E Diel, 1 Nëntor 2026

“Berisha të japë dorëheqjen”

Autori i Lajmit: Suela Topi
Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama i kërkon Kryeministrit Sali Berisha që të japë dorëheqjen. Sipas tij Berisha nuk duhet të presë zgjedhjet e ardhshme por të japë sa më parë dorëheqjen. Rama tha se sulmet e Kreut të Ekzekutivit nuk janë gjë tjetër veçse manovra për të mbrojtur veten. Kryesocialisti theksoi gjithashtu dje se Kryeministri ka abuzuar me pushtetin dhe ka ndikuar për të pasuruar disa njerëz në dëm të konkurencës së lirë. Ai e cilësoi skandaloze nismën e Qeverisë për të ngritur komision hetimor ndaj Prokurorisë si dhe hetimin ndërkombëtar për Damir Fazliç. Rama i kërkoi prokurorisë të hapë hetim për skandalin me shitjen e tokave në Porto Romano dhe e cilësoi si “skenar të mirfilltë korruptiv” shitjen e tokave biznesmenit serbo- boshnjak, Damir Fazliç.
Deklarata
Rama pohoi dje se veprimtaria e Kryeministrit të Shqipërisë përbën një shqetësim alarmant, jo vetëm për opozitën, po për shumicën e cilësuar të popullit shqiptar, për njerëzit e drejtësisë, për mediat e pavarura, për qeverinë e Shteteve të Bashkuara dhe për përfaqësuesit e qeverive të Bashkimit Europian. “Shpallja e nismave skandaloze që synojnë frikësimin e prokurorisë, këmbëngulja në qëndrimet harbute ndaj prokurorëve dhe përshkallëzimi i hakërrimave të vjetra gojore të Kryeministrit, jo vetëm ndaj Prokurorisë së Republikës, po edhe ndaj opozitës, kanë rishfaqur lakuriqësisht sëmundjen e pashërueshme të Sali Berishës”, - tha Rama. Por sipas tij, këtë herë, nuk është thjesht paaftësia e tij mendore për të pranuar pavarësinë e institucioneve kushtetuese që e ka kthyer Sali Berishën në llogoren e agresivitetit e vulgaritetit të tij tradicional por dhe frika e pakontrollueshme e njeriut që ka shpërdoruar pushtetin me pasoja marramendëse për vendin e për qytetarët e vendit. Rama pohoi se komisioni hetimor Parlamentar me shënjestër Prokurorinë e Republikës, propozimi për një hetim ndërkombëtar, mobilizimi i ushtarëve politikë të qeverisë e të grupit parlamentar për të justifikuar skandalet e pajustifikueshme që vazhdojnë të nxjerrin në dritë fytyrën e vërtetë të qeverisjes së tij, janë manovrat e një kryeministri që tanimë ka vetëm një qëllim: Të mbrojë veten dhe klanin e tij nga drejtësia. “Sali Berisha ka abuzuar me pushtetin, ka ndikuar drejtëpërdrejtë me mjetet e pushtetit për të favorizuar pasurimin e një rrethi njerëzish në kurriz të ligjit, në dëm të rëndë të konkurencës së lirë e të ligjshme, në kundërshtim flagrant me të gjitha arsyet pse shqiptarët e zgjodhën për kryeministër tre vjet më parë”, - tha ai. Ai theksoi se Berisha për arsyet e interesat e tij krejt personale, e ka kthyer Qeverinë e Parlamentin në një problem serioz, jo vetëm për popullin shqiptar, po edhe për miqtë e partnerët tanë ndërkombëtarë. “Shërbimi më i mirë që Sali Berisha mund t i bënte jo vetëm vendit, po edhe Partisë Demokratike, në këtë gjendje të rëndë ku është rifutur Shqipëria për shkak të politikës së vjetër dhe turpeve të reja të Kryeministrit të saj, do të ishte padyshim të dorëhiqej përpara sesa shqiptarët e shqiptaret ta largojnë me votën plebishitare të vitit të ardhshëm. Në emër të tyre, të shqiptarëve dhe shqiptareve, unë i a rikërkoj sot dorëheqjen kryeministrit”, - theksoi ai. Rama shtoi se është edhe më absurd propozimi i Berishës për shtetësimin e tokave në Porto Romano me çmimin e tregut ndërkohë që ai i bleu ato për një copë bukë. “Ky skenar i mirëfilltë korruptiv është jo vetëm i papranueshëm, po edhe tallës për inteligjencën e qytetarëve shqiptarë dhe ne, jo vetëm e refuzojmë pseudopropozimin e kryeministrit, por i kërkojmë Prokurorisë së Republikës dhe Kontrollit të Shtetit, të hetojnë e të kontrollojnë procesin e kësaj blerjeje masive trojesh që janë ndarë si tokë bujqësore dhe që sipas ligjeve të kësaj Republike nuk i shiten një të huaji”, - përfundoi kreu i selisë rozë.

Ky lajm është publikuar: 18/10/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›