Pranga gardianit, shiste hashash në burg
DURRËS/ Policia ka prangosur Ilir Sofkën, në banesën e të cilit u kapën 3,35 gramë kanabis dhe 3,40 gramë heroinë
Hetimet mësohet të kenë filluar pasi në qelitë e burgut pas mesnate ndihej era e lëndës narkotike
DURRËS - Një polic me shërbim në burgun e Rrogozhinës, duke përfituar nga autoriteti i uniformës që kishte veshur kishte kohë që, sipas informacioneve që kishin grumbulluar kolegët e tij të Durresit, merrej me tregtimin e lëndëve narkotike në brendësi të burgut.
Pasi kanë marrë një informacion të saktë në rrugë operative se personi dispononte droga të llojeve të ndryshme në banesë, rreth orës 13:00 të ditës së mërkurë i kanë shkuar për kontroll banese dhe pas kontrollit të bërë i kanë gjetur një sasi droge të cilën polici e shpërndante tek të dënuarit e burgut ku edhe shërbente.
Arrestimi
Policia ka bërë me dije se rreth orës 17:00 shërbimet e Seksionit Kundër Narkotikëve në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Durrës bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit 31-vjeçar, Ilir Sofka, lindur në Kukës e banues në lagjen Nr.8 Durrës.
Njoftimi i policisë saktëson se personi në fjalë ishte punonjës policie në Institucionin e Ekzekutim-Vendimeve Penale në Rrogozhinë". Arrestimi i tij, sipas policisë është bërë pas disa muaj përgjimesh. "Arrestimi i tij u bë pasi në bazë të informacioneve të marra në rrugë operative, ky shtetas ushtronte aktivitetin e shitjes së lëndëve narkotike në burgun e Rrogozhinës.
Pas kontrollit fizik të personit, policit 31-vjeçar të dyshuar, si dhe pas kontrollit të banesës së tij në lagjen 8 të Durrësit, policia thekson se u bë e mundur kapja në flagrancë e këtij shtetasi ku gjatë kontrollit iu gjet e sekuestrua në cilësinë e provës materiale një sasi prej 3,35 gramësh lëndë narkotike e dyshuar si kanabis sativa dhe 3,40 gramh lëndë narkotike e dyshuar si heroinë, si dhe shuma prej 9000 lekësh.
Gjurmimi
Të dhënat flasin se specialistët e antidrogës informacionet e para i kishin marrë nga burgu i Rrogozhinës kur kanë marrë sinjale se "në disa qeli të burgut të Rrogozhinës vinte erë kanabis, fenomen i cili dallohej pas orës 12 të natës, kohë në të cilën bie edhe vigjilenca e gardianëve".
Shërbimet e brendshme të policies, pas marrjes se këtyre sinjaleve, kanë bashkëpunuar dhe kanë vënë nën kontroll të dyshuarit, pasi ky fenomen ishte konstatuar edhe në raste të tjera në këtë burg. Hetuesit pas arrestimit të gardianit po interesohen mbi linjat dhe tentativat e tjera të kërkesës për të furnizuar të burgosurit me drogë, por ai nuk ka bashkëpunuar, saktësojne informacionet. Gardiani Sofka punonte prej rreth dy vitesh gardian burgu.