E Diel, 1 Nëntor 2026

NY Times: Gërdeci,korrupsioni i lustruar në mënyrën më të tmerrshme

NICHOLAS KULISH

Aksidentet ndodhin. Por kur një fabrikë ka fshatarë pa eksperiencë që zbërthejnë me forcë mijëra fishekë artilerie në ditë me shufra metali dhe duar të zhveshura, është e vështirë ta quash katastrofën vdekjeprurëse që pason një aksident të thjeshtë. Shpërthimi i depos muajin e kaluar shkaktoi tre kratere, më i thelli 70 metra, dhe vrau 26 njerëz. Dëshmitarët e krahasuan atë dhe valën e madhe shokuese që e shoqëroi me shpërthimin e një bombe nukleare. “U ndjemë sikur po fluturonim”, tha Razije Telhai, 48 vjeçe, e cila tha se kishte fluturuar gati 20 metra larg nga forca e shpërthimit. Shqiptarët tani po pyesin se si ka mundësi që shteti i tyre, i cili muajin e kaluar u ftua për t’u anëtarësuar për në NATO, mund të ketë lejuar ndërtimin e një fabrike çmontimi kaq të rrezikshme shumë pranë një autostrade të madhe, fare pak larg nga aeroporti kryesor i vendit, i cili u dëmtua nga vala shokuese. Jashtë vendit të ngjarjes të premten, ish-punëtorët nisën të parën nga demonstratat e përditshme që paralajmëruan duke kërkuar kompensim më të madh për pagat e humbura, dëmtimet dhe vuajtjen. Deri tani ata kanë marrë rreth 1300 dollarë për person. Familjet e viktimave ankohen se qeveria nuk ka bërë sa duhet për të mbajtur të sigurt njerëzit. “Ne nuk kemi fare mbrojtje; nuk ka drejtësi”, tha Gëzim Cani, 23 vjeç, i cili ishte kthyer menjëherë pas shpërthimit në shtëpinë e tij, direkt nga puna në një fabrikë ndërtimi në Itali, me frikën për jetën e të atit, për të mësuar më pas se edhe nëna e tij kishte punuar në atë fabrikë. Ajo nuk i kishte thënë asgjë, sepse nuk donte ta shqetësonte. Të dy prindërit e tij kishin vdekur. Pas tragjedisë, ministri i Mbrojtjes dha dorëheqjen dhe Kryeministri Sali Berisha është nën presion të dukshëm nga grupet e viktimave dhe opozita politike. Çështja ka ngritur edhe një sërë pyetjesh për shqiptarët mbi qeverinë e tyre dhe korrupsionin e ngulitur në kombin e Ballkanit Perëndimor, një problem i dokumentuar për një kohë të gjatë, por mbase kurrë i ilustruar sa duhet. Shpërthimi ka hedhur dritë edhe mbi një problem më të përgjithshëm, edhe pse të vënë re pak, frekuencën e shpërthimeve vdekjeprurëse të rezervave të municioneve konvencionale. Sipas “Small Arms Survey”, një grup kërkimi me bazë në Gjenevë, ka pasur më shumë se një dyzinë shpërthimesh në depo municioni në të gjithë botën, në secilin prej shtatë viteve të fundit. Grupi ka dokumentuar 153 shpërthime të tilla mes viteve 1995 dhe 2007, dhe tha në një raport të muajit janar, se ka shumë mundësi të kenë ndodhur edhe më shumë shpërthime të tilla të paraportuara. Shpërthimet e raportuara kanë marrë jetën e të paktën 2575 njerëzve, edhe pse një shpërthim në Nigeri në vitin 2002 numëronte më shumë se gjysmën e këtyre fataliteteve. Ajo që ndodhi në Shqipëri në mars, nuk ishte një incident i thjeshtë në depon qeveritare. Punëtorët e punësuar nga kontraktorë privatë po çmontonin municionet, me qëllim që komponentët e tyre si tunxhi apo pluhuri i barutit të mund të shiteshin, një sipërmarrje gjithnjë e më shumë fitimprurëse në një periudhë të çmimeve shumë të larta të produkteve. I militarizuar në një nivel të lartë nën drejtimin e diktatorit shumëvjeçar stalinist, Enver Hoxha, i cili vdiq në vitin 1985, vendi është ngarkuar me rezerva të stërmëdha të municioneve të luftës së ftohtë. Qeveria e Shteteve të Bashkuara, tani një mbështetëse e palëkundur e Shqipërisë, që i ka kthyer favorin duke dërguar trupa në Afganistan dhe Irak, ka ndihmuar për nënshkrimin e shkatërrimit të këtij arsenali. Korrikun e vitit të kaluar, me një asistencë amerikane prej më shumë se 50 milionë dollarësh, Shqipëria përfundoi shkatërrimin e 16 tonë armëve kimike. Departamenti amerikan i Shtetit deklaroi se kjo ishte gjëja e parë që duhej bërë ndërmjet nënshkrueseve të Konventës së Armëve Kimike, e cila ka hyrë në fuqi në vitin 1997 dhe i detyron vendet anëtare të shkatërrojnë rezervat e tyre. Shtetet e Bashkuara kanë shpenzuar 2 milionë dollarë më shumë duke shkatërruar armë dhe municione të kalibrit të vogël në Shqipëri gjatë vitit 2007.
