E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kush nuk deklaron punëtorët, gjoba 100 mijë lekë


Pesëfishohet sanksioni. Çdo kompani duhet të deklarojë punonjësit 24 orë para se të nisin punën

TIRANË- Pesëfishohen gjobat për bizneset të cilat nuk deklarojnë pranë organeve tatimore punonjësit e tyre. Sipas ndryshimeve të miratuara në ligjin për procedurat tatimore gjatë mbledhjes së fundit të qeverisë, çdo biznes i vogël që zbulohet se nuk ka deklaruar të punësuarit të paktën 24 orë para fillimit të punës do të gjobitet me 50 mijë lekë për secilin rast. Për të njëjtën shkelje sipas qeverisë, çdo biznes i cili paguan TVSH dhe konsiderohet i madh paguan një gjobë me vlerë 100 mijë lekë.

Në të dyja rastet krahas pagesës së gjobës, punëdhënësi duhet të shlyejë të gjithë shumën e kontributeve të papaguara. "Nëse nga verifikimi dhe kontrolli në vendndodhjen e biznesit, rezulton se tatimpaguesi nuk ka deklaruar në organin tatimor çdo të punësuar rishtazi, të paktën 24 orë përpara fillimit të punës, përveç detyrimit për pagimin e shumës së kontributeve të papaguara, detyrohet të paguajë edhe një gjobë prej 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekësh, kur është subjekt i biznesit të vogël, dhe 100 000 (njëqind mijë) lekë, për biznesin e madh me TVSH, për çdo rast mosdeklarimi", - citohet në ligj.

Krahas regjistrimit të punonjësve të bizneseve drafti i ri parashikon përfshirjen në skemën e kontributeve shoqërore edhe të personave që janë të vetëpunësuar në veprimtari tregtare shërbimi apo edhe ambulante. Ashtu siç ishte deklaruar edhe më parë nga kryeministri Berisha, në skemën e kontributeve shoqërore do të përfshihen edhe personat që punësohen si punëtor shtëpie. Punëdhënësi që në rastin konkret është pronari i shtëpisë duhet të bëjë deklarimin në organet tatimore dhe të derdhë të gjitha kontributet në emër të të punësuarit.

Ndryshime të miratuara nga qeveria në ligjin "Për Procedurat Tatimore në Republikën e Shqipërisë"



