E Diel, 1 Nëntor 2026

Rrëzimi i “Dosjeve”, Berisha pranon vendimin e Kushtetueses

Autori i Lajmit: Plarent Shehu
Shefi i mazhorancës qeverisëse, Sali Berisha, ka akuzuar ashpër menjëherë pas pezullimit të ligjit për “Dosjet” nga Gjykata Kushtetuese, liderin socialist Edi Rama dhe anëtarët e kësaj gjykate, se i shpërbejnë regjimit të krimeve komuniste. Kryeministri ka deklaruar në mbledhjen e Grupit Parlamentar të PD-së se mazhoranca është e detyruar të pranojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese për ngrirjen e ligjit për “Lustracionin”. Nga burime të brendshme në selinë blu, por dhe qeveritare, komisioni për verifikimin e figurës nuk do të ngrihet as ditët në vijim. Kryeministri e konsideroi këtë vendim si "jashtëzakonisht të rëndë", sepse anëtarët e Gjykatës Kushtetuese i lejuan vetes të marrin vendim në konflikt të hapur interesi, në kundërshtim flagrant me çdo standard të një vendi të lirë. "Me këtë vendim, Gjykata Kushtetues dhunoi një parim universal të etikës të gjyqësorit, që është parimi i integritetit dhe që ka si kusht themelor përjashtimin nga konflikti ï interesit. Ne nuk kemi asnjë kundërshtim që institucionet të ushtrojnë të gjitha funksionet e tyre, por standardi i vendosur sot është unikal; me këtë vendim, qëllimi kryesor i atyre, të cilët kanë probleme të mëdha me krimet e shkuara, është mbrojtja personale e vetes së tyre”, - theksoi Kryeministri. Gjykata Kushtetuese, u shpreh Berisha, e personalizoi këtë çështje, ndërkohë që qeveria kishte si qëllim kryesor dënimin e krimeve kundër njerëzimit të periudhës komuniste. Duke u ndalur në qëndrimin e mazhorancës kundrejt vendimit të Gjykatës Kushtetuese, Kryeministri tha se ajo nuk do të heqë dorë kurrë nga dënimi i krimeve kundër njerëzimit. Berisha nënvizoi më tej se “me institucionet ndërkombëtare diskutuam dhe ramë dakord që të gjejmë modalitetet, në mënyrë që Gjykata Kushtetuese, jashtë konfliktit të interesit, të mund të shprehej. Sigurisht, me këtë vendim, qëllimi kryesor i atyre të cilët kanë probleme të mëdha me krimet e shkuara, është mbrojtja personale e vetes së tyre, por ne nuk kemi pasur qëllime që të bëjmë gjëra personale ndaj asnjë njeriu, qëllimi ynë është të dënojmë krimet kundër njerëzimit të periudhës komuniste. Kurse ata e personalizuan çështjen. Çfarë i shtyu ata të votojnë në një moment kritik për etikën dhe parimet e mëdha të etikës së gjygjtarit, përveç çështja e ”karriges” së tyre? Zotimi ynë para shqiptarëve, por edhe komunitetit ndërkombëtar, ka qenë se ky do të jetë një proces që do të bazohet në rregullat e shtetit ligjor, sepse vetëm në këtë mënyrë ky bëhet një proces i dobishëm dhe vetëm në këtë mënyrë ai realizon qëllimin e tij. Ndaj, duke denoncuar publikisht vendimin në konflikt të plotë interesi të Gjykatës Kushtetuese, sigurisht që ne jemi të detyruar që, për shkak të parimeve të shtetit ligjor, vendimin ta marrim parasysh. Unë e kuptoj që ky është një mesazh tmerrësisht i hidhur që marrin sot qindra e mijëra familje shqiptare që përjetuan kalvarin më të egër, inkuizicionin e luftës së klasave. Por, më lejoni të zotohem para tyre se këtë betejë do ta vazhdojmë pa ndërprerje, gjithnjë në përputhje me rregullat e shtetit ligjor. Unë e kuptoj që ky vendim është marrë nga ata të cilët ishin subjekt i ligjit, por mazhoranca qëndron e vendosur në këtë drejtim. Unë kam qenë i gatshëm të bashkëpunoj për të gjetur modalitetet që Gjykata të dalë jashtë konfliktit të interesit, sepse nuk duhet që, në rast se ke një problem, të krijosh edhe një problem tjetër. Ndaj unë rashë dakord me përfaqësuesit më të lartë të OSBE-së, që ne, me ekspertë të shqyrtonim modalitetet, në mënyrë që ligji le të gjykohet, pasi ne për këtë nuk kemi asnjë kundërshtim, por ai të gjykohet jashtë konfliktit të interesit. Ndaj, duke theksuar se vendimin ne do ta zbatojmë, sepse nuk mund të hedhim poshtë vendimin e Gjykatës Kushtetuese, pavarësisht se ai është absurd dhe pavarësisht se pas këtij vendimi është kryekëput Edi Rama, avokat kryesor i krimeve të shëmtuara të sistemit komunist, ne do të vazhdojmë në mënyrë të vendosur betejën në këtë drejtim. Unë e kuptoj që familjarët dhe të afëmit, vetë të përndjekurit, e kanë këtë vendim të sotëm të Gjykatës një mesazh shumë të hidhur prej saj, por duhet të kenë besim se kjo është një betejë në vazhdim dhe se kjo shumicë do ta çojë këtë çështje deri në fund. Por reformat, reformat dhe vetëm reformat janë rruga e zgjidhjes së këtyre problemeve. Demokracia nuk është një proces që ndërtohet në një ditë. Përkundrazi. Ndaj ne do ta ndjekim këtë çështje, pasi ata kanë shkelur në mënyrë flagrante edhe rezolutën e Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut të qershorit të vitit 2008, kanë shkelur ligjin e Gjykatës Kushtetuese dhe një sërë ligjesh të tjera. Edhe Edi Rama, i cili ka bërë ankesën pranë kësaj gjykate, ka vepruar në konflikt të plotë dhe flagrant interesi, sepse janë me dhjetëra e dhjetëra dosje, të cilat kanë firmën e njerëzve të tij më të afërt për ekzekutim. Edhe një pjesë e atyre që e gjykuan ligjin, janë në konflikt interesi, pra e gjithë kjo u bë një aferë e bazuar në konfliktin e interesit. Sërish neve na duhet të respektojmë shtetin ligjor. Sot nuk mund të konstituohet komisioni, sipas përcaktimeve ligjore, pasi qeveria duhet të zbatojë vendimin dhe vullneti i qeverisë shprehet edhe tek ju dhe te Parlamenti. Vendimet janë të domosdoshme që të zbatohen”, - përfundoi kryeministri Berisha.