Por Ministria shqiptare e Mbrojtjes ka deklaruar javën e kaluar se, edhe pas gjithë asaj pune të muajve të fundit në Gërdec, kishte ende 100.000 tonë municione, nga të cilat vetëm rreth 10 për qind ishte e nevojshme për forcat e armatosura. Pjesa tjetër është propozuar të shkatërrohej. Përpara fabrikës së Gërdecit, ekzistonin dy fabrika të tjera shtetërore të përcaktuara për shkatërrimin e municioneve. Por puna e tyre ishte shumë e ngadaltë. “Ne donim t’i shkatërronim sa më shpejt të ishte e mundur këto rezerva”, tha Gazmend Oketa, ish zv.kryeministër dhe tani ministër i Mbrojtjes, në një intervistë nga zyra e tij shpellore, me një flamur blu të NATO-s që varej pas tryezës së tij. “Punimet vetëm në këto dy fabrika, rezultati i të cilave ishte shumë i limituar, do të na merrte një periudhë shumë të gjatë kohe”. Për të përshpejtuar këtë proces, qeveria shqiptare i caktoi kontratën një kompanie me bazë në Karolinën e Jugut, “Southern Ammunition Co”, e cila punonte me një kompani lokale të njohur, “Albademil”. Kontrata e parë ndërmjet agjencisë shtetërore të eksportit të armëve dhe “Southern Ammunition” ishte për çmontimin e municioneve të armëve të vogla, kryesisht fishekët 7.62 milimetër. Në dhjetor u nënshkrua një kontratë tjetër, për municione më të mëdha, përfshirë predha obusi 152-milimetër. Në një mesazh me e-mail, presidenti i “Southern Ammunition”, Patrick Henry, kishte dijeni se kompania i kishte nënshkruar kontratat. Por ai tha se përfshirja e tij në këtë vend përfundoi në dhjetor, dhe se ajo “nuk ishte e përfshirë në asnjë aspekt në çmilitarizimin e kalibrave të mëdhenj”. Ai tha se të dyja kontratat “i ishin transferuar menjëherë ‘Albademil’”. Ai kishte dijeni se nëpunësit e kompanisë ishin marrë në pyetje nga FBI, por tha se “Southern Ammunition” nuk ishte nën hetim, gjë e cila u konfirmua edhe nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë. Fshatarët, të cilët kanë shtëpitë afër fabrikës, thanë se ata ishin shumë në dijeni të rrezikut që i kanosej, dhe i trembeshin një shpërthimi. Por Shqipëria, një komb me 3.6 milionë banorë, është një nga vendet më të varfra në Evropë. Me gjithë shqetësimet e tyre, shumë banorë lokalë ndjenë se puna ishte shumë e mirë për t’u lënë. Hekuran dhe Zelie Kaca, prindërit e një djali 4-vjeçar dhe një vajze 2-vjeçare, nisën të punonin në këtë fabrikë në muajin shkurt. Hekuran Kaca tha se ai dhe e shoqja punonin me një ekip prej katër personash, të cilët kishin përgjegjësi për hapjen me forcë, manualisht, të fishekëve të vjetruar sovjetikë dhe kinezë, rreth 900 në ditë dhe gërryerjen e barutit prej tyre. Për këtë punë ata merrnin ekuivalentin e 26 dollarëve në ditë, nëse ata arrinin normën e tyre. Rreth mesditës së 15 marsit, një ditë tipike pune, drejtori i fabrikës i tha z. Kaca se ai nuk mund ta bënte pushimin e drekës derisa të lëvizte thasët me pluhur baruti të marrë nga fishekët deri te kontejnerët e magazinimit aty afër. Ndërsa ai mori ngarkesën e parë, një zjarr nisi të merrte nga baruti i derdhur në tokë, duke e ndarë atë nga gruaja e tij. “Zelie, ka rënë zjarr, dil që aty shpejt”, kujton se ka bërtitur ai drejt saj, përpara se të largohej nga shpërthimi që e dinte se po vinte. Kaca shpresonte se gruaja e tij ia kishte dalë mbanë të largohej nga hyrja qendrore, të cilën ai nuk mundi ta shihte nga flakët. Zjarri nxori një re të madhe tymi në qiell, duke i detyruar fshatarët të vraponin për t’u strehuar në pemët aty afër apo bunkerët e nëndheshëm. Pa