E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha, thirrje opozitës për miratimin e buxhetit



Kryeministri Berisha kërkon mbështetjen e opozitës për kalimin e buxhetit shtesë për gjysmën e dytë të vitit. Duke radhitur disa nga zërat ku do të fokusohen 20 miliardë lekët e buxhetit shtesë, Berisha cilësoi në mbledhjen e djeshme të grupit parlamentar të PD-së, si më të rëndësishme faktin që tashmë 800 mijë buxhetorë shqiptarë do të kenë më tepër para në xhepat e tyre. Në kushte të tilla Kryeministri Berisha i bëri thirrje opozitës të miratojë në seancë parlamentare. Sipas Berishës, buxheti shtesë në vlerën e 280 milionë dollarëve kompenson deri në 5 herë indeksimin e çmimeve dhe se përfundon në portofolin e 800 mijë familjeve shqiptare, punonjës buxhetorë dhe pensionistë. “Nga ky buxhet përfundon në portofolin e 800 mijë familjeve shqiptare punonjës buxhetorë dhe pensionistë dhe rritja e premtuar”, - tha Kryeministri Berisha. Ai e vlerësoi buxhetin si mjaft të suksesshëm dhe është rezultat i luftës me efikasitet të korrupsionit, i cili qëndron në bazën e tri fenomeneve kryesore: kontrabandës, evazionit, informalitetit. Kryeministri theksoi se buxheti shtesë, i cili përbën një rast unik në historinë e qeverisjeve në kontinentin evropian, është tërësisht rezultat i luftës me efikasitet të lartë kundër korrupsionit, i cili qëndron në bazën e tri fenomeneve kryesore: kontrabandës, evazionit fiskal dhe informalitetit. “Lufta ndaj këtyre tri fenomeneve, të cilat gllabëronin më parë sipas raporteve serioze të Bankës Botërore, 1.4 miliardë dollarë para të taksapaguesve shqiptarë, bëri të mundur buxhetin suplementar, buxhet që në një vlerë kumulative është mbi 1 miliard euro, kurse i këtij viti kap vlerën 280 milionë dollarë”, - tha Kryeministri. “Buxheti, - vijoi më tej Kryeministri Berisha, - përbën një mbështetje të fuqishme të strategjisë së qeverisë për shërbimet dhe shërbesat. Nga ky buxhet përfundon në portofolat dhe në xhepat e 800 mijë familjeve shqiptare punonjës buxhetorë dhe pensionistë rritja më e madhe e pagave dhe pensioneve që ka ndodhur ndonjëherë”, - theksoi z.Berisha. Ai vuri në dukje se buxheti shtesë u bë i mundur për shkak të tejkalimit të ndjeshëm që administrata qendrore fiskale i ka bërë planit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›