 1 Nëntor 2026

Delegacioni i KiE-së largohet pa zgjidhje: “Partitë t’i japin fund krizës”



Eljona Ballhysa
Delegacioni i Asamblesë së Këshillit të Europës, pas një dite të ngjeshur me negociata intensive në Tiranë, është larguar dje nga Shqipëria duke e lënë politikën shqiptare në krizë dhe pa asnjë zgjidhje. Megjithëse një ditë më parë, Delegacioni i kryesuar nga Presidenti i Asamblesë Parlamentare të KiE-së, Mevlut Cavusoglu, zhvilloi një varg negociatash me krerët më të lartë të shtetit, nuk arriti t’i japë zgjidhje krizës politike që ka pllakosur vendin prej 6 muajsh. Gjatë ditës së djeshme Delegacioni dha një deklaratë për mediat, në të cilën u bëhet thirrje palëve që t’i japin fund krizës dhe të ngrenë menjëherë komisionin hetimor parlamentar me kryesimin e opozitës. Por, në këtë deklaratë nuk preket çështja kryesore që mban pezull zgjidhjen e problemit, ajo e hapjes apo jo e kutive të votimit. I pyetur disa herë për këtë kërkesë kryesore të opozitës, Presidenti i Asamblesë së KiE-së, Mevlut Cavusoglu, tha se kjo çështje duhet të zgjidhet nga Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë ose politikanët shqiptarë t’i dërgojë kërkesë Komisionit të Venecias.
Deklarata
Zgjidhja e propozuar nga Delegacioni i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës përmblidhet në 3 pika. Së pari ata kërkojnë krijimin e menjëhershëm të një komisioni hetimor parlamentar për zgjedhjet e qershorit 2009, drejtuar nga një anëtar i opozitës dhe në të cilin opozita do të ketë një shumicë efektive. Ky komision hetimor, sipas KiE-së, duhet të përgatisë amendamente për Kodin Zgjedhor në frymën e rekomandimeve të misionit të vëzhguesve ndërkombëtarë dhe të Rezolutës së Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës. Në deklaratën e saj, Delegacioni theksoi se opozita duhet të marrë garanci për një ndarje të drejtë të kryesimit të komisioneve parlamentare. Ajo që ra në sy është se në asnjë vend në deklaratë nuk përmenden kutitë. “Ne nuk e përmendëm hapjen e kutive apo rinumërimin e kutive, sepse po presim disa përparime në këtë drejtim. Ndaj, në deklaratën tonë nuk bëmë asnjë propozim në lidhje me Komisionin e Venecias apo hapave të tjerë. Por, nëse kjo mosmarrëveshje vazhdon apo ka interpretime të ndryshme të kësaj, sigurisht që ne do të japim opinionin tonë për këtë në të ardhmen”, - u shpreh Presidenti i Asamblesë, Mevlut Cavusoglu. Ai tha se deputetët janë votuar për të marrë pjesë në punimet e Kuvendit dhe se KiE pret që opozita të futet në Kuvend jo për një ditë, por për të qenë pjesë kryesore e punimeve të këtij institucioni. Ai hodhi idenë që përsa i përket hapjes së kutive, politikanët duhet ta zgjidhin këtë çështje në Gjykatën Kushtetuese, ose t’i drejtohen Komisionit të Venecias. “Njerëzit votojnë që partitë të jenë në Parlament, pikë së pari dhe partitë apo anëtarët e Parlamentit e kanë vendin në Parlament apo në komisionet parlamentare, dhe kjo është arsyeja e mbajtjes së zgjedhjeve. Në rast se ka mosmarrëveshje, ajo duhet të trajtohet brenda kuadrit kushtetues. Vendi ka një Gjykatë Kushtetuese, ka një Kushtetutë dhe ka edhe mekanizma të tjerë këshillimorë, si për shembull Komisioni i Venecias. Opozita duhet të kthehet në Parlament jo për një kohë të shkurtër apo për një ditë, por ne e nxisim atë që të qëndrojë dhe të marrë pjesë në punimet e Parlamentit”, - është shprehur presidenti Mevlut Cavusoglu, i cili e anashkaloi pyetjen nëse e cilësonte vizitën e tij në Tiranë të dështuar.
Negociatat
Fill pas mbajtjes së deklaratës, Delegacioni i Asamblesë së KiE-së u largua nga Tirana me premtimin se situata në Shqipëri do të monitorohet nga Asambleja pasi është serioze deri në funksionimin e plotë të institucioneve. Burimet kanë bërë të ditur se tryeza e negociatave ka vazhduar edhe gjatë ditës së djeshme në nivel ekspertësh. Mësohet se këshilltari juridik i presidentit, Spiro Peçi, ka vendosur kontakte të vazhdueshme me kryetarin e Grupit të PD-së, Astrit Patozi dhe me kryetarin e Asamblesë Kombëtare të PS-së, Gramoz Ruçin. Mësohet se edhe kryeministri Berisha ka zhvilluar një takim me Presidentin e Republikës. Gjatë bisedimeve të bëra së fundi ka munguar një draft pune nga Presidenca. Por gjithsesi, mësohet se kryeministri ka bërë lëshime përsa i përket objektit të hetimeve të komisionit parlamentar hetimor. Ai ka pranuar hetimin e gjithçkaje duke vendosur veton në çështjen e kutive. Ai ka pranuar shqyrtimin e materialeve zgjedhore, por jo rinumërimin e votave, çka është dhe kërkesa kryesore e opozitës.

Rekomandimet
Krijimi i menjëhershëm i një komisioni hetimor parlamentar për zgjedhjet e qershorit 2009, drejtuar nga një anëtar i opozitës dhe në të cilin opozita do të ketë një shumice efektive.

Ky komision hetimor, sipas KiE-së, duhet të përgatisë amendamente për Kodin Zgjedhor në frymën e rekomandimeve të misionit të vëzhguesve ndërkombëtarë dhe të Rezolutës së Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës.

Opozita duhet të marrë garanci për një ndarje të drejtë të kryesimit të komisioneve parlamentare.

24 Shkurt 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›