Fule: Vizat sa më shpejt po të plotësoni kushtet, ngërçi politik të zgjidhet në Kuvend
Erald Kapri
Në një intervistë ekskluzive për gazetën “Panorama”, komisioneri i zgjerimit në Komisionin Evropian, Stefan Fule flet për ngjarjet në Shqipëri, liberalizimin e vizave si dhe për procesin e integrimit. Fule dha këtë intervistë pas vizitës së tij në Shqipëri në muajin mars, ku u takua me liderët politikë shqiptarë dhe komenton për situatën politike në Shqipëri para dorëzimit të pyetësorit nga Kryeministri Sali Berisha. Duke folur për situatën politike në Shqipëri, Fule thekson se në takimet që pati me liderët Berisha e Rama, theksoi se ngërçi politik mund të pengojë integrimin e vendit. Sipas tij, nëse gjërat ecin mirë me dorëzimin e pyetësorit, atëherë mund të kemi një opinion për statusin kandidat brenda këtij viti. “Unë theksova se në qoftë se situata e tanishme e frenuar politike do të vazhdojë, ajo mund të pengojë Shqipërinë për arritjen e standardeve politike që priten nga një vend, i cili ka aplikuar për anëtarësim në BE”, thotë Fule, ndërsa si zgjedhje shpreh “aplikimin e dy parimeve thelbësore të demokracisë: respektimin e Kushtetutës dhe të transparencës, dhe u kërkoj liderëve politikë për të adresuar këtë sfidë në mënyrë konstruktive me frymën e BE-së”. Duke theksuar kriteret e Kopenhagenit, zyrtari i lartë i KE-së thekson se kërkohet një Parlament funksional “ku qeveria dhe opozita të luajnë rolet e tyre të ndryshme, por plotësuese dhe të ndërtojnë konsensus”.
Për sa i përket kërkesave të opozitës, komisioneri i zgjerimit shprehet se mbështet kërkesat për transparencë për sa kohë ato kërkohen në Parlament. Fule flet edhe për liberalizimin e vizave, duke thënë se ai mbetet një proces teknik dhe do të finalizohet kur të përmbushen kushtet e vendosura.
Z. Fule, Ju keni bërë një turne ballkanik, ku u takuat me udhëheqës të vendeve të Ballkanit. Sipas vlerësimit tuaj, a po lëvizin këto vende në hapat e duhura drejt integrimit?
Vendet e këtij rajoni kanë bërë të gjithë hapa të rëndësishëm drejt integrimit evropian. Secili prej tyre ka specifikat e veta dhe secili është në një fazë të ndryshme të rrugës së integrimit. Megjithatë, ka një gjë të përbashkët: secili vend gjykohet mbi meritat e veta, dhe secili prej tyre duhet të mbajë një ritëm të qëndrueshëm të reformave, me qëllimin që të përmbushë detyrimet e Marrëveshjes së Stabilizim Asocimit si dhe kriteret e Kopenhagenit për anëtarësim. Kjo nuk i përket vetëm qeverive, por gjithë klasës politike dhe shoqërisë si një e tërë.
Gjatë vizitës suaj në Shqipëri, u zhvillua një seancë maratonë parlamentare për të arritur një zgjidhje mbi bojkotin e opozitës. çfarë biseduat ju me liderët politikë në Shqipëri dhe cilat ishin sugjerimet tuaja për ta?
Unë i sigurova ata se Komisioni është i angazhuar ndaj perspektivës evropiane të Shqipërisë. I shpreha shqetësimin tim rreth ngecjes së vazhdueshme politike, pasi një Parlament plotësisht funksional është thelbësor për një demokraci plotësisht funksionale. Unë theksova se në qoftë se situata e tanishme e frenuar politike do të vazhdojë, ajo mund të pengojë Shqipërinë për arritjen e standardeve politike që priten nga një vend, i cili ka aplikuar për anëtarësim në BE.
Unë theksoj rëndësinë e një dialogu konstruktiv politik dhe funksionimin e institucioneve demokratike, në mënyrë që të kapërcehet situata aktuale politike dhe të demonstrohet pjekuria demokratike. Si një zgjidhje, unë sugjeroj aplikimin e dy parimeve thelbësore të demokracisë: respektimin e Kushtetutës dhe të transparencës, dhe i kërkoj liderëve politikë për të adresuar këtë sfidë në mënyrë konstruktive me frymën e BE-së.
Sa serioze e shihni ju situatën politike në Shqipëri, ku partitë nuk arrijnë konsensus rreth bojkotit të opozitës në Parlament, kur në të njëjtën kohë, opozita ka paralajmëruar protesta të mëtejshme në rrugë?
Në demokraci, dialogu politik zë vendin e parë dhe më kryesor në Parlament. Krijimi i një kulture ku forcat politike flasin me njëra-tjetrën brenda institucioneve të zgjedhura në mënyrë demokratike, është thelbësore për reformat e Shqipërisë dhe për të arritur progres drejt BE-së. Bazuar në këtë, unë e mbështes kërkesën e opozitës për transparencë, për sa kohë që kjo kërkohet në Parlament.