Berisha flet për mitingun e 1990 dhe takimin me Ramën
Shefi i ekzekutivit, në mbledhjen e Grupit Parlamentar të PD-së është rrëfyer edhe për takimin e parë të tij me Edi Ramën në vitet e para të rrëzimit të sistemit diktatorial. Berisha ka treguar edhe për këshillat e Ramës pas fjalimit të 1990-ës në mitingun e organizuar për themelimin e PD-së. Kryeministri nënvizoi duke thënë: “Lufta kundër krimeve të njerëzimit të dikaturës komuniste është një proces i vështirë, ajo ka avoketërit e vet, të lidhur kokë e këmbë me të shkuarën, tek Edi Rama dhe Partia Socialiste, e cila edhe 18 vjet pas krijimit të saj dëshmoi se ka mbetur ajo që ka qenë, një parti e dosjeve, e krimeve dhe e urrejtjes klasore. Ky njeri do të vinte në vitin 90 në mitingun tonë, pas Bibliotekës së Universitetit dhe do të më thoshte se ky fjalimi yt nuk është gjë, është i butë, sepse ata duhen varur. E pashë drejt e në sy e i thashë: Kë duhet te varim? Ata, - më tha, - Komitetin Qendror dhe Byronë Politike. Unë iu përgjigja se nuk kam krijuar partinë e varjeve, por kam krijuar Partinë Demokratike. Absolutisht, ai ishte me idetë e Enverit për Bari Omarin. Por ai u transformua tashmë në një avokat të tmerrshëm të krimeve të familjes së tij, pinjoll i arkivave të dosjeve”, - përfundoi kreu i ekzekutivit.
Ky lajm është publikuar: 17/02/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›