E Shtunë, 31 Tetor 2026

Liri Berisha: Ja momentet e vështira e të bukura me Saliun



Liri Berisha, bashkëshortja e Kryeministrit të vendit, Sali Berisha, rrëfen në emisionin “Ora e debatit” të drejtuar nga gazetari Alfred Peza, impenjimet e saj në jetën e përditshme. Si ndihet në krah të kreut të ekzekutivit, ditët e mira dhe ato që duhen harruar, impenjimet personale, familja, debatet politike e të tjera rrëfime, me një manerë të përmbajtur, po që gjithsesi zgjojnë kureshtje, përbëjnë thelbin e bisedës në studio, një material që vjen i përzgjedhur në vazhdim.

Alfred Peza
...është një shprehje e njohur që thotë që prapa çdo burri të suksesshëm dhe Sali Berisha është një politikanët më të suksesshëm të këtyre 20 viteve, ashtu siç ka qenë edhe një nga mjekët e suksesshëm deri në vitin 1990 në Shqipëri, qëndron një grua e zgjuar edhe e fortë. Ju në këtë udhëtim tuajin 20-vjeçar të pjesës politike të bashkëshortit tuaj, kush kanë qenë disa nga ato momentet më të bukura dhe të vështira që kujtoni veçanërisht...
Deri në vitin 1990 kam qenë një mjeke pediatre e përkushtuar për pacientët e mi të vegjël të zonës që mbuloja. Pas viteve ’90 sigurisht që jeta ime u bë më e larmishme, kishte mjaft ndryshime, ndryshime të cilat mund të them që më kanë ndryshuar edhe mua në drejtim të vlerësimit të problemeve, në drejtim të raportit me njerëzit, në drejtim të mësimit të shumë gjërave të reja...
Ju thatë që e kujtoni po me aq nostalgji edhe periudhën që keni qenë pediatre...
Ka qenë periudha më e bukur, ka qenë periudhë që e kam dashur shumë profesionin tim, kam gjetur çlodhjen, gëzimin, mundimin, kënaqësinë e jetës sime në profesion, ka qenë vërtetë, tani e kujtoj me shumë nostalgji, pasi kam gati një vit që jam shkëputur nga ky profesion.
Kush janë momentet më të bukura që ju kujtoni gjatë këtyre 20 viteve me bashkëshortin tuaj politikan?
Gjatë këtyre viteve kam pasur momente vërtetë të bukura, ka pasur dhe momente të vështira. Ndër momentet e vështira do të përmendja atë që ka qenë vështirësi për të gjithë shqiptarët, viti 1997. Ndërsa momentet e bukura kam pasur fatin të jem dëshmitare në realizimin e shumë evenimenteve, të cilat ngelën në jetë të skalitura, siç është ndërrimi i sistemit, është pavarësia e Kosovës, hyrja në NATO, MSA, në Këshillin e Evropës. Domethënë janë evenimente të cilat të krijojnë emocione të pashlyeshme, janë emocione, të cilat nuk mund të shlyhen nga jeta e një njeriu.
Ka një përjetim publik, pasi zoti Berisha qoftë në ndërrimin e sistemeve, ka qenë protagonist absolut për rikthimin e pluralizmit politik në Shqipëri, qoftë për fitoren e parë Partia Demokratike, por edhe të gjithë ato evenimente që ju thatë. Në shtëpi ka një ndryshim në përjetimin e këtyre emocioneve nga ai përjetim publik që bëhet, që është i përcjellë përmes pamjeve filmike nga zoti Berisha, apo është i njëjtë ky gëzim. Ka një përjetim ndryshe?
Po sigurisht. Pa dyshim që çdo vend politik kur diskutohet në shtëpinë e një politikani është gjithmonë më prezent, diskutohet, përjetohet.
Vazhdojnë dhe bisedat politike...
Sigurisht në shtëpinë e një politikani diskutohen dhe probleme të tjera, diskutohen probleme familjare, diskutohen shqetësime të ndryshme, por politika është prezent, nuk shmanget dot.
Pavarësisht se Sali Berisha është në shtëpi dhe prind dhe gjysh, por prapë nuk shmanget politika...
Sigurisht.
Duke qenë se bisedat politike tuaja nuk janë të ndara nga jeta familjare, madje besoj se nuk dihet ku fillon njëra dhe mbaron tjetra, dhe anasjelltas, për shkak të një angazhimi kaq të madh. çfarë e ka gëzuar më shumë Sali Berishën nga arritjet e tij politike gjatë këtyre 20 viteve?
Ka pasur arritje të cilat nuk janë një, por janë disa. Pluralizmi ka qenë një arritje që e ka gëzuar, një nga arritjet më emocionante. Që e kemi përjetuar ndoshta edhe familjarisht shumë më tepër ka qenë pavarësia e Kosovës, hyrja në NATO, dëshira e madhe për në BE, liberalizimi i vizave, MSA-ja, po ato që përmenda pak më lart për veten time.
