Legalizimet, miratohen edhe 4102 tapi
Erald Kapri
Qeveria miratoi dje lejet e legalizimit për 4102 objekte pa leje në 11 qarqe të vendit, të cilat prekin rreth 5 mijë familje. Gazeta publikon listat e legalizimeve për 11 qarqet e vendit që përfshijnë parcela ndërtimore dhe shtesa pa leje në objekte me leje, konkretisht shtesa në pallatet e para vitit 1993. Sipas vendimit të djeshëm, për kalimin e pronësisë së këtyre objekteve, preket një sipërfaqe e përgjithshme trualli prej 1 342 214 metra katror, e cila legalizohet. Vendimi i Qeverisë shpreh se në kuadër të procesit të legalizimit të objekteve informale, ALUIZNI dhe njësitë e qeverisjes vendore kanë kryer të gjitha procedurat tekniko-ligjore për përditësimin dhe plotësimin e dosjeve të legalizimit për secilin objekt dhe kanë përfunduar procedurat kualifikuese për legalizimin e tyre.
Ndërkohë, dje Qeveria mori një vendim për ndryshimin e vlerës së tarifës së shërbimit në legalizimin e objekteve pa leje. Vendimi thotë se kjo tarifë do të jetë 4 mijë lekë të reja për çdo kat ndërtimi pa leje, kur më parë ishte 4 mijë lekë në total për gjithë objektin pa leje. Vendimi saktëson edhe procedurën e pagesës me letra me vlerë në procesin e legalizimit. Kështu në objektet pa leje, që kanë destinacion ekonomik, do të paguajnë detyrimet sipas ligjit me lekë në dorë. Për objektet informale, me destinacion banimi apo të përzier, (banim dhe social-ekonomik), pagesa e vlerës së parcelës mund të bëhet në lekë në vlerë të plotë monetare, ose me bono privatizimi. Në rastin kur pagesa kryhet me bono privatizimi, ajo duhet të paraprihet nga depozitimi i kërkesës me shkrim, të poseduesit të ndërtimit informal, pranë Drejtorisë Rajonale të ALUIZNI-t, ku të përcaktohet përqindja e pagesës me bono privatizimi.
Më tej vendimi saktëson procedurën e sanksioneve ndaj shtesave pa leje. "Likuidimi i penaliteteve do të bëhet për llogari të njësive të qeverisjes vendore brenda 30 ditësh nga pajisja me formularin e penaliteteve për legalizimin e shtesave informale të subjektit ndërtues", thuhet në vendim.
Vendimi për tarifat e shërbimit në procesin e legalizimit
• Tarifa e shërbimit për legalizimin e objekteve pa leje / shtesave informale në ndërtime me leje, është në vlerën 4 000 (katër mijë) lekë, për çdo kat të objektit pa leje / shtesës informale në ndërtime me leje.
Sanksionet
• Sanksionet për subjektet dhe / ose shoqëritë ndërtuese që kanë kryer shtesa anësore ose shtesa në kate, për qëllim kalimi pronësie ose qiradhënieje, llogariten nga ALUIZNI në përputhje me përcaktimet dhe përqindjet e përcaktuara në nenin 43, të ligjit nr. 9482, datë 3.4.2006, "Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje", të ndryshuar.
• Për shtesat informale (anësore apo në lartësi), të ngritura në territore (zona) ku nuk ka çmim minimal fiskal, të përcaktuar në përputhje me pikën 2, të nenit 43, të ligjit nr.9482, datë 3.4.2006, çmimi minimal fiskal do të llogaritet si mesatare aritmetike e çmimit të zonave me të cilat ky territor (zonë), kufizohet.
• Likuidimi i penaliteteve do të bëhet për llogari të njësive të qeverisjes vendore brenda 30 ditësh nga pajisja me formularin e penaliteteve për legalizimin e shtesave informale të subjektit ndërtues.
• Për subjektet dhe/ose shoqëritë ndërtuese të cilat kanë paguar sanksione të mëparshme për shkelje të lejes së ndërtimit, nga vlera totale e sanksioneve do të zbritet vlera e paguar më parë.
LISTEN E PLOTE , MUND TA LEXONI NE FORMATIN PDF