Berisha, tur elektoral në Shkodër, përuron pikën kufitare të Murriqanit
Kryeministri Berisha ka ndërmarrë dje një tur elektoral në qarkun e Shkodrës, ku ka prerë shiritin e pikës kufitare të Murriqanit bashkë me homologun e Malit të Zi. Dita e djeshme elektorale ka nisur me takime e përurime që në orët e para të mëngjesit, ku ka marrë pjesë në ceremoninë e inaugurimit të rrugës së Shëngjinit. Duke e konsideruar krijimin e infrastrukturës moderne tepër të rëndësishme për zhvillimin e zonave turistike, kryeministri Berisha tha se në katër vite, në zonën turistike të ultësirës bregdetare, nga Velipoja në Ksamil dhe në fshatrat e kësaj zone, janë investuar në infrastrukturë rreth 700 milionë euro. Kryeministri Berisha garantoi se brenda vitit 2010 do të finalizohet tërësisht e gjithë infrastruktura e ultësirës bregdetare.
Më pas kryeministri Sali Berisha dhe kryeministri i Malit të Zi, Milo Gjukanoviç, inauguruan pikën e përbashkët të kalimit kufitar Murriqan-Sukobinë, e ndërtuar me një fond prej 1.1 milion eurosh të Komisionit Europian. Kryeministri Berisha shprehu mirënjohjen për Komisionin Europian dhe vendet anëtare të BE-së për realizimin e këtij projekti, që është një nga dhjetëra projektet që zbatohen në Shqipëri dhe Mal të Zi me ndihmën bujare të taksapaguesve europianë. “Ky është një investim prej 1.1 milion eurosh, por si simbol dhe vlerë është shumë herë më e madhe”, - u shpreh kryeministri.
Gjatë vizitës në Shkodër, kryeministri Berisha mori pjesë në inaugurimin e rrugës Shkodër-Hani i Hotit. Rruga, me gjatësi 40 kilometra dhe gjerësi 10.5 metra, është financim i qeverisë italiane dhe asaj shqiptare, me vlerë 40 milionë euro.
Në përshëndetjen drejtuar me këtë rast qytetarëve të Shkodrës, të pranishëm në këtë ceremoni, kryeministri Berisha u shpreh se ndërtimi i rrjetit rrugor ndërkombëtare të Shqipërisë është një nga përparësitë më madhore. “Me ndërtimin e kësaj autostrade Shqipëria ka një trafik të ri me vendin mik, Malin e Zi. Së shpejti fillon projekti i autostradës tjetër që lidh Velipojën me Ulqinin. Në këtë mënyrë ne intensifikojmë lidhjet me Malin e Zi”, - është shprehur Berisha. Më pas, kryeministri Berisha ishte i pranishëm në ceremoninë e inaugurimit të shëtitores së qytetit buzë liqenit të Shkodrës, ndërsa premtoi se investimi i ardhshëm i qeverisë do të jetë ndërtimi i Unazës së Shkodrës.
19 Qershor 2009