E Diel, 1 Nëntor 2026

Forumi politik i PDK-së: ”Koha për një alternativë demokristiane në Shqipëri”



Partia Demokristiane ka organizuar dje një forum të gjerë politik me titull “Alternativa kristiandemokrate në Europë - alternativa demokristiane në Shqipëri”. Në këtë forum politik referuan disa personalitete të larta të vendit, si ish-presidenti Moisiu, ish-kryeministri Meksi, studiues të shumtë si dhe një delegacion gjerman nga Partia Kristiandemokrate gjermane. Kryetari i PDK-së, Ndoka, u shpreh se Shqipëria ndodhet në një realitet të ri politik, çka nënkupton se duhet një alternativë e re politike dhe ajo mund të gjendet tek alternativa kristiandemokrate. “Shqipëria ndodhet në një stad të ri, ku reformat e rëndësishme kërkojnë bashkëpunim, dialog, kompromis dhe mbi të gjitha vullnet politik për të marrë vendime që nuk kanë të bëjnë me interesat e ditës, por me të ardhmen tonë, me synimin e integrimit të plotë politik në familjen europiane”, - tha Ndoka. Ndërkohë, gjatë paradites, kryetari i PDK-së shoqëroi delegacionin e Partisë Kristiandemokrate në një takim me presidentin Bamir Topi. Presidenti Topi, pasi uroi mirëseardhjen dhe vlerësoi marrëdhëniet shumë të mira e të konsoliduara mes dy vendeve tona, theksoi se vizita të tilla janë tepër të rëndësishme për zhvillimin e mëtejshëm të tyre dhe forcimin e zgjerimin e komunikimit.

12 Prill 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›