Pronat, si do zgjidhen 8 mijë ankesat
BLEDAR HOTI
Qeveria merr 6 vendime për çështjen e kthimit dhe kompensimit të pronave, duke ndryshuar dhe formularin e paraqitjes së kërkesës nga ana e ish-pronarëve pranë AKKP-së. Vendimet përfshijnë dhe mënyrën se si Agjencia e Pronave do të procedojë me tetë mijë ankesat e mbetura pa shqyrtuar. Me këtë vendim aktualisht është përcaktuar se kërkesa e subjektit të interesuar pranohet brenda një afati 3-mujor nga data e konstatimit, në të kundërt, kërkesa e subjektit nuk pranohet, me vendim të Drejtorit të Përgjithshëm të AKKP. Të gjitha kërkesat për njohje dhe kthim të pronës, të paraqitura në zyrat e AKKP-së, shqyrtohen sipas rendit kronologjik të paraqitjes së tyre. Po kështu mbi bazën e vendimit të ri që shfuqizon VKM-në 747, mbi të cilën janë depozituar të 8 mijë kërkesat e ish-pronarëve për njohje dhe kthim e kompensim pronash. Në mbledhjen e djeshme, Këshilli i Ministrave miratoi ndryshimin e vendimeve "Për përcaktimin e kushteve dhe për procedurën e tjetërsimit të oborreve në përdorim, për llogari të fondit të kompensimit financiar"; "Për kushtet dhe procedurën e tjetërsimit të sipërfaqeve të tokës, me cilësi të veçanta, për llogari të fondit të kompensimit financiar"; "Procedurat e mbledhjes, përpunimit dhe administrimit të akteve të subjekteve të shpronësuara, gjatë procesit të njohjes dhe kthimit apo kompensimit të pronës"; "Për përcaktimin e procedurave dhe të afateve të komunikimit, ndërmjet AKKP-së dhe institucioneve shtetërore, gjatë procesit të njohjes, kthimit apo kompensimit të pronës"; "Për kriteret dhe procedurën e kompensimit fizik, me troje shtetërore, të subjekteve të shpronësuara, në disa raste të veçanta". Ndërsa vendimi i gjashtë i Qeverisë për ligjet "Për mënyrën e organizimit dhe të funksionimit të AKKP-së". Në vendimin e Qeverisë për oborret në përdorim në llogari të fondit të kompensimit financiar është përcaktuar se "kërkesa plotësohet sipas formularit tip, të miratuar nga Ministri i Drejtësisë, me propozimin e Drejtorit të Përgjithshëm të AKKP-së. Formulari tip përmban një paralajmërim që ngarkon me përgjegjësi, sipas ligjit, subjektin kërkues në rast të deklarimit të të dhënave të rreme apo të depozitimit të dokumentacionit të falsifikuar". Brenda 30 ditësh, por jo më shumë se tre muaj, AKKP-ja duhet të shprehet me vendimin për kompensimin e ish-pronarëve. Edhe në vendimin për në procesin e njohjes dhe kompensimit të pronës, sanksionohet se kërkesa e subjektit të shpronësuar duhet të jetë sipas formularit tip, të miratuar nga Ministri i Drejtësisë, me propozim të Drejtorit të Përgjithshëm të AKKP-së. "Formulari tip nënshkruhet nga subjekti i shpronësuar ose përfaqësuesi i tij me prokurë. Formulari tip përmban një paralajmërim, që ngarkon me përgjegjësi sipas ligjit subjektin kërkues, në rast të deklarimit të të dhënave të rreme apo depozitimit të dokumentacionit të falsifikuar", thekson vendimi. Më parë ka qenë e përcaktuar se formulari miratohet vetëm nga Drejtori i AKKP-së.
Pjesë nga vendimi i Qeverisë
"Për procedurat e mbledhjes, përpunimit dhe administrimit të akteve të subjekteve të shpronësuara, gjatë procesit të njohjes dhe kthimit apo kompensimit të pronës"
I. Mbledhja e akteve
1. Subjekti i shpronësuar depoziton drejtpërdrejt ose nëpërmjet postës, në sekretarinë e AKKP-së, kërkesën e motivuar për njohjen dhe kthimin apo kompensimin e pronës, shoqëruar me dokumentacionin e nevojshëm, sipas këtij vendimi, me të cilin provon pretendimet e tij.
2. Kërkesa e subjektit të shpronësuar duhet të jetë sipas formularit tip, të miratuar nga Ministri i Drejtësisë, me propozim të drejtorit të Përgjithshëm të AKKP-së. Formulari tip nënshkruhet nga subjekti i shpronësuar ose përfaqësuesi i tij me prokurë. Formulari tip përmban një paralajmërim, që ngarkon me përgjegjësi sipas ligjit subjektin kërkues, në rast të deklarimit të të dhënave të rreme apo depozitimit të dokumentacionit të falsifikuar.
3. Dokumentacioni shoqërues, që vërteton pronësinë e subjektit të shpronësuar, përbëhet nga: a) dokumentacioni ligjor; b)dokumentacioni hartografik. Në çdo rast që subjekti depoziton kërkesë të re, sipas një vendimi gjyqësor për rivendosje në afat, pjesë e dokumentacionit shoqërues është edhe vendimi i gjykatës për rivendosjen në afat.
