E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha te Horsens në Danimarkë



E ardhmja e Besart Berishës mund të jetë Danimarka, pikërisht Horsens. Lajmi është dhënë nga faqja tipsbladet.dk, që nga e saj citon menaxherin e sulmuesit të Bërnlit dhe Kombëtares së Shqipërisë, Akem Adevunmi, i cili është shprehur me superlativa sidomos për shpejtësinë e Besartit. “Po, Besarti dëshiron të luajë me Horsens”, - deklaroi menaxheri. Ish-sulmuesi i Hamburgut (Berisha shënoi edhe një gol në Ligën e Kampioneve me klubin e famshëm gjerman) luajti pjesën e dytë të vitit 2008 i huazuar me Rozenborgun në Norvegji dhe është ende nën kontratë me Bërnlin deri në verën e vitit 2010.

Hyka rigjen magjinë
Jahmir Hyka ka shansin të tregojë magjinë e tij kundër gjigantëve gjermanë të Bajernit të Munihut. Skuadra e tij, Mainc 05, që kryeson edhe Bundesligën 2, do të përballet në një miqësore më 22 janar kundër rekordmenëve gjermanë, të cilët së fundi janë në kërkim të shërbimeve të Lorik Canës. Të martën, Mainc 05 fitoi 2-1 testin me Kickers Ofenbah (Bundeliga 3 gjermane). Fantazisti i Kombëtares shqiptare luajti gjatë gjithë takimit (ishte pjesë e të dy formacioneve të hedhura në fushë nga Mainc). Trajneri Jorg Anderson, në një deklarim për faqen gjermane rhein-zeitung.de, është shprehur se Hyka është shumë mirë teknikisht, por i duhet të gjejë ritmin e duhur dhe të mos u qëndrojë larg kundërshtarëve. Gjithsesi, sipas gazetës gjermane “Rhein Zeitung”, “der Dribbler” (dribluesit) i ishin ngarkuar më shumë detyra taktike në krahun e majtë të mesfushës ofensive, por Hyka kishte të njëjtin frymëzim në lojë si atëherë kur mahniti të dërguarit e Maincit në 45 minutat e ndeshjes miqësore ndërkombëtare Poloni-Shqipëri, më 27 maj 2007, në Reutlingen të Gjermanisë.

Bici drejt Legias
Ditmar Bici do të testohet ditët e ardhshme në Poloni te Legia e Varshavës. Mbrojtësi i Kombëtares U-21 u transferua gjatë merkatos verore te skuadra bullgare Belasica Petrich. Ish-futbollisti i Dinamos është në pritje të marrjes së vizës polake, por, sipas Bicajt, një alternativë tjetër është edhe Turqia, te klubi i njohur tashmë për shqiptarët, Haccetepe. Aktualisht, djali i trajnerit të njohur Vasil Bici është duke u stërvitur individualisht. Para disa vitesh (2004) te Legia e Varshavës u testuan edhe mbrojtësi Henri Ndreka e mesfushori sulmues Gjergji Muzaka, në atë kohë që të dy të Partizanit.

Oferta europiane për Migen Memellin

Sulmuesi i Tiranës, Migen Memelli, golashënuesi më i mirë aktual i kampionatit shqiptar për pjesën e parë të sezonit 2008-2009 (18 gola, 10 në kampionat, 8 në kupë), është në fokusin e disa ekipeve të huaja. Pistat për goleadorin bardheblu janë të shumta dhe ofertat vijnë nga kampionate të ndryshme europiane. Korçari, i cili menaxhohet nga agjenti i FIFA-s, Sokol Haxhia, aktualisht është pronë e Gaisit në Suedi dhe te Tirana është i huazuar në bazë të një marrëveshjeje 1.5 vjeçare. Memelli më parë ka luajtur edhe në Norvegji me Bran Bergenin.

8 Janar 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›