E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nëna e Tur Dajës: Djalin ma vrau banda e Lushnjes

Daja i njeriut me kokë të prerë në vitin 1998, tha dje se motra e tij i kishte treguar se i biri ishte ekzekutuar nga banda, më vonë ajo u çmend


Prokuroria heq dorë nga pyetja e të penduarit të bandës Petrit Liçi, ndërsa seancën tjetër pritet dëshmia e Gramoz Selmanit


TIRANË- "Djalin ma vrau Alfred Shkurti dhe shtëpinë ma dogji "banda" e Alfred Shkurtit". Kjo ka qenë fraza që nëna e Artur Dajës, përsëriste çdo minutë në shtëpinë e vëllait të saj, Xhavit Çela, në fshatin Spolat të komunës Gradisht të rrethit Lushnje, dëshmitarit të djeshëm të prokurorisë në procesin penal ndaj bandës së Lushnjes.


Në banesën e vëllait të saj, Xhavit Çela, e ëma e Artur Dajës kishte gjetur strehim pas vrasjes dhe prerjes së kokës së djalit të saj dhe djegies së shtëpisë së tyre në qendër të qytetit. Por kjo gjendje nuk zgjati shumë, pasi sipas dëshmitarit Çela, e motra e tij pësoi tronditje të rëndë në tru dhe u çmend.


Ndërkaq gjatë seancës së djeshme Prokuroria kërkoi të mos thirret si dëshmitar, i penduari i bandës së Lushnjes, Petrit Liçi, por vetëm të lexohen dëshmitë e tij. "Unë Artur Dajën e kam pasur nip.


Ai është djali i motrës time bashkë me Lorencin. Gjatë viteve 1990 sa herë që kam shkuar te motra, kam gjetur aty nipat Lorencin dhe Arturin të cilët më kanë prezantuar shokun e tyre të ngushtë, Alfred Shkurtin, që shpesh e takoja në banesën e nipave. Më pas nuk e di si kanë rrjedhur ngjarjet, por ata janë prishur si shoqëri,- tregoi dëshmitari Çela.


Sipas tij, në vitin 1997 motrës së tij i dogjën shtëpinë ajo shkoi të banonte tek ata në fshatin Spolat të komunës Gradishtë të Lushnjes. Atje sipas tij, ajo kishte qëndruar 18 muaj, deri në momentin që pësoi dëmtime psiqike në tru. "Gjatë kohës që qëndroi tek ne, asaj i vranë djalin dhe burrin e vajzës.


Motra çdo ditë thoshte: djalin ma vrau Alfred Shkurti, shtëpinë ma dogji "banda" e Alfred Shkurtit deri një ditë kur u sëmur rëndë. Pas kësaj, e kemi dërguar në Greqi me nipin tjetër Lorencin"- ka thënë ndër të tjera në prokurori dëshmitari Xhavit Çela, vëllai i nënës së Artur Dajës.


Ndërkohë, në seancën e djeshme gjyqësore dëshmitari Çela ishte kontradiktor nga ato që thoshte, duke detyruar herë pas herë trupën gjyqësore dhe prokurorinë t'i kujtonte se ndodhen nën betim dhe nëse nuk thotë të vërtetën rrezikon të ndiqet penalisht për "dëshmi të rreme".


Por, pavarësisht këtyre rikujtimeve dëshmitari Çela u shpreh se nuk e dinte ende se nipi i tyre Artur Daja është gjallë apo i vdekur.


"Artur Dajën e kam nip, djalë motre. Nuk di nëse është gjallë apo ka vdekur"- deklaroi dje 62-vjeçari Çela. Sipas tij, në vitin 1997 motra e tij kishte vajtur në banesën e prindërve në fshatin Spolat të komunës Gradisht të Rrethit Lushnje, pasi "banda" ia kishte djegur shtëpinë dhe kishte frikë se do e vrisnin.


"Kur ika në shtëpi, nuk e mbaj mend datën dhe orën, aty e gjeta motrën. Kishte ikur nga Lushnja se ia kishin djeg shtëpinë "banda" e Alfred Shkurtit. Para se motra të çmendej, në banesën time ka ardhur katër herë një furgon i bardhë i blinduar ku brenda saj ishin "anëtarët" e "bandës" të cilit ishin të armatosur dhe me uniforma policie.


