E Diel, 1 Nëntor 2026

Pëllumbi: E majta në krizë identiteti, të varfrit votojnë PD



Në librin e tij të fundit, "Filozofia e aktualitetit", shënime dhe analiza, profesori i socialistëve analizon edhe zhvillimet brenda të majtës si filozofi dhe praktikë. Sipas tij, edhe në Shqipëri e majta ka krizë identiteti, ndërsa tezat përtej të majtës dhe të djathtës kanë rritur ç'orientimin e elektoratit, ku popullsia rurale dhe ajo e varfër urbane votoi të djathtën në zgjedhjet e fundit.

vijon nga numri i kaluar

Servet Pëllumbi

Po e majta në Shqipëri?
Edhe e majta në Shqipëri, sidomos pas humbjes në zgjedhjet që u zhvilluan po në qershor 2009, duket sikur vuan nga e njëjta sëmundje: nga kriza e identitetit. Ajo vazhdon të jetë e përçarë dhe si ideal ka ende demokracinë e ndarjes në fraksione. Sikur të mos i mjaftonin luftërat e brendshme, që edhe kësaj here e lanë në opozitë. Shpesh, edhe te ne, idetë, zgjidhjet dhe reformat tipike për alternativën e majtë adaptohen apo thuhet se zbatohen më mirë nga partitë që vetemërtohen të djathta. Prandaj ndodh, siç ndodhi edhe më 28 qershor, që shtresat më të varfra të fshatit dhe të periferive të qyteteve të mëdha - hallet dhe interesat e të cilave, kur artikulohen qartë, nuk janë aspak përtej së majtës, por dihet me siguri që janë përtej së djathtës - vazhdojnë të votojnë për të djathtët dhe të jenë "armiqësorë" ndaj çdo ideje socialiste, qoftë edhe në trajtën socialdemokrate dhe europiane të saj. Kjo edhe sepse vetë forcat e majta, si në Shqipëri, ashtu si edhe në vendet e tjera të demokracisë së re, vazhdojnë të druhen se mos i quajnë të pareformuara, nëse i referohen një ideje të tillë, nëse i japin prioritet të qenit dakord dhe marrëveshjeve midis palëve, apo nëse pranojnë disa prej arritjeve të periudhës 50-vjeçare të "socializmit shtetëror".
Kjo dëshmon se edhe te ne, madje ca më shumë te ne, ndihet e fortë varfëria e ideve të së majtës, përderisa frontit teorik as që i kushtohet ndonjë vëmendje. Tashmë, Partia Socialiste, por edhe parti të tjera të majta, as që kujtohet për programin e parimeve themelore socialdemokrate, mbi të cilat u formua në vitin 1991 dhe u zhvillua në mënyrë progresive në vitet e para të jetës së saj. Madje, PS-ja arriti të përpunonte edhe një program social, të përshtatur për kushtet e vendit tonë, për të cilin drejtuesit e sotëm ose nuk kanë dijeni, ose e shohin si një relike pa vlerë. Për rrjedhojë, vetëm një lloj instikti vetëmbrojtës dhe konservatorizmi pozitiv vazhdon të mbajë ende të lidhur pas saj një masë të konsiderueshme anëtarësh, si dhe një elektorat solid e të qëndrueshëm, që vazhdon ta votojë me statusin e partisë së parë në vend. Nuk jam ndër ata që adhurojnë programet tradicionale. E di gjithashtu se sot, në kohën e internetit, programe të tilla nuk janë edhe aq tërheqëse për t'u lexuar nga anëtarët e partive politike apo nga zgjedhësit. Megjithatë, ato duhen përpunuar e propaganduar, qoftë dhe vetëm për seriozitetin, besimin dhe garancitë që mbartin te njerëzit.