Zoti Berisha ka lënë të kuptohet publikisht disa herë që vetëm zoti mund ta largojë nga politika, në kuptimin që jeta e tij tashmë dhe destinimi i tij në jetë është politika, deri në fund. Madje ka thënë edhe që 30 vite të tjera do të jetë në politikë. A keni ju një dëshirë që në një moment të caktuar që pasi të arrijë ndoshta edhe ëndrrat e tij më të mëdha në politikë të thuhet stop dhe ju të vazhdoni jetën tuaj jashtë politikës, gjithsesi me të gjitha ato arritje dhe mosarritje...
Politika është një mision dhe pasion për Sali Berishën. Këtë pyetje nuk ia bëj vetes sime, kështu që atij nuk ia bëj kurrë. Politika është një mision dhe pasion i tij, nuk mund të mendosh që t’i heqësh Berishës misionin dhe pasionin e tij, e mbështes në të gjitha mendimet dhe veprimet e tij.
Ju e keni mbështetur në të gjitha zgjidhjet e vështira që i duhet një bashkëshorti të marrë në jetë, për shembull, ndërrimi i profesionit nga mjek në politikan, apo edhe në këtë vendim për të vazhduar deri në fund qenien e tij në politikë.
Ne diskutojmë çdo problem familjar, çdo shqetësim familjar, por edhe shqetësime të tjera ndahen së bashku. Sigurisht që e kam mbështetur në të gjitha vendimet që ai ka marrë në politikë, në profesion, kemi pasur rrugë të përbashkët dhe kemi qenë mbështetje e njëri-tjetrit.
Thuhet që shpesh që politikanët që përveç këshilltarëve, që përveç stafeve të tyre, për shkak edhe se janë qenie familjare, konsultohen edhe me familjarët e tyre, kjo është krejt normale. Ju jeni një nga këshilltarët e zotit Berisha për vendime të rëndësishme?
Ne këshillohemi për shumë probleme familjare dhe shqetësimet që lindin i ndajmë bashkë.
Gjatë fushatave elektorale unë kam pasur rastin t’ju takoj nëpër Shqipëri, ku ju keni qenë bashkë me kryeministrin, bashkë me zotin Berisha, e ndiqni gjithmonë në fushata elektorale, apo ndodh që e ndiqni edhe nga ekranet e mediave, nga televizorët, nga gazetat?
E kam ndjekur në pothuajse në të gjitha fushatat elektorale, mund të them që jam pjesë e çdo fushate elektorale. Unë bëj pjesë aktive në fushatën elektorale, në të gjitha fushatat elektorale kam qenë prezent.
Duhet të jeni më prezente sepse politikani Berisha në këtë periudhë është edhe më shumë i angazhuar, dhe më i stresuar, ka më shumë nevojë për kujdes...
Jo vetëm kjo pjesë, janë pjesë e fushatës.
Keni bërë publike kështu një element që ju nuk jeni shprehur dhe gjithmonë e kam menduar që një pjesë e suksesit ka qenë edhe prania juaj pranë Kryeministrit...
Nuk mund të them që pjesë e suksesit në fushatë ka qenë Liri Berisha, por ka qenë pjesë e fushatës elektorale.
Do të doja të kaloja në një pjesë tjetër. Sa rëndësi i kushtoni pamjes suaj të jashtme?
është shumë e rëndësishme për një grua të ketë një luk të pranueshëm, përpara vetes, përpara familjes, përpara shoqërisë, është mjaft e rëndësishme që lukun ta paraqesë brenda një kornize sa më mirë. Por, duke u bërë person publik, mendoj që përkujdesja shtohet akoma edhe më tepër. Për sa i përket veshjes, ne kemi qenë ai brez që nuk kemi pasur veshje firmato apo bizhu, kemi qenë brezi që kemi dëshiruar, por që nuk i kemi pasur. Megjithatë në veshjen time kam krijuar stilin tim, vishem me atë që më pëlqen dhe më shkon, mundohem të jem e pranueshme për të gjitha shtresat shoqërore që ka vendi. Pasi e di që në veshjen time, duke qenë një njeri publik, nuk jam vetëm më Liri Berisha, por përfaqësoj të gjitha këto shtresa që shoqëria ka.
Duke u kujdesur për lukun tuaj thatë që keni një stil tuajin, ai vihet re lehtësisht tek pjesa zyrtare të paktën, që është stili klasik. Keni një ndarje, gjatë kohës që jeni në publik dhe në angazhimet publike, me veshjen jashtë angazhimeve publike, në fundjavë?
Sigurisht që në momente të veçanta duhen veshje të veçanta. Jo vetëm pushimi, aktiviteti jashtë politikës, por edhe takimet jashtë të kërkojnë një paraqitje krejt tjetër. Mundohem të jem e kujdesshme në këtë drejtim, të jem sa më korrekte dhe sa më brenda kornizës.
