Planet e Saimir Pirgut për 2009-n
Së shpejti, Saimir Pirgu do të këndojë “La Traviata”-n në Operan e Vjenës, “Lucia di Lammermoor” (Sir Edgardo di Ravenswood) në Operan Shtetërore të Hamburgut, si dhe në Metropolitanin e Nju Jorkut. Këto janë planet që tenori shqiptar i ka bërë të njohura për median pas suksesit të tij më të fundit para pak ditësh në operan e Zyrihut në Zvicër. Paraqitja e Pirgut në rolin e Dukës së Mantovës është komentuar gjithandej si një sukses i jashtëzakonshëm për artistin shqiptar, që është vetëm 27 vjeç, por që shfaq një talent dhe pjekuri të rrallë. Sa i përket debutimit të tij më të fundit, Pirgu ka interpretuar në një prej tri roleve protagoniste në operën “Rigoleto” të Verdit, e cila u vu në skenën e Operas të Zyrihut, skena më e madhe e muzikës lirike në Zvicër dhe një ndër më të mirat në Europë. Tenori shqiptar ka interpretuar përkrah baritonit të famshëm Renato Bruson. Pirgu e nisi karrierën ndërkombëtare tepër i ri dhe aktualisht renditet në kastën e tenorëve më të mirë e, pa dyshim, më të suksesshëm të brezit të tij. Ai është fitues i disa çmimeve të rëndësishme në fushën e muzikës lirike, si dhe protagonist i operave të ndryshme të kompozitorëve me famë botërore, të cilat janë ngjitur në skenat më prestigjioze të Italisë, Anglisë, Francës, Austrisë etj. Ai bashkëpunon me dirigjentët më të njohur sot për sot, siç janë Klaudio Abado, Lorin Mazel, Daniele Gati, Seiji Ozava, Franz Uelser Most, Gustav Kun, Xhejms Kolon, Antonio Papano etj.
P. GROSI
8 Janar 2009