atë paralajmërim, pohojnë disa prej tyre, numri i të vdekurve mund të kishte qenë shumë më i lartë. Javën e kaluar, duke iu afruar vendit të fabrikës në rrugën nga Tirana, prova e parë e shpërthimit ishte një skelet metali i një stende afishimi, e vendosur lart në majë të një kodre e prerë fije-fije deri në fund të skeletit të saj. Shpërthimi theu dritaret e makinave dhe të shtëpive për disa milje larg. Më afër vendit ku qëndronte fabrika janë shtëpitë me pjesën më të madhe të tjegullave të fluturuar nga çatia e tyre, si shumë gjethe të thyeshme vjeshte. Vendi i shpërthimit është një sipërfaqe e përlyer me baltë, me mbeturina të pafundme predhash obusi dhe e mbushur me copa betoni dhe tullash. Viktima më e re, Flavio Deliu, ishte katër vjeç, një nga pesë anëtarët e familjes Deliu, të cilët u vranë. Shtëpia e familjes Deliu qëndronte pranë rrugës së fabrikës; tani ajo është vetëm një skelet betoni i zymtë në një fushë të shtruar me predha artilerie. Viktima e fundit ishte një 19-vjeçare ,e cila vdiq nga plagët që kishte marrë këtë muaj. Tre burra janë arrestuar, dy prej të cilëve nga “Albademil” dhe tjetri kreu i agjencisë shtetërore të eksportit të armëve. Arben Prifti, avokati i të pandehurve të “Albademil”, tha nëpërmjet një përkthyesi se “Albademil” nuk ishte e përfshirë në çmontimin e municionit. “Aktiviteti i ‘Albademil’ kishte të bënte vetëm me skrapin, vetëm pasi ata e kishin kryer çmontimin”, tha ai në një intervistë nga zyra e tij në Tiranë. Prifti tha se, “Southern Ammunition” ishte përgjegjëse për çdo gjë, nga trajnimi dhe siguria deri te zbërthimi i municioneve. Në mesazhin e tij me e-mail, Henry tha se, “që nga formimi i kompanisë sonë në vitin 1974, ne kemi punuar vetëm me municion të kalibrit të vogël”. Prokurorja e Përgjithshme e Shqipërisë, Ina Rama, tha nëpërmjet përkthyesit të saj në një intervistë se grupi i hetuesve që po merret me shpërthimin në Gërdec, po merrej gjithashtu me ekzaminimin e akuzave për një potencial tregtie ilegale municionesh. “New York Times” ka raportuar muajin e kaluar se fishekët e vjetër prej disa dekadash në Shqipëri të të njëjtit tip si ato që po shkatërroheshin në Gërdec, u janë shitur forcave dhe policisë afgane, pasi origjina e fishekëve është fshehur në ripaketimin e tyre. Një nënkontraktor i përfshirë në përgatitjen e municionit për Afganistanin, tha se ai dyshonte që paratë po devijonin për zyrtarët shqiptarë. Presidenti i kompanisë që ka blerë municionin, Efraim E. Diveroli i AEY Inc., ka përmendur në një bisedë të regjistruar telefonike Kryeministrin Berisha dhe djalin e tij. Nuk ka pasur asnjë provë publike se aktiviteti i AEY kishte lidhje me shpërthimin. Partia Socialiste në opozitë vazhdon të kërkojë dorëheqjen e Kryeministrit Berisha. “Kjo është e domosdoshme me qëllim për të lejuar Prokurorinë të hetojë mbi të për këtë çështje”, tha Valentina Leskaj, kryetare e grupit parlamentar socialist. Z. Berisha ka mohuar çdo lloj përfshirjeje në marrëveshjen e municionit në fabrikën e Gërdecit. Nëpërmjet zëdhënëses së tij, Kryeministri tha javën e kaluar se ai ishte i gatshëm të përballej me votëbesimin në sallën e Parlamentit, të cilin edhe politikanët e opozitës thanë se ai do ta fitonte. Secila prej këtyre gjërave i ka lënë të mbijetuarit e tragjedisë të zemëruar dhe të fyer. “Askush nuk po merr përgjegjësinë për atë që ndodhi”, tha Kaca. Me asnjë lajm për fatin e gruas së tij, pas kërkimit në morg dhe në spitale, ai më në fund u kthye në vendngjarje. Dy ditë pas shpërthimit, ai hyri fshehurazi në zonën e izoluar. Ai gjeti katër trupa në pikën ku zakonisht punonte, të gjithë të djegur përtej çdo mundësie njohjeje. Provat e ADN-së konfirmuan një javë më vonë se gruaja e tij kishte vdekur. “Në fund, jemi ne të vetmit që paguajmë për këtë”, tha Kaca. “Ne jemi të vetmit që vuajmë”.

