E Diel, 1 Nëntor 2026

“Berisha të respektojë institucionet kushtetuese”

Autori i Lajmit: red.
Partia Socialiste i bën thirrje kryeministrit Sali Berisha që të zbatojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese për pezullimin e ligjit të dosjeve. Kryetarja e Grupit të deputetëve të PS-së, Valentina Leskaj, pohoi se Berisha duhet të respektojë institucionet dhe të heqë dorë nga presionet. “Zoti Berisha duhet të heshtë sot. Duhet të heshtë dhe të heqë dorë nga përbaltja e institucioneve kushtetuese, sepse shteti ligjor nuk mund të ndërtohet duke sulmuar institucionet e shtetit ligjor”, - tha ajo. Numri një i deputetëve socialistë theksoi se Partia Socialiste mbetet koherente, në faktin që mbetet e gatshme për të kontribuar për një projekt kushtetues, me standarde dhe që konsideron të gjitha sugjerimet e partnerëve ndërkombëtarë dhe që vë në themele parimet e kriteret e ligjit të "Lustracionit". Ajo shtoi më tej se arsyeja që PS ka kundërshtuar ligjin është për shkak të antikushtetueshmërisë së tij. “Ne mbetemi koherentë në respektimin e vendimeve të institucioneve që u ngarkon ligji, pra të vendimeve të institucioneve kushtetuese”, - tha Leskaj. Ankimimi i deputetëve të opozitës, depozituar në Kushtetuese, përfshinte si pikë të parë pezullimin e ligjit dhe më pas argumentimin ligjor rreth 25 faqe, ku ishin renditur hap pas hapi 28 nene të ligjit të Lustracionit që bien ndesh sipas tyre, me Kushtetutën që nga balancimi dhe ndarja e pushteteve, tek ndërprerja e mandateve dhe deri tek shkelja e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut.
Ky lajm është publikuar: 17/02/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›