Në të katër rastet ata kërkonin nipin Lorencin"-tha dëshmitari Çela para Gjykatës së Krimeve të Rënda. Më pas, me kërkesë të prokurorisë, gjykata pranoi të mos thërrasë me cilësinë e dëshmitarit të penduarin e kësaj "bande" Petrit Liçin, i cili mësohet se do të dëshmonte në lidhje me vrasjen e Artur Dajës. Por, për prokurorët Besnik Muçi e Gentian Trenova ky episod është zbardhur dhe nuk është e nevojshme dëshmia e tij dhe 7 dëshmitarëve të tjerë të akuzës.


Ish- aksioneri i Lagunës

Aksionet e mia prej 2 milionë lekësh i shita për 600 mijë

Në vazhdim të seancës gjyqësore, gjykata dëgjoi dëshminë e shtetasit Ibrahim Plaku, ish-aksionar në Lagunën e Karavastasë, të cilë ia kishin shitur Aldo Bares me nga 600 mijë lekë.


"Kam marrë pjesë kur u privatizua Laguna e Karavastasë. Aktualisht nuk jam më aksionar. Kishim nga 2 milionë lekë në vitin 1999 aksione në këtë lagunë, por kur erdhi drejtor Tahir Zela, më thirri në zyrë dhe më tha: Na këto 600 mijë lekë dhe nuk ke më pjesë te laguna, nuk ke më aksione.


Firmosa në një letër si bordero dhe u largova. Urdhri ishte nga 600 mijë lekë për secilin prej nesh, nuk do ishim më aksionarë donim apo s'donim ne"-tha dëshmitari Plaku para gjykatës.


Në përfundim të seancës gjyqësore, togat e zeza me kërkesë të prokurorisë pranuan që në seancën e radhës të thirret për të dëshmuar shtetasi Gramoz Selmani, i njohur edhe si miku i Artur Dajës i cili ditën e vrasjes së Ramadan Shkurtit, vëllait të Aldo Bares ka qenë në krahë të të vrarit Artur Daja.


Vetë Selmani ka deklaruar në vitin 2006 para oficerëve të policisë brenda Ambasadës Shqiptare në Greqi, edhe pse ndaj tij kishte një urdhër arresti. Pritet që në seancën e radhës të sqarohet se do të pyetet apo do të lexohen dëshmitë e tija në procesin gjyqësor ndaj "bandës" së Bares, të pandehurit Rexhep Gina, Arben Boriçi, Ilir Stërgu, Arjan Aliçko, Agur Musaka, Erion Cici dhe Afrim Hoxha.

Masakrimi i trupit të Artur Dajës


Sipas hetimit të prokurorisë, me datë 21 tetor të vitit 1998, në fshatin Grabian të qytetit të Lushnjes pasi është dëgjuar një plasje eksplozivi, janë gjetur në vendngjarje, pjesë të një trupi njeriu.Ditën e vrasjes së Artur Dajës, në sheshin e qytetit të Lushnjes pjesëtarë të grupit kriminal të drejtuar nga Aldo Bare kanë shëtitur nëpër shesh kokën e prerë të kufomës së Artur Dajës.


Ndërmjet tyre, në ngjarjen kriminale të ekspozimit të kokës së prerë dyshohet se kanë qenë edhe të pandehurit Ilir Stergu, Arben Boriçi, Erion Cici, Arjan Aliço, Enver Boriçi, Enver Dondollaku, shtetasi i vrarë Leonard Prifti dhe persona të të tjerë. Të gjithë viktimat kane qenë shokë apo miq të shtetasit Artur Daja i cili ishte kundërshtari i drejtuesit të organizatës kriminale të drejtuar nga ana e të pandehurit Aldo Bare. Viktimat nuk kanë pasur konflikte personale me të pandehurit.


Të akuzuar të këtij procesi


Rexhep Gina,
Arben Boriçi,
Ilir Stërgu,
Arjan Aliçko,
Agur Musaka,
Erion Cici
Afrim Hoxha

Të akuzuar si pjestarë të tjerë të bandës
Alfred Shkurtin alias Aldo Bare (Në gjykim)
Enver Boriçi (Në gjykim)
Enver Dondollaku (Në gjykim)
Jorgo Muzaka( Në gjykim)
Maksim Çela (I dënuar me 25 vjet burg)
Erion Cici (I dënuar me 25 vjet burg)
Dritan Vila (I dënuar me burgim të përjetshëm)
Leonard Prifti (I vrarë)
Erion Kashari (I dënuar në Lushnje)
Elton Mermali (I dënuar në Lushnje)
Petrit Liçi (I penduar, i dënuar me 7 vjet burg)

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›