6. Subjekti i shpronësuar paraqet, pranë AKKP-së, kërkesën e motivuar për kompensimin e pronës, shoqëruar me dokumentacionin, si më poshtë vijon:
a) kërkesën, e nënshkruar, të subjektit të shpronësuar apo të përfaqësuesit të tij me prokurë, sipas dhe në zbatim të formularit tip, të miratuar nga ministri i Drejtësisë, me propozimin e drejtorit të Përgjithshëm të AKKP-së, në të cilën përcaktohet edhe njëra nga format e kërkuara të kompensimit, të parashikuara në nenin 11, të ligjit; b) vendimin e AKKP-së apo të ish-komisioneve të kthimit dhe kompensimit të pronave për pasurinë e paluajtshme, të njohur për t'u kompensuar;
c) deklaratën personale për heqje dorë nga e drejta e parablerjes, sipas formularit tip, të miratuar nga ministri i Drejtësisë, me propozimin e drejtorit të Përgjithshëm të AKKP-së;
ç) çdo dokument ligjor që provon lidhjen e ligjshme të kërkuesit me subjektin e shpronësuar.
II. Administrimi i akteve
7. Në rastet kur AKKP-ja konstaton mungesë në dokumentacion, subjektit të shpronësuar i kërkohet plotësimi i dosjes përkatëse, brenda 30 ditëve nga çasti i marrjes së njoftimit për plotësim dokumentacioni. Plotësimet mund të bëhen për të gjitha dosjet e paraqitura për shqyrtim në ish-zyrat rajonale të AKKP-së në qark, para datës 31.12.2008, ose edhe për dosjet e subjekteve pas kësaj date, të cilat, në bazë të vendimeve gjyqësore të formës së prerë, janë rivendosur në afat.
8. çdo subjekt i shpronësuar ka të drejtë të pajiset, nga sekretaria e AKKP-së, me vërtetimin përkatës për numrin e protokollit të dosjes së regjistruar, që tregon edhe datën e dorëzimit të kërkesës dhe dokumenteve të tij.
9. Kërkesat e subjekteve të shpronësuara, të cilat depozitohen nëpërmjet shërbimit postar dhe kanë mangësi në dokumentacionin shoqërues, gjë që e bën të pamundur vlerësimin e tyre, do t'i kthehen kërkuesit në adresën e dhënë, duke i kërkuar plotësimin e dokumentacionit në mënyrë të hollësishme, sipas dispozitave të këtij vendimi. Kërkesa, së cilës i mungon adresa e saktë postare, vlerësohet jo e mirëqenë dhe riaktivizohet vetëm me interesimin e kërkuesit pranë zyrave të AKKP-së. Në çastin e konstatimit, nga struktura përkatëse e AKKP-së, bëhet shpallja publike në mjediset e AKKP-së dhe në njësitë e qeverisjes vendore, ku ndodhet prona, objekt pretendimi. Kërkesa e subjektit të interesuar pranohet brenda një afati 3-mujor nga data e konstatimit, në të kundërt, kërkesa e subjektit nuk pranohet, me vendim të Drejtorit të Përgjithshëm të AKKP.
10. AKKP-ja, pranon dhe administron kërkesat e subjekteve të shpronësuara, kundrejt tarifave të përcaktuara, me urdhër të përbashkët të ministrit të Drejtësisë dhe të ministrit të Financave.
11. Të gjitha kërkesat për njohje dhe kthim të pronës, të paraqitura në zyrat e AKKP-së, shqyrtohen sipas rendit kronologjik të paraqitjes së tyre. Mënyra e trajtimit, shqyrtimit dhe e dhënies së vendimit për kërkesat apo ankesat e subjekteve të shpronësuara, bëhet në përputhje me ligjin nr.9235, datë 29.7.2004, "Për kthimin dhe kompensimin e pronës", të ndryshuar, dhe akteve nënligjore të dala në bazë dhe për zbatim të tij.
12. AKKP-ja, pas shqyrtimit të kërkesës dhe marrjes së vendimit, pajis subjektet e shpronësuara me dokumentin përkatës për njohjen, masën dhe mënyrën e kthimit ose të kompensimit të pronës. Në rastin kur AKKP-ja nuk e pranon/rrëzon kërkesën/ankesën e subjektit, i jep subjektit të shpronësuar një kopje të vendimit të mospranimit/rrëzimit.
13. Ngarkohet AKKP zbatimin e këtij vendimi.
15. Vendimi i KM-së nr.747, datë 9.11.2006, "Për procedurat e mbledhjes, të përpunimit dhe administrimit të kërkesave të subjekteve të shpronësuara gjatë procesit të njohjes, kthimit apo kompensimit të pronës", shfuqizohet. Kërkesat e paraqitura pranë ish-zyrave rajonale të AKKP-së apo ankesat e paraqitura në AKKP, bazuar në vendimin nr.747, datë 9.11.2006, të Këshillit të Ministrave, për të cilat ende nuk është dhënë vendim, vazhdojnë të shqyrtohen nga AKKP-ja, sipas rregullave të përcaktuara në këtë vendim.