E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bushati: PS mbështet integrimin, Berisha përgjegjës për vonesat



Partia socialiste iu përgjigj menjëherë ftesës së djeshme të Kryeministrit Berisha, i cili kërkoi edhe angazhimin e saj në proceset integruese të vendit. Deputeti socialist, Ditmir Bushati, tha dje se PS-ja ka dhënë vazhdimisht mbështetjen e saj në proceset integruese dhe reformat që janë kërkuar për këtë qëllim. “Partia Socialiste dhe opozita shqiptare kanë qenë, janë dhe do të jenë gjithnjë në mbështetje të proceseve integruese të vendit. Por, integrimi në Bashkimin Evropian nënkupton mbi të gjitha adoptimin e vlerave dhe parimeve, që qëndrojnë në themel të këtij unioni dhe pikërisht në emër të këtyre vlerave e parimeve po zhvillohet sot beteja e opozitës shqiptare”, u shpreh Bushati. Berisha tha dje se “ftoj edhe një herë opozitën shqiptare të angazhohet me të gjithë potencialet e saj, për të dhënë kontributin e vet në procesin e integrimit të vendit, në përputhje me programin që ajo ka paraqitur para anëtarëve të saj, para qytetarëve shqiptarë”.
Për Partinë Socialiste beteja për garantimin e votës së lirë dhe transparencën e zgjedhjeve është një nga karakteristikat e shoqërive demokratike. “është kjo një betejë për mbrojtjen e votës së lirë, garantimin e transparencës së zgjedhjeve, të ndërtimit dhe fuqizimit të institucioneve demokratike në shërbim të qytetarit e jo pushtetit, të shifrave të ekonomisë e të gjithë atyre vendimeve që ndikojnë në jetën e shqiptarëve”, u shpreh Bushati. Sipas tij, integrimi i vendit kërkon veprime konkrete drejt një realiteti demokratik dhe jo deklarata boshe. “Vetëm garantimi i standardeve të sipërcituara e jo propaganda boshe e Kryeministrit është rruga përmes së cilës kalon integrimi i Shqipërisë në familjen evropiane”, u shpreh Bushati. Deputeti socialist akuzoi Kryeministrin si përgjegjësin e vetëm pse Shqipëria është vonuar në proceset integruese. “Nëse ka sot një njeri që po na dëshmon se nuk e do demokratizimin dhe integrimin e Shqipërisë, një njeri që është përgjegjës për vonesat në integrimin e Shqipërisë dhe procesin e liberalizimit të vizave, ky është vetëm Sali Berisha”, u shpreh Bushati.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›