E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topi "shkarkon" Olldashin e Pollon



Me propozim të Kryeministrit Sali Berisha, Presidenti i Republikës Bamir Topi shkarkoi nga detyra Ministrin e Punëve Publike Transportit e Telekomunikacionit, Sokol Olldashin, si dhe Ministrin e Shtetit për Reformat dhe Marrëdhëniet me Kuvendin Genc Pollon. Dekreti i Presidentit për shkarkimin e dy ministrave në fakt ka të bëjë për ndryshimin e emrave të ministrive që ata drejtojnë. Me një dekret të dytë, Topi emëroi si Ministër të Punëve Publike dhe Transportit Sokol Olldashin ndërsa Genc Pollon e emëroi si Ministër Inovacionin dhe Teknologjinë e Informacionit e të Komunikimit. Këto ndryshime erdhën pas propozimeve të ardhura nga Kryeministri Sali Berisha. Tashmë ministri Olldashi nuk do të ketë më në ngarkim sektorin e telekomunikacioneve, një kompetencë e cila do të drejtohet nga ministri Genc Pollo, ministria e së cilit do t'i dedikohet çështjeve të rritjes së informacionit, si dhe teknologjisë së komunikimit. "Presidenti i Republikës, Prof. Dr. Bamir Topi, me propozim të Kryeministrit, z. Sali Berisha dekretoi ndryshimin e emërtesave të ministrave të Kabinetit Qeveritar. Zoti Sokol Olldashi do të kryejë detyrën e Ministrit të Punëve Publike dhe Transportit dhe zoti Genc Pollo, atë të ministrit për Inovacionin dhe Teknologjinë e Informacionit e të Komunikimit", thuhet në njoftimin e Presidencës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›