E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Po shkojmë në republikë kryeministrore”

Juristi i njohur Luan Omari, komenton ndryshimet kushtetuese që kanë propozuar dy partitë e mëdha.

Aristir Lumezi

Sipas tij, presidenti nuk mund të zgjidhet me më pak vota se Avokati i Popullit, ndërsa shton se mendimi i mosbesimit të kryeministrit do ta çojë vendin në një republikë kryeministrore. Omari shprehet se opozita nuk duhet të kishte pranuar propozimin e zgjedhjes së presidentit me 50+1 të votave, pasi injoron rolin e saj në Kuvend.
Zoti Omari, si i konsideroni ndryshimet kushtetuese që propozojnë dy partitë kryesore PS-PD, të cilat nisën me ndryshimin e sistemit zgjedhor, se sot kemi një paketë të tërë amendimesh që prekin institucionin e presidentit dhe kryeministrit?
Me ndryshimet që kanë propozuar dy partitë parlamentare shkojmë në shfuqizimin e 10 neneve shumë të rëndësishëm të Kushtetutës dhe këto bëhen pa u diskutuar me imtësi dhe me një diskutim të gjerë me deputetët e këtij parlamenti, me ekspertët juristë të huaj dhe shqiptarë, të cilët duhet të japin mendimet e tyre. Dua t’ju kujtoj këtu se për ardhjen në këtë variant të Kushtetutës që kemi sot, është ngritur një komision i posaçëm parlamentar, të cilit iu desh një punë 1-vjeçare për të hartuar Kushtetutën, një punë që kishte nisur që në 1993. Mua më duket i pajustifikuar ky nxitim dhe kjo shmangie e diskutimit të gjerë me grupet e interesit. Kushtetuta nuk është një paçavure që të amendohet kur të dojë dhe si të dojë çdokush.
Një grup deputetësh ka bërë propozimin e zgjedhjes së presidentit nga populli. Sipas jush, sa një zgjedhje e tillë do të ndryshonte formën e shtetit që ne kemi sot, duke e shndërruar atë në një republikë presidenciale? 
Kompetencat e presidentit nuk lidhen me mënyrën e zgjedhjes, pasi mund të kemi republikë parlamentare edhe kur presidenti zgjidhet nga populli. Pra, çdo gjë varet nga kompetencat që ka ai të sanksionuara në Kushtetutë dhe jo nga mënyra se si zgjidhet. Kushtetuta austriake e zgjedh presidentin nga populli, por nuk i jep më shumë kompetenca se ç’ka presidenti i Shqipërisë. Amendimet e tanishme flasin vetëm për mënyrën e zgjedhjes, por jo për ndryshime në Kushtetutë në lidhje me kompetencat e tij.
Si nga Partia Demokratike, ashtu dhe nga Partia Socialiste, është miratuar propozimi i zgjedhjes së presidentit nga Parlamenti në raundin e katërt dhe të pestë me 50+1 të votave. Sa logjik është një barazim i votave të presidentit në Kuvend me ato të një ministri apo kryeministrit?
Kjo sigurisht për mua nuk është e drejtë, sepse raundi i katërt bën që tre raundet e para bëhen sa për formë, kur dihet se presidenti nuk mund të zgjidhet me 3/5 e votave dhe bën që raundi i katërt të çojë tek 50+1. Kjo zgjedhje e minimizon presidentin të marrë kreun e shtetit me më pak vota se edhe Avokati i Popullit, duke e ulur prestigjin e tij, si figurën mbi palët dhe përfaqësues të unitetit kombëtar.
Si e konsideroni rolin e opozitës në këtë propozim?
Unë sinqerisht çuditem se si opozita e ka pranuar këtë propozim, sepse 50+1 janë votat e maxhorancës, me të cilën ka votuar qeverinë, pa të cilën ajo nuk mund formohet. Presidenti duhet të jetë mbi palët dhe duhet të marrë vota edhe nga opozita, pasi përndryshe figura e presidentit vetëm me votat e sigurta të maxhorancës që ndodhet në pushtet zbehet.
Gjithashtu në amendimet e Komisionit të Ligjeve kemi marrjen e kompetencave të kryeministrit për të shpërndarë parlamentin nëse ai nuk votëbesohet. Mendoni se ky amendim kushtetues rrit artificialisht rolin e kryeministrit të radhës?
Kushtetuta e sotme e ka shumë mirë të shprehur, në rast se kryeministri paraqet një mocion mosbesimi dhe e humbet atë, atëherë është presidenti që brenda 15 ditëve propozon një emër tjetër për kryeministër nga maxhoranca në pushtet. Në këtë mënyrë vetë Kuvendi ka të drejtë të zgjedhë një kryeministër tjetër. Me  ndryshimin që propozohet kryeministri mund t’i bëjë shantazh maxhorancës së vet, se nëse nuk votohet, do të shpërndajë parlamentin. Në këtë mënyrë deputetët do të detyrohen ta pranojnë dhe ta votojnë atë edhe nëse nuk e duan, vetëm sepse do të duan të mbajnë mandatin e tyre deri në fund të legjislacionit. Për mua është një gomë shpëtimi për ta nxjerrë nga situata e mosbesimit kryeministrin. Sot Kushtetuta është e shprehur shumë më mirë. Mendoj se çdo maxhorancë ka një kandidat më shumë se një kryeministër dhe s’ka pse të shkojmë në zgjedhje. Amendamenti i propozuar i jep atribute të paqena kryeministrit, cilitdo qoftë ai, duke e kthyer vendin me dashje apo padashje në një republikë kryeministrore.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›