Një pjesë e të majtëve tanë, pa dyshim që kanë njohur edhe eksperimentet e kolegëve të tyre europianë, ndërmjet të cilëve edhe konceptin e njohur tashmë "përtej të majtës dhe të djathtës". Duke e quajtur një tezë të tillë të drejtë në thelbin e vet, sidomos në raport me sfidat e globalizimit, e kam kritikuar kryetarin e PS-së, ngaqë e sheh atë si shpëtimtare për të tërhequr e inspiruar shqiptarët për të votuar ndryshe. Së pari, ngaqë mendoj se për kushtet e demokracive të reja, pra edhe të Shqipërisë, braktisja e parimeve dhe e bazës sociale të së majtës nuk mund të përligjet kurrsesi dhe për rrjedhojë, përbën një inkurajim për prirjet revanshiste dhe autoritariste të së djathtës. Së dyti, sepse një tezë e tillë teorike mbeti e paqartë, nuk u mbush me përmbajtje konkrete dhe me teknologjinë e implementimit shkallë-shkallë në të ardhmen jo dhe aq të afërt për demokracitë e reja. Edhe pse nuk ishte propagandimi i një teze të tillë shkaku kryesor i humbjes së PS-së në zgjedhjet e 28 qershorit 2009, siç pretendojnë oponentët e vonuar të zotit Rama, joshja prej saj, gjithsesi, është një dëshmi tjetër e nivelit të ulët teorik që po e dominon të majtën edhe te ne.
Për rastin e demokracive të reja, ku bën pjesë edhe Shqipëria, nuk mund të thuhet se të majtën nuk e do më populli, se nuk i duhet më, se nuk i hyn më në punë, prandaj dhe duhet t'i kërkojë hapësirat e veta "përtej të majtës dhe të djathtës". Në të vërtetë, një tezë e tillë ka pak shanse të gjejë zbatim në një mjedis politik e demokratik të prapambetur, ku mungon ndjeshëm besimi i ndërsjellë, ku intoleranca dhe padurimi çojnë në të njëjtin rezultat konfliktual, ku tranzicioni demokratik nuk u shoqërua me arritjen e konsensusit kombëtar për çështje themelore të zhvillimit të vendit, për të vendosur rregullat dhe për të realizuar zgjedhje të lira e të ndershme sipas standardeve të njohura demokratike, ku Kushtetuta, që duhej të mbyllte tranzicionin politik, u bojkotua nga opozita e djathtë dhe elektorati i saj në nëntor të vitit 1998, ku as integrimi në Bashkimin Evropian, që mund të quhet një "tranzicion i dytë", nuk po i bashkon partitë dhe elektoratin shqiptar rreth një strategjie të përbashkët. Pra, ende vazhdohet t'i jepet përparësi luftës për pushtet, madje me çdo kusht e mjet, apo "betejave të vogla", goditjeve pas shpine, kurse vendin e dialogut midis alternativave dhe konkurrencës së ndershme midis tyre, në institucione dhe jashtë tyre, vazhdojnë ta zënë "betejat" mediatike, pse jo edhe kulisat, lidhjet e politikës me krimin e organizuar, sharjet dhe fyerjet më të rëndomta.
Kjo mbase u jep dorë edhe arrivistëve të llojllojshëm, që të përligjin pazaret apo edhe koalicionet e panatyrshme majtas-djathtas. I tillë ishte rasti i Partisë Agrare në vitin 2005 apo i Lëvizjes Socialiste për Integrim më 2009-ën, që pasi morën votat nga elektorati i majtë e me slogane ultra të majta, bashkohen në koalicione qeverisëse me të djathtët. E për më tepër me PD-në e kryesuar nga S. Berisha, i njohur për fobinë dhe agresivitetin ndaj së majtës, që e identifikon me "pinjollët e Bllokut" të dikurshëm të Partisë së Punës. Ndërkohë, për të përligjur koalicione të panatyrshme, të tilla si PD-LSI, sajohen "argumente" se tani "nuk ka më filozofi antagoniste" dhe se bashkime të tilla i kërkojnë "interesat e vendit, integrimi në BE". Pa dyshim që kjo ndikon në rënien e prestigjit dhe të besimit ndaj alternativës së majtë. Në një rast të tillë mbase do të përligjej kërkesa për një të majtë unitare dhe disi më të ngurtë në formën dhe kërkesat e veta, përfshi edhe bojkotimin e tanishëm dhe të zgjatur të Kuvendit.
