E Diel, 1 Nëntor 2026

Topi paralajmëron deputetët: ”Kujdes me Kushtetutën!”



Presidenti i Republikës, Bamir Topi, gjatë një interviste të dhënë dje për Zërin e Amerikës u shpreh se duhet pasur kujdes me ndryshimet që duan t’i bëjnë Kushtetutës. Presidenti ka paralajmëruar deputetët që të jenë të përgjegjshëm dhe të sillen si burra shteti me ide perspektive. Sipas presidentit, duhet parë më mirë përvoja politike në mënyrë që veprimet të jenë të matura. “Të tilla ne kemi pasur rastin t’i shohim në eksperiencën tonë politike. Por bëhet e bazuar, bëhet mbi bazën e një konsultimi. Kjo e ndan politikanin nga një njeri i paangazhuar, kjo e ndan politikanin nga një profesionist i një fushe të caktuar, kjo e ndan burrin e shtetit apo gruan e shtetit me një njeri të zakonshëm, sepse ka nevojë që gjërat, pasi të konsultohen, të hidhet një dritë perspektive, në vite më tej. Të jesh burrë shteti, të jesh politikan, duhet bësh një politikë vizionare. Ne kemi pasur raste, këto nuk janë nocione teorike, në historinë e njerëzimit, të politikës, të njerëzve që kanë drejtuar shtetin, edhe me eksperiencat shqiptare e dimë që janë dhënë mendime, janë të konsoliduara, të pjekura për perspektivën, dhe vlerësoj që politika, meqenëse jemi në këtë çështje, ku Kushtetuta është e nevojshme të preket, duhet të preket pasi të jetë konsultuar mirë”, - tha Topi. Presidenti ka folur edhe mbi ecurinë e reformës së Drejtësi. “Unë them që modeli më i mirë është modeli që kemi sot, pra një Prokurori që presupozon një institucion të pavarur, ku dy janë bazat që e bëjnë të suksesshëm institucionin e Prokurorisë. Së pari është integriteti moral i kryeprokurorit dhe i të gjithë trupës së prokurorëve dhe së dyti është profesionalizmi. Tek e para kemi të bëjmë me cilësitë jo vetëm të karakterit të prokurorëve, por edhe të forcës së karakterit për të mos qenë, ose për të mos pranuar influenca qoftë edhe të karakterit politik, apo të stimulimeve klienteliste”, - u shpreh presidenti. Kreu i shtetit foli edhe mbi përgjegjësinë e ngjarjes së Gërdecit dhe mbetet optimist për një zbardhje të kësaj ngjarjeje. Gjithmonë kemi stimuluar dhe vazhdojmë të stimulojmë punën e Prokurorisë, e cila nga ana e saj ka në profesionin dhe në artin e hetimit disa gjëra të pashmangshme, pra është hetimi dhe bashkëpunimi fatmirësisht edhe me ekspertë ndërkombëtarë që kanë ardhur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe besoj se po krijohet e gjithë baza e të dhënave që do të bëjë të mundur që hetimi të jetë shumë profesional”, - tha Topi. Presidenti është shprehur njëkohësisht se do të angazhohet në maksimum për një zgjidhje të shpejtë të çështjes e pronës. “Fakti që flitet çdo ditë për pronën dhe fakti që çdo ditë qytetari e ngre zërin më lart për çështjen e pronave, në një vend që nuk ka shumë hapësira, ka hapësira të pakta dhe këto hapësira duhet të jenë jashtëzakonisht të kontrolluara, të menaxhuara për t’i vënë në shërbim të atyre që kompensohen. Mund t’ju them që ky është një element që kërkon patjetër një vëmendje. Do të jem natyrisht shumë i angazhuar në ditët që vijnë për ta rikapur edhe një herë këtë temë”, - tha Topi për Zërin e Amerikës.

12 Prill 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›