E Shtunë, 31 Tetor 2026

Madhi: Reforma zgjedhore shtyhet për në shtator



Kryetari grupit parlamentar të PR-së, Arian Madhi, anëtar i Komisionit për Reformën Zgjedhore, deklaroi ditën e djeshme se Kodi Zgjedhor nuk mund të miratohet brenda këtij sesioni parlamentar. Sipas tij, koha nuk është e mjaftueshme, kur në datën 31 korrik merr fund edhe puna e Kuvendit, duke ditur edhe rëndësinë e reformës, që të miratohet brenda këtij muaji. “Kodi Zgjedhor nuk mund të realizohet brenda këtij sesioni parlamentar që përfundon në 31 korrik dhe nuk ka asnjë arsye që të kërkohet domosdoshmërisht që ai të miratohet brenda 31 korrikut”, - tha Madhi. Deputeti i PR-së tha më tej se ka shumë çështje të tjera për t’u diskutuar nga aktorët politikë në mënyrë që çështjet dhe pikëpyetjet të zgjidhen në mënyrën më të mirë të mundshme. “Kemi zhvilluar dy takime, të cilat kanë qenë produktive pasi kanë kaluar rreth 40 dispozita të Kodit Zgjedhor. Nga pikëpamja ligjore është përcaktuar si një çështje e mbyllur, por nga ana tjetër kemi vendosur se do të kontaktojmë Drejtorinë e Përgjithshme të Gjendjes Civile, prej së cilës do të marrim dhe një informacion të detajuar në këtë drejtim. Mendoj se çështjet që janë më të ndjeshme dhe kërkojnë debat më të gjerë në komision janë çështjet e shpërndarjes se mandateve dhe çështjet e formatimit të komisioneve zgjedhore”, - tha më tej Madhi.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›