E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shqipëria pas ’99-s humbi stabilitetin financiar



Qeveritë e vendeve të varfra, ku bën pjesë edhe Shqipëria, janë përballur vazhdimisht me këmbënguljen e Fondit Monetar Ndërkombëtar për të pasur stabilitet çmimesh dhe inflacion të ulët, megjithëse shumë ekspertë të mirënjohur ndërkombëtarë nuk kanë besuar se kjo gjë mund të sillte përfitime. Në shumë vende, përfshirë edhe Shqipërinë, inflacioni i ulët u ruajt si objektiv duke përdorur mjete monetare, gjë që nënkupton ofertë të ulët monetare, si dhe forcim të monedhës vendëse përballë monedhave ndërkombëtare. Kjo metodë ka garantuar çmime të ulëta në shumë vende gjatë dhjetë viteve të fundit. Në Shqipëri, stabiliteti financiar u arrit në vitin 1999 dhe që nga ajo kohë, u ruajt përmes emisionit të ulët monetar dhe forcimit të lekut kundrejt dollarit dhe euros. Por kjo metodë, sido që shumë efikase në ruajtjen e inflacionit, zvogëlon rolin e shtetit në ekonomi, e për pasojë, në rast krize nga krahu i ofertës, si kjo e sotmja, qeveritë nuk kanë shumë hapësirë për të lëvizur. Por kur një vend nuk emeton para me qëllim që të forcojë monedhën e vet në vend që ta dobësojë atë, ka më pak para për të injektuar në ekonomi, ndërsa importet e vendit shtohen për shkak se bëhen më të lira. Disa vende kanë rritur pagat dhe kanë ulur taksat, por këto dy mekanizma duket se nuk mund të përdoren në Shqipëri. Në përgjithësi, Shqipëria duket se është prekur më pak se shumë vende të botës nga rritja e çmimeve të ushqimeve, kryesisht për shkak afërsisë me botën e zhvilluar dhe faktit që është popullatë e vogël.

12 Prill 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›