E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dekretet e Presidentit pritet të shqyrtohen brenda korrikut



Dekretet e Presidentit Bamir Topi për gjashtë anëtarë të Gjykatës së Lartë, priten që të shqyrtohen brenda muajit korrik. Brenda pak ditësh Kuvendi do të marrë edhe vendimin e tij në rast se kandidatët do të miratohen ose jo. Kryetari i Komisionit të Ligjeve, Fatos Beja, u shpreh ditën e djeshme se 6 dekretet e Presidentit të Republikës për anëtarë të Gjykatës së Lartë do shqyrtohen gjatë kësaj jave. “Sot, sipas afatit, presim nga institucionet të dhënat për veprimtarinë e kandidatëve të dekretuar nga Presidenti dhe mbi bazën e tyre ne do të fillojmë shqyrtimin. Çdo kandidat i dekretuar nga Presidenti duhet të plotësojë kushtet ligjore dhe më pas të votohet nga Kuvendi. Është e qartë që emri i dekretuar duhet të marrë votën e Kuvendit, pasi ndryshe mbetet kandidat”, - tha Beja për mediat. Komisioni i Ligjeve do të kryejë një seancë ku do të verifikojë kriteret ligjore që ka ndjekur Presidenti Topi për dekretet si dhe do të bëjë një mbledhë ku do të dëgjohen dhe pyeten të gjashtë kandidatët. Dekretet e Presidenti Topi për gjashtë gjyqtarë në Gjykatën e Lartë, do të shqyrtohen me Rregulloren e Re të Kuvendit, e cila u votua në mënyrë konsensuale mes mazhorancës dhe opozitës. Kjo rregullore e re përcaktoi që me paraqitjen e kandidaturave, kryetari i Kuvendit ia kalon ato menjëherë komisionit përkatës, i cili brenda 30 ditëve nga marrja e kërkesës i shqyrton ato dhe harton raportin përkatës. Komisioni i Ligjeve, brenda afateve të përcaktuara në këtë nen dhe pasi ka marrë miratimin me shkrim të personit të propozuar, shqyrton si përmbushjen e kushteve formale, kushtetuese e ligjore, ashtu edhe meritën e çdo kandidature, duke u bazuar në kritere të matshme dhe objektive. Në rast se komisioni përkatës vëren se ndonjëra nga kandidaturat ka probleme me kriteret ligjore, atëherë Kryetarja e Kuvendit ka të drejtën që në emër të Kuvendit të bisedojë me kreun e institucionit propozues, para se të kalojë në seancë plenare. Gjashtë emrat e rinj janë Aleksandër Muskaj, ish-anëtar i KLD-së, aktualisht gjyqtar pranë Gjykatës së Apelit Tiranë, Arjana Fullani, gjyqtare për njëmbëdhjetë vjet, aktualisht drejtore e Shkollës së Magjistraturës prej tetë vjetësh, Andi Çeliku, gjyqtar në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë për 6 vjet, aktualisht avokat prej dhjetë vjetësh, Evelina Qirjako, avokate prej nëntëmbëdhjetë vjetësh, Guxim Zenelaj, gjyqtar për katër vjet, ndihmës ligjor në Gjykatën e Lartë për trembëdhjetë vjet, ish-avokat i Përgjithshëm i Shtetit, aktualisht anëtar i KLD-së, si dhe Majlinda Andrea, gjyqtare prej gjashtëmbëdhjetë vjetësh në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Durrës.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›