A mendoni se bojkoti i opozitës mund të pengojë procesin e liberalizimit të vizave dhe në përgjithësi integrimin e vendit?
Integrimi evropian nuk mund të ndodhë pa angazhimin aktiv të të gjithë lojtarëve kyçë. Ka kritere parakushte për pranimin, ato quhen kriteret e Kopenhagenit dhe kërkojnë mes të tjerash institucione të qëndrueshme demokratike; kjo natyrisht përfshin një Parlament plotësisht funksional, ku Qeveria dhe opozita të luajnë rolet e tyre të ndryshme, por plotësuese dhe të ndërtojnë konsensus. Këtë muaj Shqipëria do të japë përgjigjet e saj ndaj pyetësorit të Komisionit. Bazuar në këto përgjigje dhe burime të tjera, Komisioni do të nxjerrë opinionin e tij mbi aplikimin e Shqipërisë në BE për anëtarësim. Përmbushja e kritereve politike të Kopenhagenit janë kyçe në këtë proces, dhe mënyra e zgjidhjes së ngecjes aktuale politike do të reflektohet padyshim në opinion.
Sa për liberalizimin e vizave, ai është një proces tjetër. çdo vend po vlerësohet mbi meritat e veta në përmbushjen e kushteve të vendosura në udhërrëfyesin për liberalizimin e vizave.
A jeni optimist se Shqipëria do të përfitojë liberalizimin e vizave para muajve të verës këtë vit?
Unë nuk do të isha shumë optimist, meqë ky është një proces i disa fazave. Shërbimet e Komisionit janë duke punuar tani për një vlerësim të fundit për Shqipërinë. Ai do të jetë gati gjatë prillit, dhe vetëm atëherë Komisioni mund të vendosë mbi radhën dhe natyrën e saktë të hapave të ardhshëm, që do të përfshijnë një propozim të Këshillit dhe Parlamentit Evropian për liberalizimin e vizave për Shqipërinë. Bën pjesë në ambiciet e mia mundësimi i udhëtimit pa viza për qytetarët shqiptarë sa më shpejt të jetë e mundur, por jo para se të jenë plotësuar të gjitha kushtet e nevojshme.
Brenda një periudhe të shkurtër, Qeveria shqiptare do të paraqesë pyetësorin e BE-së. Nëse gjërat lëvizin siç duhet, a mund të fitojë Shqipëria statusin kandidat brenda këtij viti?
Koha për hapat e ardhshëm varet nga koha e marrjes dhe cilësia e përgjigjeve të pyetësorit të Komisionit. Nëse ne do t’i marrin përgjigjet në prill, dhe ne besojmë se po, dhe në qoftë se gjërat lëvizin siç duhet, siç përmendët ju, miratimi i Opinionit të Komisionit mund të parashikohet gjatë 2010-ës. Megjithatë, ne ende nuk i kemi parë përgjigjet e pyetësorit, dhe për këtë arsye, është shumë herët për të bërë ndonjë supozim mbi natyrën e rekomandimeve të ardhshme të Komisionit. Një gjë që unë mund të premtoj është se vlerësimi do të jetë i drejtë, i plotë dhe objektiv. Dhe siç thashë, vëmendje e veçantë do t’i kushtohet vlerësimit të kritereve politike, duke përfshirë edhe funksionimin efikas të institucioneve demokratike.
Ministrat e jashtëm italianë e francezë, mesazh për evropianët
Fratini e Kushner: Të liberalizojmë vizat, të evitojmë diskriminimin e myslimanëve
Ministrat e Jashtëm të Italisë e Francës, përkatësisht Franko Fratini dhe Bernard Kushner, kanë publikuar një artikull në gazetën italiane “La Repubblica” dhe gazetën franceze “Le Monde”, ku theksojnë rëndësinë e liberalizimit të vizave me vendet e Ballkanit. Në këtë artikull të përbashkët, dy ministrat e jashtëm japin një mesazh për qytetarët evropian, por edhe për vendimmarrjen e BE-së, se Evropa duhet të shmangë bindjen se po diskriminon qytetarët myslimanë në Ballkan. “Në një periudhë afat-shkurtër, shpresojmë se Shqipëria dhe Bosnjë-Hercegovina do të mund të përfitojnë nga liberalizimi i regjimit të vizave në hapësirën Shengen. Kërkesat teknike sigurisht që duhet të respektohen: por duhet të evitojmë rrënjosjen e bindjes sipas së cilës myslimanët e Ballkanit do të diskriminohen dhe se ata do të pengohen për të përfituar ato masa që tashmë i gëzojnë me të drejtë serbët dhe malazezët që nga fundi i vitit të kaluar”, thuhet në artikullin e Fratinit dhe Kushner.