Topalli pret kuvajtianët bamirës të Gërdecit
Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, priti ditën e djeshme delegacionin e lartë të shtetit të Kuvajtit, të kryesuar nga këshilltari i kryeministrit të shtetit të Kuvajtit, Ismail al Shati dhe kryetar i Gjysmëhënës së Kuqe të Kuvajtit, Burges al Byrges. Në fillim të takimit Topalli falënderoi zyrtarët kuvajtianë për mikpritjen e veçantë që autoritetet e Kuvajtit i rezervuan delegacionit të Kuvendit të Shqipërisë gjatë vizitës në këtë shtet. “Vizita në Kuvajt ka qenë një ndër më të veçantat dhe me mikpritje të paharrueshme“, - tha Topalli. Gjatë takimit, këshilltari i shtetit të Kuvajtit, Ismail al Shati, shprehu ngushëllimet dhe keqardhjen e thellë për tragjedinë e Gërdecit, në emër të Emirit dhe popullit të Kuvajtit. “Ndihma financiare për këtë qëllim është në mbështetje të popullit shqiptar dhe ndjenjave miqësore e bashkëpunimit që ekzistojnë mes dy vendeve”, - tha këshilltari i kryeministrit të shtetit të Kuvajtit, Ismail al Shati. Shteti i Kuvajtit dhuroi 4 milionë dollarë ndihmë për qytetarët e Gërdecit.
12 Prill 2008