"Neni 119
Mosdeklarimi i të punësuarve
Nëse nga verifikimi dhe kontrolli në vendndodhjen e biznesit, rezulton se tatimpaguesi nuk ka deklaruar në organin tatimor çdo të punësuar rishtazi, të paktën 24 orë përpara fillimit të punës, përveç detyrimit për pagimin e shumës së kontributeve të papaguara, detyrohet të paguajë edhe një gjobë prej 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekësh, kur është subjekt i biznesit të vogël, dhe 100 000 (njëqind mijë) lekë, për biznesin e madh me TVSH, për çdo rast mosdeklarimi.".
Neni 10
Neni 122 ndryshohet, si me poshtë vijon:
"Neni 122
Kundërvajtjet administrative në përdorimin e pajisjeve fiskale, për lëshimin e kuponave fiskalë e të biletave
1. Tatimpaguesi, person, juridik ose fizik, tregtar, dënohet në rast se:
a) nuk instalon pajisjen fiskale për regjistrimin e pagesave me para në dorë:
i. herën e parë të konstatimit të mosinstalimit të pajisjes fiskale, për të cilën është përcaktuar një afat vendosjeje deri në 10 ditë pune, me gjobë, në masën 100 000 (njëqind mijë) lekë;
ii. herën e dytë,të konstatimit të mosinstalimit të pajisjes fiskale, pas mosrespektimit të afatit të parë10-ditor, e kur për këtë pajisje është përcaktuar një afat vendosjeje tjetër deri në 10 ditë, pas vendosjes së gjobës së parë, sipas shkronjës "i", me gjobë, në masën 500 000(pesëqind nijë) lekë;
iii.pas kësaj periudhe, sipas shkronjës"ii", me pezullim të veprimtarisë deri në 6 muaj;
iv. në rastet e mosvendosjes së pajisjes fiskale, me mbyllje të plotë të veprimtarisë.
b) nuk lëshon kupon tatimor për qarkullimin e realizuar të mallrave apo të shërbimeve, për çdo rast:
i. për herën e parë, me gjobë, në masën 100 000 (njëqind mijë) lekë;
ii. për herën e dytë, me gjobë, në masën 500 000 (pesëqind mijë) lekë;
iii. për herën e tretë, me mbyllje të veprimtarisë për 6 muaj;
c) lëshon një biletë, që nuk përmban elementet e përcaktuara në këtë ligj për kuponin tatimor, me gjobë, në masën 30 000 (tridhjetë mijë) lekë;
ç) lëshon kupon tatimor, ku ka shënuar një vlerë të ndryshme nga vlera e çmimit të afishuar, me gjobë, në masën 30 000 (tridhjetë mijë) lekë;
d) nuk afishon në një vend të dukshëm një poster, që tregon detyrimin e blerësit të mallrave apo të përfituesit të shërbimit, për të kërkuar kupon tatimor, me gjobë, në masën 20 000 (njëzet mijë) lekë;
dh) nuk mban kontrollin e gjurmës së kuponit tatimor në mjedisin e ofrimit të mallrave apo të shërbimeve, me gjobë, në masën 30 000 (tridhjetë mijë)lekë;
e) nuk bën faturë për qarkullimin e realizuar të mallrave apo të shërbimeve të ofruara, me dënim sipas përcaktimeve të nenit 124, të këtij ligji;
ë) nuk mban libër llogarie për qarkullimin e kryer të mallrave, me dënim sipas përcaktimeve të nenit 118, të këtij ligji;
f) nuk merr me qira apo nuk regjistron pajisje fiskale rezervë, në rastet kur ky ligj e parashikon si detyrim, me gjobë, në masën 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë;
g) nuk mban dhe mirëmban në kushte pune pajisjet fiskale, me gjobë, në masën 80 000 (tetëdhjetë mijë)lekë:
gj) nuk njofton menjëherë për defektin e ndodhur në pajisjen fiskale dhe nuk plotëson në rregull librezën fiskale të defekteve, me gjobë, në masën 50 000 (pesëdhjetë mijë)lekë.
2. Konstatimi, shqyrtimi dhe dënimi i shkeljeve të parashikuara në këtë nen bëhen nga organet tatimore të juridiksionit, ku tatimpaguesi ushtron veprimtarinë ose kryen shkeljet.
3. Moslëshimi i biletave të shërbimit me vlerë të parashtypur, të përdorura në sektorë të ndryshëm si, transport, turizëm, art, kulturë, etj dënohet me gjobë, në masën 10 000 (dhjetë mijë) lekë për çdo biletë.".
Neni 11
Në nenin 123 bëhen ndryshimi dhe shtesa, si më poshtë vijon:
1. Titulli i nenit ndryshohet dhe zëvendësohet me "Dënimet për shoqëritë e autorizuara dhe të paautorizuara".
2. Pas pikës 1 shtohet pika 2, me këtë përmbajtje:
"2. Subjektet tatimpaguese, të cilat tregtojnë apo mirëmbajnë pajisje fiskale te subjektet e tjera tatimpaguese, pa qenë të licencuara nga ministri i Financave, dënohen me gjobë, në masën 1 000 000 (një milion) lekë, ndërsa shoqëritë, që blejnë dhe përdorin pajisje të tilla fiskale, dënohen me gjobë, në masën 100 000 (njëqind mijë) lekë dhe sekuestrim të pajisjes fiskale.".
Neni 12
Pas pikës 2, të nenit 127, shtohet pika 3, me këtë përmbajtje.
"3. Në rast se organet tatimore kanë të dhëna të besueshme se tatimpaguesi fsheh informacione për gjendjen e tij ekonomike-financiare, organet tatimore kanë të drejtë t'ia sekuestrojnë dokumentacionin, pajisjet, kompjuterike dhe fiskale, dhe mjete të tjera të mbajtjes së dokumentacionit të tatimpaguesit në mjediset e ushtrimit të veprimtarisë së tij.".


 

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›