Tragjedia, në Prokurori edhe dy zyrtarët e Shtabit të Përgjithshëm

TIRANE – Prokuroria e Përgjithshme mori dje në pyetje dy zyrtarë të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura. Shefi i Kabinetit dhe një tjetër zyrtar i Shtabit janë marrë në pyetje për më shumë se dy orë, nga prokurorët e dosjes Gërdeci. Zyrtarët e thirrur në Prokurori kanë dhënë deklarime lidhur me demontimin e predhave në ish-repartin ushtarak të Gërdecit, që u konvertua në fabrikë çmontimi. Ata gjithashtu janë pyetur edhe lidhur me marrëdhëniet që Shtabi i Përgjithshëm ka pasur me ndërmarrjen MEICO, sa i përket dorëzimit dhe transportimit të fishekëve të destinuar për demontim, një pjesë e të cilëve dyshohet se janë tregtuar jashtë vendit në mënyrë ilegale dhe në shkelje të ligjeve amerikane që ndalojnë tregtimin e municioneve dhe armëve të prodhimit kinez. Zyrtarët e Shtabit të Përgjithshëm janë shprehur se kanë zbatuar urdhrat dhe kërkesat e bëra nga ndërmarrja MEICO, e cila ishte autoriteti vendimmarrës.                              t.s

Drejtori i uzinës së Poliçanit çon në Prokurori kontratat e MEICO

TIRANE – Drejtori i uzinës së Armëve në Poliçan, dorëzoi dje në Prokurorinë e Përgjithshme një dosje voluminoze me dokumente lidhur me kontratat e ndërmarrjes së import-eksportit të armëve dhe municioneve, MEICO. Kasem Mahmutaj, drejtor i uzinës së armëve në Poliçan, është paraqitur pas mesditës në Prokurorinë e Përgjithshme dhe qëndroi aty vetëm pak minuta gjatë të cilave dorëzoi te prokurorët, të gjitha kontratat që MEICO ka bërë me uzinën deri në vitin 2004. Pas këtij viti mësohet se ndërmarrja MEICO kishte marrë përsipër edhe procesin e demontimit të municioneve dhe armëve të destinuara për nxjerrje nga përdorimi ushtarak. Prokuroria tha se po verifikon kontratat mes MEICO-s dhe uzinës së Poliçanit, për të verifikuar nëse në këto raste është zbatuar ligji. Dyshimet e organit të akuzës janë se MEICO ka pasur probleme të shumta edhe në kontratat që ka nënshkruar me uzinën shtetërore të armëve në Poliçan. Sipas burimeve nga hetimi, pas tragjedisë së ndodhur në Gërdec, objekt i hetimeve është bërë pothuajse gjithë veprimtaria e ndërmarrjes së drejtuar deri pak kohë më parë nga Ylli Pinari. Ai është arrestuar më 18 mars 2008 vetëm tri ditë pas tragjedisë së ndodhur në Gërdec të Vorës, i konsideruar si një nga përgjegjësit kryesorë për moszbatimin e rregullave dhe kushteve të sigurisë në punë në fabrikën e ngritur nga Mihal Delijorgji, i cili u arrestua edhe bashkë me Pinarin. Sipas Prokurorisë, në kontratat e nënshkruara mes ndërmarrjes MEICO dhe uzinës së Poliçanit ka shkelje dhe abuzime të tilla, që fillojnë nga moslikuidimi nga ana e Pinarit për shpenzimet që kryente uzina deri te mospërcaktimi i zërave në fonde për marrjen e masave të sigurisë, si shërbimi i zjarrfikëseve dhe rojat. Lidhur me dokumentimin e abuzimeve dhe shkeljeve që dyshohet se janë kryer nga ndërmarrja MEICO, Prokuroria ka marrë në pyetje dhjetëra dëshmitarë nga Ministria e Mbrojtjes, vetë ndërmarrja, Shtabi i Përgjithshëm si dhe nga struktura të tjera të ushtrisë shqiptare.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›