E Diel, 1 Nëntor 2026

Moisiu: ”Gërdeci, një korrupsion shtetëror i padëgjuar më parë”

Ish-Presidenti i vendit, Alfred Moisiu, kritikon ashpër klasën politike. Ndryshimet në Kushtetutë. Moisiu: ”Po shfaqen tendenca të rrezikshme”

Erald Kapri

Ish-kreu i shtetit për 5 vite, Alfred Moisiu, ka komentuar për të parën herë ngjarjen e rëndë të ndodhur në fshatin Gërdec. Sipas ish-presidentit Moisiu, Gërdeci tregoi për një korrupsion shtetëror të padëgjuar më parë nga shqiptarët. Deklarata e Alfred Moisiut ka ardhur gjatë një forumi politik të organizuar nga Partia Demokristiane mbi alternativën kristiandemokrate në Shqipëri. Gjatë fjalës së tij Moisiu kritikoi klasën politike për sjelljen e saj dhe përgjegjësitë. “Strukturat tona shtetërore vazhdojnë të tregojnë mefshtësi dhe vazhdojnë me merren me rreshterët dhe jo me gjeneralët e korrupsionit. Shembulli i fundit i Gërdecit, gjithnjë e më shumë po tregon se politika më shumë pengon, sesa ndikon në nxjerrjen e përgjegjësive direkte për këtë korrupsion të padëgjuar shtetëror”, - tha Moisiu. Ish-presidenti u shpreh se Gërdeci ishte një krim shtetëror i bërë në përputhje me ligjet, por nga ana tjetër nuk mbahet përgjegjësi dhe kjo ngjarje lë vend për dyshime të thella. “E gjitha ajo që ndodhte në atë fabrikë ishte e përputhur me vendime dhe ligje dhe pastaj thuhet se nuk dinë asgjë. Këtu ka vend për dyshim”, - tha ish-presidenti.
Deklarata
Moisiu ka folur edhe për ngjarjet e tjera të ditës në politikën shqiptare. Ish-presidenti mbetet kundër ndryshimeve kushtetuese që ka paraqitur Partia Demokratike në Kuvend. Sipas Moisiut, fajin nuk e ka Kushtetuta, por klasa politike, e cila është kthyer në një pengesë për zhvillimin e vendit. Moisiu tha se vendin po e pengon një tendencë e rrezikshme e politikës shqiptare. “Nga përvoja ime 5-vjeçare dua të them se pavarësisht nga mangësitë që mund të ketë, fajin nuk e ka pasur dhe as e ka Kushtetuta dhe as ligjet. Por konceptimi i klasës aktuale politike, me rëndësinë që ka zbatimi i tyre, duhet kuptuar se ne po na pengon një tendencë e rrezikshme”, - tha Moisiu. Ish-presidenti ka komentuar edhe ngjarjet ekonomike në vend. Ai tha se ka shumë çështje që janë zvarritur, por që duhet të zgjidhen sa më shpejt, ndryshe vendi do të përballet me kolaps. Sipas tij, ka shumë shtresa shoqërore që meritojnë vëmendjen e qeverisë. “Reformat ekonomike për t’u larguar njëherë e mirë nga varfëria dhe papunësia mbytëse, dosjet e pambyllura të pronave, legalizimeve, të privatizimeve të mëdha duke zbatuar parimet e ndershmërisë dhe që janë bërë pengesë për zhvillimin e vendit tonë. Kompensimin e ish-të përndjekurve politikë, apo trajtimin ligjor të ish-ushtarakëve dhe minatorëve, të cilët kanë vite që sorollaten”, - tha Moisiu.
Forumi
Gjatë forumit të organizuar nga demokristianët, presidenti ka folur edhe për realitetin e ri gjeopolitik shqiptar mbas marrjes së ftesës për në NATO. Ish-presidenti e ka parë këtë ftesë si një mundësi që klasa politike të reflektojë dhe të ndryshojë forma e të bërit politikë për t’i shërbyer më shumë zhvillimit ekonomik dhe të demokracisë shqiptare. “Është koha që klasa politike, partitë më të mëdha politike në Kuvend të bashkëpunojnë dhe prodhojnë produkte të përbashkëta konsensuale dhe afatgjata, që zgjidhin problemet e vjetra dhe nuk na krijojnë probleme të reja. Kjo është një arritje me vlera vërtet të jashtëzakonshme, por që kërkon të trajtohet si e tillë dhe në ditët që vijnë, pas marrjes së kësaj ftese, pra në jetën e përditshme politike dhe institucionale. Vendet edhe shtetet mike në NATO, si SHBA-të, Gjermania, Britania, po ashtu Italia dhe Franca, na mbështetën duke besuar se ne do të nxjerrim mësimet e duhura dhe ftesën e anëtarësimit do ta lexojmë ashtu sikurse duhet, si një moment reflektimi dhe ndryshimi të formave dhe mjeteve të të bërit politikë dhe zhvillim të demokracisë”, - tha ish-presidenti.

12 Prill 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›