E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama: Duhet një politikë e re, që të debatojë për mirëqeverisjen

Kryetari i PS, Edi Rama, e ka vijuar turin e tij "Dialogu me Shqipërinë" për Bujqësinë dhe Zhvillimin Rural, ku është ndalur në fshatin Kaldrun, të komunës Qendër, në veri të vendit. Gjatë këtij bashkëbisedimi me banorët e këtij fshati, kryetari i PS-së, Rama, është përqendruar në rritjen e mundësive për stimulimin dhe nxitjen e punës në bujqësi e blegtori, duke bërë të mundur rritjen e fitimeve në këtë sektor. Rama është shprehur për një program krejt të ri të PS, që do të bëjë të mundur kthimin e dinjitetit të punës në fshat. Rama ka përsëritur thirrjen e tij për bashkim të të gjithë shqiptarëve që refuzojnë të jenë të varfër e të papunë në një zë të vetëm kundër politikës së vjetër, që e ka lënë vendin, dhe sidomos fshatin, në këtë gjendje.

"Nuk është koha për t‘u ndarë në dhjetëra parti, por është koha për t‘u bashkuar në emër të fëmijëve tanë, përtej kufijve të partive dhe për t‘u thënë politikanëve të vjetër, që vazhdojnë të ushqejnë ndasi, sherr, me fyerje, me shpifje, baltë dhe që nuk janë në gjendje të thonë se çfarë kanë bërë dhe se çfarë do të bëjnë për bukën e përditshme të familjeve shqiptare", është shprehur Rama. Sipas tij, kjo politikë nuk na duhet më, sepse kësaj lloj politike ne nuk duhet t‘i japim frymë. Na duhet, është shprehur Rama, një politikë tjetër, na duhet një politikë evropiane, ku ata që përfaqësojnë popullin debatojnë për ide, për programe, për mënyrën se si populli duhet të jetojë më mirë dhe nuk debatojnë se kush është më i zoti për të sharë, akuzuar apo hedhur baltë mbi tjetrin. "Nuk kam ardhur këtu për të premtuar, por për të vazhduar komunikimin së bashku, për ta mundur varfërinë, për ta mundur papunësinë, duke i hapur rrugë rikthimit të punës së gjithanshme, veçanërisht në fshat, për të rritur prodhimin, për të rritur mirëqenien dhe për të krijuar kushtet që familjet shqiptare të jetojnë normalisht dhe fëmijët që lindin dhe rriten në Shqipëri, në qytet apo fshat, të jetojnë normalisht", ka theksuar kreu i PS-së. Duke kritikuar qeverisjen e djathtë, kryetari i PS-së, Rama, ka theksuar se "është e papranueshme që në Shqipëri dhjetëra mijëra fëmijë braktisin shkollën, sepse nuk ka mundësi familja që t‘i çoj dhe mbaj në shkollë, që dhjetëra mijëra të tjerë nuk arrijnë të mësojnë shkrim e këndim, sepse familjet janë kaq të varfra, sa nuk blejnë dot abetaren". Sipas tij, kjo duhet të ndryshojë, sepse fshati shqiptar i ka të gjitha kushtet natyrale, traditën dhe eksperiencën për të ndryshuar këto momente kaq të vështira, që janë kaq të zgjatura në kohë dhe që kanë bërë që varfëria të ulet këmbëkryq në familjet e shqiptarëve që jetojnë në fshat, në mënyrë të veçantë. Më tej, duke iu drejtuar banorëve të zonës, Rama ka deklaruar se "jam në pritje të të gjithë fjalëve tuaja, duke ju siguruar se të gjitha këto qindra takime, këto dhjetëra mijëra kilometra të bëra nëpër Shqipëri, këta dhjetëra mijëra njerëz që kam takuar dhe vazhdoj të takoj së bashku me miqtë dhe shokët e mi, janë një mundësi e jashtëzakonshme për ta kuptuar Shqipërinë, hallet dhe problemet e njerëzve, jo teorikisht, por me mish dhe shpirt dhe për të arritur që së bashku të shkruajmë dhe të realizojmë një program të madh ndryshimi, që duhet të fillojë nga fshati".



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›