“Moxarti i shek. XIX", 2009-a shpallet viti i Bartoldit
Bartoldi (Feliks Mendelssohn Bartholdy) konsiderohej si Moxarti i shekullit të 19-të. Ai lindi në Hamburg më 3 shkurt 1809. I frymëzuar prej influencës së letërsisë, pikturës, muzikës dhe filozofisë, Bartoldi më me insistim se çdo intelektual tjetër i kohës, u vu në kërkim të gjetjes së rrugëdaljes nga dilema e artit të romantizmit. Duke drejtuar rivënien në skenë "Pasioni i Johanesit" të J. S. Bachut në Berlin në vitin 1829, Bartoldi themeloi edhe renesansën e shekullit të 19-të. Si drejtues i orkestrës së Lajpcigut ai e shndërroi qytetin në një qendër të rëndësishme të kulturës europiane. Aktivitetin e tij Bartoldi e zgjeroi edhe në shumë qytete kryesore të Europës, si në Londër e Paris dhe në një sërë qytetesh të mëdha në Gjermani: në Berlin, Lajpcig, Frankfurt. Në vitin 1843 në Lajpcig ai ishte bashkëthemeluesi i konservatorit të parë të muzikës në Gjermani. Në të njëjtin vit ai u vlerësua edhe si qytetar nderi i Lajpcigut. Në vitin 1844 Bartoldi drejtoi gjashtë koncerte simfonike në Londër dhe ekzekutoi premierën e veprës së tij "Ëndrra e një nate vere". Krijimtaria muzikore e Feliks Mendelson Bartoldit i përfshin të gjitha zhanret e muzikës fetare dhe asaj instrumentale e popullore të kohës. Ai ka kompozuar simfoni, pjesë për piano, këngë, muzikë korale, kantata. Feliks Mendelson Bartoldi ndërroi jetë në Lajpcig më 4 nëntor 1847.
“Dejziland” në Teatrin Kombëtar të Kosovës
Në Teatrin Kombëtar të Kosovës kanë filluar provat për shfaqjen e “Dejziland”, të autorit amerikan Kristofer Durang. Regjinë e kësaj komedie është duke e bërë Agon Myftari, regjisor i ri kosovar. Ekipi i shfaqjes përfshin aktorët Ilire Vinca, Yllka Gashi, Ernest Malazogu, Adriana Matoshi dhe Ylber Bardhi. “Dejzilend” është një komedi e dramaturgut amerikan Kristofer Durang, e cila merret me jetën e një djali të ri në kërkim të identitetit, me përpjekjet e tij të mëdha për të mbijetuar dhe, mbi të gjitha, për t’i zgjidhur misteret dhe problemet e jetës, probleme këto të cilat vijnë si rrjedhojë e ndikimit të mbrapshtë dhe e papërgjegjësisë së prindërve të tij. Premiera e kësaj komedie do të jepet më 24 shkurt në orën 20:00, në sallën e Teatrit Kombëtar të Kosovës, ndërkohë që bileta do të kushtojë pesë euro.
8 Janar 2009