A ka qenë një moment i veçantë, ku realisht mund të jeni shqetësuar për të qenë në lartësinë e duhur, për ta përfaqësuar Shqipërinë nëpërmjet të qenit gruaja e Kryeministrit të këtij vendi në një takim të veçantë me zonjën Bush, ose me dikë tjetër... Kujtoni diçka të tillë?
Nuk mund të them në takime me këto zonjat. Por, në fillimet e para, kur Saliu ishte President dhe Shqipëria doli nga një varfëri, sigurisht që më shqetësonte mënyra e zgjedhjes të veshjes sime kur dilja jashtë. Por nuk them se më ka shqetësuar shumë sepse gjithmonë brenda një kuadri jam munduar të paraqitem sa më thjeshtë dhe sa më pranueshëm. Nuk më ka shqetësuar shumë problemi i firmatos, ai është i domosdoshëm në disa raste.
Kam dëgjuar komente të tilla qoftë edhe nga bashkëshortja ime që çfarë firme do të jetë kjo, çfarë parfumi përdor zonja Berisha, ose këpucët, siç kanë qejf gratë deri tek detajet e imta. Keni ju firma të veçanta?
Sigurisht që më pëlqejnë firmatot, por nuk them se në gardërobën time kam shumë të tilla. Pasi, edhe daljet e mia publike janë të shpeshta, unë mundohem të marr atë që më pëlqen edhe ato që më shkojnë. Për sa i përket parfumit, nuk më pëlqen ta ndryshoj. Bizhutë janë ato që më pëlqejnë, por shpeshherë e shoh veten ime jashtë shtëpisë pa bizhu, i harroj t’i vë, si rezultat ndoshta i refleksit të asaj kohe në rini, kur donim t’i kishim dhe s’mund t’i kishim. Tregoj kujdes për lukun, nuk bëj ndonjë grim të veçantë.
Keni ndonjë stilist të veçantë, ndonjë linjë?
Jo, mjafton të më pëlqejë dhe të jetë në shijen time...
Pluralizmi është rotacion, mund të jeni gruaja e Kryeministrit sot, mund të jeni gruaja e kreut të opozitës nesër, do ta vazhdoni aktivitetin tuaj dhe a mendoni se mbështetja juaj do të jetë e njëjtë për fondacionin tuaj?
Angazhimi do të jetë i njëjtë, gjithmonë do të përpiqem të bëj çfarë të kem mundësi për fëmijët në nevojë. Unë mund të them që mbështetësit kryesore kanë qenë biznesi. Biznesi ka qenë një mbështetje mjaft e madhe për realizimin e shumë problemeve të fëmijëve në nevojë.
Si bashkëshortja e Kryeministrit të Shqipërisë, si një nënë, si një grua, edhe si mjeke pediatre, a keni ju një këshillë për vajzat e reja, për nënat e reja?
Një pyetje shumë e gjerë që po e filloj si grua e Kryeministrit, ose si angazhim jo i imi politik, po i jetës sime me politikën. Do të thosha që jeta është e larmishme, ka të mirat dhe vështirësitë e saj. Këshilla që do të jepja në këtë rast është që përpara vështirësive të mos rrëzohen, të mos humbasin, vështirësi kalojnë të gjithë njerëzit, nuk janë vetëm dhe pas çdo vështirësie do të ndihen më të forta dhe më të fuqishme për ta përballuar dhe për të ecur përpara. Si nënë dhe nënë dhe pediatre, këshilla ndoshta do të ishte në drejtim të familjes. Duhet t’i kuptojmë mirë fëmijët tanë në moshat që ata kanë, në shoqërinë që ata jetojnë, duhet të mbështeten shumë dhe të besojnë shumë tek familje, pasi po të bëjnë një gjë të tillë do të jenë më të qeta, më të forta, do të kenë më pak lot, do të jenë më të suksesshme si nëna dhe si gra. Si pediatre ndoshta këshilla që do të jepja do të ishte për nënat e reja më shumë, shumë më të vëmendshme për çdo ndryshim jo të zakontë që japin fëmijët, shumë të vëmendshme në drejtim të zhvillimit psikomotor të fëmijës dhe jo kaq shumë në drejtim të ushqyerjes me zor apo të përqendrimit të vëmendjes tek ushqyerja e fëmijës. Të dyja duhet të shkojnë paralel dhe jo të zhvendoset kujdesi i prindërit vetëm tek ushqyerja, ushqyerja dhe zhvillimi psikomotor duhet të lidhen bashkë. çdo nënë duhet të jetë tepër e vëmendshme për çdo që shikon tek fëmija.
Zonja Berisha, meqenëse jemi tek pjesa e këshillave, kush do të ishte një e tillë për gratë e politikanëve të rinj?
Për këto zonja mendoj t’u drejtohem, që të mbështesin patjetër bashkëshortët e tyre në punën që ata kanë nisur, të mbajnë sa më larg fëmijëve dhe familjes emocionet politike...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›