PS-ja refuzon negociatat me LSI-në
Dështon takimi i paralajmëruar mes dy partive
LSI-ja kërkonte diskutim për reformën zgjedhore
Lëvizja Socialiste për Integrim kërkon tryezë me Partinë Socialiste për reformën zgjedhore, por kjo e fundit refuzon të përgjigjet. Mundësia për një afrim të mundshëm mes dy partive nis me dështimin e një takimi mes krerëve të grupeve parlamentare, kjo për shkak të refuzimit nga ana e PS-së. Edhe pse takimi ishte lënë dje paradite në orën 11:00, pak para nisjes së tij, e mandatuara e PS-së, Valentina Leskaj, lajmëroi mospjesëmarrjen për shkak të mungesës së sekretarit për çështjet ligjore në PS, Fatmir Xhafa, i cili ndodhet jashtë shtetit. Megjithatë, pala tjetër duket se e ka konsideruar këtë një justifikim të socialistëve sepse realisht nuk kanë vullnetin për t’u bashkërenduar me aleatin e tyre më të ngushtë. Burime nga LSI-ja konfirmuan dje për “standard” se rreth orës 11:00 të paradites së djeshme PS-ja njoftoi se nuk do të zhvillohej takimi sepse një prej aktorëve të këtij takimi, Fatmir Xhafa, nuk është në Shqipëri. Sipas këtyre burimeve, realisht Partia Socialiste nuk ka dëshirë të bëjë takime me Lëvizjen Socialiste për Integrim e për këtë më shumë këmbëngul grupi mbështetës i kryetarit të PS-së, Edi Rama, i cili këtë herë ua ka marrë për bazë mendimin e tyre. Burimet nga LSI-ja theksuan se një tjetër shkak i këtij qëndrimi është se kërkesa për t’u ulur në tryezë e për të diskutuar për reformën zgjedhore, i ka kapur papritur duke mos ditur si të reagojnë. Nga ana tjetër, pavarësisht këmbënguljes së medias, kryetarja e grupit kuvendor socialist nuk pranoi të japë asnjë koment për këtë zhvillim të ri mes palëve. Pritet që sot mund të realizohet një takim tjetër, por LSI-ja në këtë rast është skeptike, pasi sipas saj, nuk ka asnjë lloj zbutjeje të marrëdhënieve. Sipas burimeve, numri i komisionerëve në qendrat e votimit, pragu elektoral apo listat e hapura janë disa prej pikave ku do të fokusohej takimi PS-LSI. Takimi u konfirmua edhe nga kryetari i LSI-së, Ilir Meta, i cili tha se Xhufi është i mandatari i kryesisë së kësaj partie për t’u takuar me përfaqësuesit e PS-së. “Nuk kam ndonjë informacion më konkret për këtë takim. Kryesia e lëvizjes Socialiste për Integrim ka ngarkuar kryetarin e grupit parlamentar dhe zëvendëskryetarin e LSI-së, zotin Xhufi, që të zhvillojë takime me kryetaren e grupit parlamentar të Partisë Socialiste, zonjën Leskaj, por edhe me përfaqësues të tjerë të forcave politike në Kuvend, lidhur me çështjet më të rëndësishme të reformës zgjedhore dhe Kodit të ri Elektoral për të bërë të qarta qëndrimet tona, lidhur me të gjitha çështjet që duhet të prekë Kodi Elektoral”, - tha ai. Tentativat për bashkërendim që nuk janë në nivelin e krerëve të partive, duket se nuk janë efektive. Nëse PS-ja do të vazhdojë të refuzojë bashkëpunimin me LSI-në, atëherë marrëdhëniet mes tyre mund të acarohen më tej, aq sa të fshihet çdo lloj mundësie bashkëpunimi për zgjedhjet e 2009-ës. Nga ana tjetër LSI-ja duket se ia ka lënë topin në fushë PS-së, në rast se nuk do të kenë rezultat kërkesat për takime, ajo mund të përdorë politikisht që është PS-ja ajo që nuk pranon bashkimin e së majtës. Prej më se 6 muajsh dy partitë janë përfshirë në debate të ashpra. LSI-ja akuzon PS-në për marrëveshje të fshehtë me PD-në për reformën zgjedhorë në kurriz të aleatëve të saj, qëndrim që u përsërit edhe dje nga kreu i LSI-së Ilir Meta. “Unë jam dyshues se në pikat më esenciale ka një marrëveshje që nuk është bërë publike, për sa i takon Kodit, që synon një administrim të njëanshëm të procesit zgjedhor nga PD-PS, që do të cenonte të gjithë integritetin e procesit zgjedhor”, - tha Meta.