Ndërkohë, në rrethana të tjera, në vendet me demokraci të zhvilluar, ku rrjeti i organizimit vendor, që ekzistonte para 20 apo 30 vjetëve, nuk ka më ndonjë rol të ndjeshëm, e majta, që shpesh për t'u dalluar nga "klasikja" quhet "e majta e re", mund dhe duhet, së pari, të përpunojë forma të reja kohezioni në organizimin politik, me qëllim që ato të përshtaten me zhvillimin e shpejtë të teknologjive të komunikimit, të mediave dhe të internetit, që siç dihet tashmë, e bëjnë sipërfaqësor çdo lloj kohezioni. Së dyti, të përpunojë ide dhe të ndërmarrë iniciativa që frymëzojnë dhe e bëjnë më të begatë dhe më aktive shoqërinë civile, që sot po njeh rënie. Dhe së treti, të synojë që kërkesa shoqërore dhe oferta politike të përputhen, sidomos kur është fjala për një kuptim të ri të demokracisë për të ardhmen, problem parësor i së cilës, sipas A. Touraine, nuk është ai i shpërndarjes së të mirave, por i të drejtave (A.Touraine, Sfidat e shekullit 21, 2008, 244).
Sot më tepër se dje është me rëndësi që e majta të dijë të përballet me historinë e vet. Në të vërtetë, "magjia e socializmit", edhe pse nuk ishte pa arritje impresionuese, u diskreditua nga varfëria, nga radhët e gjata, të krahasueshme me forma shfrytëzimi të zbuluara nga K. Marksi, duke filluar nga modeli sovjetik i socializmit shtetëror e deri te derivatet e tij të mëvonshme në vende të tjera. Veçse kjo nuk mund të jetë kurrsesi edhe diskreditim i së majtës dhe i idesë socialiste në përgjithësi. Socializmi demokratik, i mbrojtur për dekada të tëra nga socialdemokracia europiane, duhet vlerësuar si diçka krejt tjetër, sepse ajo sot përbën thelbin e alternativës së majtë e moderne të zhvillimit për epokën e globalizimit. Ky model, e ritheksoj, ka nevojë për zhvillim e vetëpërsosje në varësi të kushteve të reja që janë krijuar, me qëllim që edhe gjatë shekullit XXI të jetë në gjendje të luajë rolin e vet për lulëzimin e kulturës dhe të politikës demokratike. Kurse vendeve të demokracisë së re, ku bën pjesë edhe Shqipëria, u takon të provojnë se si mund të arrihet ndërtimi i një regjimi demokratik në varfëri e skamje dhe për më tepër, duke dalë nga regjimi komunist.
Gjithsesi, në asnjërin nivel nuk duhet lejuar që të paralizohet ideja e socializmit dhe e humanizmit, apo që trash-ëgimia e vyer e së majtës të mos ripërtërihet, sepse kjo do të ishte baras me një lamtumirë të fundit nga një doktrinë me rrënjë të thella në vetëdijen e miliona njerëzve që ëndërrojnë një jetë e një shoqëri më të mirë. Mbase kjo është arsyeja që edhe në demokracitë e zhvilluara eksperimenti me tezën "përtej së majtës dhe të djathtës" vazhdon të shihet me dyshim, pse jo edhe si një lloj braktisjeje e së majtës. "Më duhet të pohoj, - shkruan jo pa ironi Michael Walzer, - se nuk e di shumë mirë ku gjendet kjo përtej. është një vend politik, që unë nuk arrij ta dalloj." Dhe më pas, shton: "Më duket se nuk ka të ardhme për politikën demokratike pa kundërvënien e qëndrueshme që përfaqëson e majta ndaj hierarkisë dhe autoritarizmit në të gjitha format e tyre". (Sfidat e shek. XXI, 2008, 251).

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›