Berisha “tregon” 2284 pyetjet e KE
Erald Kapri
Kryeministri Sali Berisha tregoi dje para medias dokumentin origjinal të pyetësorit të KE-së, i cili do t’u dorëzohet sot autoriteteve të Brukselit. Në mbledhjen e radhës së Qeverisë, Berisha u shpreh optimist se dokumenti me 3854 faqe do të sjellë një udhë të re në përpjekjet e Shqipërisë për t’u integruar në BE. Ai u shpreh optimist për një përgjigje pozitive nga Brukseli për statusin kandidat. Sipas Kryeministrit, përgjigjet e paraqitura në pyetësor u korrespondojnë 2284 pyetjeve, që përshkruajnë të gjithë përpjekjet e Shqipërisë dhe shqiptarëve në udhën e tyre drejt Bashkimit Evropian dhe paraqesin thelbin e zhvillimeve 20-vjeçare të Shqipërisë. “Ai përshkruan të gjithë përpjekjet e Shqipërisë dhe shqiptarëve në udhën e tyre drejt Bashkimit Evropian, tërësinë e reformave, ligjeve dhe vendime të këtij vendi, mbi të cilat funksionon sistemi demokratik dhe ekonomia e tregut, pra, paraqet thelbin e zhvillimeve 20-vjeçare të Shqipërisë”, tha Berisha. Kryeministri ftoi opozitën për bashkëpunim, duke vënë theksin në kontributet e të gjithë palëve. “Paraqitja e përgjigjeve të pyetësorit përbën një moment shumë të veçantë dhe të rëndësishëm në marrëdhëniet midis Shqipërisë, Komisionit Evropian dhe Bashkimit Evropian. Ky është një rast të ftoj edhe një herë opozitën shqiptare të angazhohet me të gjithë potencialet e saj, për të dhënë kontributin e vet në procesin e integrimit të vendit, në përputhje me programin që ajo ka paraqitur para anëtarëve të saj, para qytetarëve shqiptarëve”, shtoi Kryeministri.
Ndërkaq kreu i Qeverisë u nis për në Bruksel, ku në një agjendë prej dy ditësh ai do të dorëzojë pyetësorin. Fillimisht, kreu i Qeverisë do të takojë komisionerin për Zgjerim, Stefan Fule, ku së bashku do të mbajnë edhe një konferencë për shtyp. Ditën e dytë Berisha do të takohet me autoritetet më të larta të Brukselit, kreun e Parlamentit Evropian Herman Van Rompuy dhe me Presidentin e Komisionit evropian, z.Jose Manuel Barroso. Pyetësori deshi afërsisht 4 muaj punë nga Qeveria shqiptare për plotësimin e tij. Në këtë proces u angazhuan disa nga përkthyesit më të njohur të vendit me eksperiencë pune në institucione ndërkombëtare, por edhe një numër prej më se 60 institucionesh shqiptare. Autoritet e Tiranës besojnë se brenda vitit 2010 ose në pranverën e vitit të ardhshëm të merret një vendim mbi statusin kandidat të Shqipërisë. Pas këtij procesi, Shqipëria nis procedurën për anëtarësim të plotë në Bashkimin Evropian.
Përkthyesit e pyetësorit të KE
ëngjëllushe Shqarri
Gjykata ndërkombëtare/ICTY- Hagë, BBC
Majlinda Nishku
Gjykata ndërkombëtare/ICTY - Hagë, ish-Profesore, Fakulteti i gjuhëve të huaja, Universiteti i Tiranës
Ilir Baçi
Gjykata ndërkombëtare/ICTY- Hagë, ;.
Evis Cerga-Gjikondi
World Bank, ëHO, UN, etj.,
Ukë Buçpapaj
Profesor, Fakulteti i gjuhëve të huaja, Universiteti i Tiranës, përkthyes i shumë botimeve
Kastriot Myftiu
EULEX, UNMIK, ish-Profesor, Fakulteti i gjuhëve të huaja, Universiteti i Tiranës, etj.;
Bora Shpuza-Kasapolli
ish-Profesore, Fakulteti i gjuhëve të huaja, Universiteti i Tiranës, Gjykata ndërkombëtare/ICTY, Hagë, UN-UNMIK
Pranvera Xhelo
Përkthyese e shumë librave & botimeve të tjera
Rudi Bobrati
ish-përkthyes i UN-UNMIK, ish-punonjës i BBC në Shqip
Rudina Xhillari
Prof., Fakulteti i gjuhëve të huaja, Universiteti i Tiranës;