E Shtunë, 31 Tetor 2026

Koçi: Do luftojmë me çdo mjet demokratik kundër 26 majit konsensual

Pjesë e aksionit politik të LSI-së për të mos miratuar një kod zgjedhor, i cili cenon votën e lirë të shqiptarëve, do të jetë edhe PS-91. Kryetari i kësaj force politike, Petro Koçi, është shprehur se "situata politike në vend po rëndohet për shkak të marrëdhënieve të korruptuara në konflikt interesi midis Kryeministrit dhe kryetarit të Bashkisë së Tiranës". Sipas tij, këto marrëdhënie të motivuara nga interesa të industrisë së shesheve të ndërtimit po kapin Kushtetutën dhe zgjedhjet politike. "Teatri politik i luajtur mes Berishës dhe Ramës po shfaqet me gjoja lufte pa kompromis për çështje të tipit Fazliç dhe me kompromise ‘historike‘ për çështje të rëndësisë strategjike si procesi zgjedhor", është shprehur Koçi. Për kryetarin e PS-91, "Rama dhe grupi i tij po plotësojnë kushtin e Berishës për t‘i ruajtur pushtetin qendror nëpërmjet sistemit proporcional rajonal dhe kontrollit të administratës zgjedhore, duke i kërkuar këtij vetëm bashkëpunimin për të eliminuar çdo të majtë ndryshe nga Rama nëpërmjet manipulimit të përbashkët të zgjedhjeve". Për Koçin, marrëveshja zgjedhore e Ramës me qeverinë Fazliç është në dëm të fitores së të majtës dhe dëshmi e kapjes së zgjedhjeve nga krimi. "PS-91 vlerëson se Rama dhe Berisha po përgatisin një 26 maj konsensual. Por krimi politik mbetet krim edhe kur ai ka autorë konsensualë. Në këto kushte, PS-91 i bën thirrje çdo segmenti progresist të politikës dhe qytetarisë shqiptare të reagojnë me të gjitha mjetet demokratike për të mbrojtur zgjedhjet e ardhshme nga paracaktimi i rezultatit nëpërmjet manipulimit konsensual", është shprehur kryetari i PS-91, Petro Koçi.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›