E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS-LSI, polemika për shkarkimin e kreut të Këshillit Bashkiak të Fierit



Polemikat midis këshilltarëve të LSI-së dhe këshilltarëve të PS-së për shkarkimin e kreut të Këshillit Bashkiak të Fierit, Myzaljen Hoxha, përfaqësues i PS-së, janë zhvendosur dje në selitë qendrore të dy partive kryesore të së majtës. Blendi Klosi, sekretari Organizativ i Partisë Socialiste, e cilësoi të padenjë votën e këshilltarëve të LSI-së për shkarkimin e përfaqësuesit të PS-së nga drejtimi i Këshillit Bashkiak. “Shprehim keqardhje dhe shqetësim që dje këshilltarët e Lëvizjes Socialiste për Integrim, grisën kontratën me qytetarët e Fierit, që kanë votuar për t’u qeverisur nga e majta. Këta këshilltarë bashkuan votat me PD-në jo për interesat e vendit, jo për interesat e Fierit dhe as për ndonjë arsye tjetër parimore, por vetëm për karrigen e drejtorit të Ujësjellësit”, - u shpreh Klosi. I menjëhershëm ka qenë reagimi i drejtuesve të LSI-së. Nënkryetari i LSI-së, Dritan Prifti, tha: “Kryetari i shkarkuar ka shkelur në mënyrë të përsëritur ligjin për pushtetin vendor. Ky kryetar në mënyrë të vazhdueshme dhe publike ka fyer dhe ofenduar LSI dhe këshilltarët e saj në këshillin bashkiak. Për të gjitha këto aresye, LSI mbështeti shkarkimin e tij. Askush nuk do të bëj karrierë politike me votat e LSI, në Tiranë apo Fier, nëse fyen, ofendon, mashtron apo manipulon pandershmërisht në kurriz të LSI-së”, - deklaroi nënkryetari i LSI-së, Dritan Prifti.

12 Prill 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›