Putin: “Do t’i ndërpresim plotësisht furnizimet me gaz”
Kryeministri rus, Vladimir Putin, bëri të ditur se “Gazprom” do të ndërpresë plotësisht furnizimet me gazin metan që kalon transit në Ukrainë. Sipas Putinit, është e kotë të furnizosh me gaz përmes tubacioneve të Kievit, pasi ky i fundit vjedh metanin që kalon transit për në vendet europiane. Rusia i ka dhënë duart edhe Serbisë, duke i ndërprerë gazin. Ky vendim nuk është pritur aspak mirë në Beograd, aq më tepër kur rezervat e gazit janë vetëm për pak ditë dhe temperaturat pritet të ulen nën zero. Kriza e mungesës së gazit që pas ndërprerjes së furnizimeve nga Rusia po rritet ndjeshëm edhe në Maqedoni. Kompanitë kanë informuar edhe qeverinë për këtë situatë të rëndë. Pasojat e reduktimit të furnizimit me gaz në shtetin fqinj i kanë ndjerë edhe konsumatorët. Drejtues të konsumatorit më të madh të quajtur “Ngrohtorja”, i cili shfrytëzon gazin metan, thanë se situata e furnizimit me gaz është tejet serioze dhe që prej dy ditësh kanë filluar të përdorin mazutin.
BE: Të hetohen incidentet në Mitrovicë
Presidenca çeke e Bashkimit Europian u ka kërkuar autoriteteve në Kosovë të nisin urgjentisht hetimet në lidhje me incidentet e ndodhura në Mitrovicë. Nëpërmjet një komunikate të shpërndarë për median, presidenca çeke dënoi “fuqishëm dhunën aktuale në veri të Mitrovicës” dhe vlerësoi punën e KFOR-it, EULEX-it si dhe të Policisë kosovare për rikthimin e sigurisë. “Presidenca çeke çmon intervenimin e shpejtë të EULEX-it dhe KFOR-it dhe bashkëpunimin e tyre efikas me Policinë e Kosovës për ripërtëritjen e sundimit të ligjit dhe të sigurisë”, - thuhet në komunikatën e shpërndarë për median. Më pas Presidenca u bëri thirrje të gjitha komuniteteve që të përmbahen nga deklaratat ose veprimet që mund të provokojnë trazira të mëtejme.
Athinë, policia proteston në mbështetje të kolegëve
Qindra oficerë policie dhe familjarë të tyre janë mbledhur dje jashtë spitalit të Athinës, ku po kurohen disa nga kolegët e tyre të plagosur rëndë nga sulmet e fundit të anarshistëve. Policët u sulmuan me armë nga njerëz të armatosur, të cilët prej kohësh tensionojnë Greqinë në shenjë hakmarrjeje për vrasjen e një djaloshi 15-vjeçar më 6 dhjetor. Një prej policëve është në gjendje të rëndë për jetën. Sulmi ndaj policëve ndodhi në një lagje të Athinës, pikërisht në zonën Eksarcia, ku u vra 15-vjeçari Aleksandros Grigoropulos, vrasja e të cilit ndezi në flakë Greqinë për dy-tri javë rresht. Oficerët e policisë po ruanin Ministrinë e Kulturës kur dy persona të armatosur hapën zjarr ndaj tyre. Oficerët e policisë dolën në protestë në shenjë solidariteti ndaj kolegëve të tyre, të cilët prej javësh janë bërë objekt i vazhdueshëm sulmi nga anarshistët. Ata janë të acaruar edhe me qeverinë dhe politikanët, të cilët nuk kanë vendosur se cili do të jetë roli i policisë në rast të revoltave të tilla, nëse duhet të jenë më të armatosur dhe si të përgjigjen në situata të tilla.
8 Janar 2009