Berisha tërhiqet nga ndryshimi kushtetues për Presidentin
Kryeministri Sali Berisha ka zhvilluar dje një takim me deputetët e Partisë Demokratike të Komisionit të Ligjeve, ku ka diskutuar mbi ndryshimet kushtetuese që Grupi Parlamentar i PD-së ka propozuar në Kuvend. Lideri i maxhorancës u ka kërkuar deputetëve të vet që të hiqet nga propozimet për ndryshim të Kushtetutës propozimi për nenin 93, që përcaktonte se dekretet e presidentit duhej të firmoseshin nga kryeministri ose ministri përkatës i fushës. Kjo pikë e debatuar dhe e kundërshtuar nga disa deputetë të PD-së është pranuar nga kryeministri që të hiqet nga propozimet e PD-së. Propozimi për ndryshimin e nenit 93 shkaktoi debate, të cilat interpretuan se propozimi i PD-së për këtë nen është një regres i kryeministrit për të marrë më shumë kompetenca. Kryeministri, gjatë takimit me deputetët e PD-së, e kritikoi këtë propozim, e cilësoi si të pakonsultuar si dhe u kërkoi deputetëve të PD-së që herët e tjera të konsultohen paraprakisht për çdo propozim. Ndryshimet kushtetuese të PD-së janë komentuar edhe nga presidenti Bamir Topi, i cili kërkoi që përpara se të votohen amendamente, duhet të ketë një konsultë të gjerë në mënyrë që të mos provokohen situata të pakëndshme. Gjatë takimit të djeshëm me deputetët e PD-së, kryeministri Berisha ka rënë dakord me propozimet e tjera. Njëkohësisht ai ka rënë dakord edhe me propozimin për ndryshimin e mocioneve në Kuvend ndaj kryeministrit. Ndonëse propozimi parashikon që në rast se mocioni miratohet nga Kuvendi, duhet të shpërndahet Parlamenti dhe të zhvillohen zgjedhje të reja, kryeministri Berisha e cilësoi si të pranueshëm dhe të përshtatshëm për sistemin shqiptar. Njëkohësisht kryeministri Berisha vendosi që ditën e sotme të ketë një mbledhje urgjente të Grupit Parlamentar të PD-së.
12 Prill 2008