E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha u premton bizneseve se nuk do të lejojë Ramën të ngrejë taksat

Kreu i demokratëve kritikon Ramën për sjelljen arrogante ndaj dhe biznesit
Kryeministri Berisha ka paralajmëruar kryetarët e bashkive dhe taksambledhësit se shkelja e vendimit për rritjen e taksës së biznesit të vogël, do ti çojë ata përpara ligjit. Në takimin e zhvilluar me tregtarët e vegjël në tregun Çam, kreu i qeverisë ka premtuar se qeveria e tij edhe në mandatin e dytë nuk do të lejojë rritjen e taksave për këtë biznes dhe se taksa e tabelës do të përcaktohet me ligj dhe do të jetë vetëm 1 euro. Kryeministri ka biseduar me tregtarët për çështjen e rritjes së taksave dhe tarifave nga bashkia e Tiranës, të cilat tashmë janë shndërruar në një gangrenë për kryeqytetasit dhe biznesin që operon në kryeqytet. Bashkia ka shtuar taksat me 400 dhe 500 për qind në dy vjet.Me vendim të Këshillit të Ministrave është miratuar ligji, i cili u vendos një kufi prej 10%, drejtuesve të qeverisjes vendore për vendosjen e taksës mbi biznesin e vogël. Kryedemokrati tha se biznesit të vogël duhet tu krijohen të gjitha kushtet për të punuar, pasi realizojnë 70 për qind të punësimit në vend. Ju do të keni aktivitet të qetë dhe të garantuar dhe nuk do paguani asnjë qindarke më shumë përveç 10 për qindëshit, ka theksuar Berisha. Kreu i demokratëve ka kritikuar Ramën për atë që ai e quajti sjellje arrogante të tij me qytetarët dhe biznesin e vogël, duke e cilësuar arrogancën virtytin më të keq të një zyrtari. Në takimin e zhvilluar me tregtarët e tregut Çam, kreu i qeverisë ka vënë në dukje se autonomia e pushtetit vendor është shumë e nevojshme, por kryetari i bashkisë së Tiranës nuk duhet të abuzojë me këtë gjë dhe të 2-4 fishojë taksat.  Kjo e detyroi qeverinë të ndërhyjë me një ligj të veçantë, duke sanksionuar se nuk ka taksë për ju mbi 10 për qind, taksë e përcaktuar nga qeveria me ligj. Nuk ka gjë më të rëndësishme se të punojmë për forcimin dhe zhvillimin e biznesit të vogël, sepse në çdo vend të zhvilluar të botës 70 për qind e të punësuarve janë nga ky biznes, u shpreh Berisha. Kryeministri u ndal në çështjen e ngritjes së taksave nga bashkia e Tiranës duke theksuar se, në dhunim të të gjitha ligjeve, kjo bashki shumëfishoi taksat për biznesin e vogël nga 2 deri në 4 herë. Por, ai theksoi se qeveria nuk e lejoi këtë gjë dhe vendosi me ligj që nuk mund të paguhet nga biznesi i vogël asnjë qindarkë më shumë se 10 për qind e taksës së përgjithshme. Për çdo moskorrektësi me këtë ligj, kryetari i bashkisë dhe cilido taksambledhës që do e shkelë këtë vendim, do të përgjigjet para ligjit, vijoi Berisha, duke u shprehur se qeveria do të mbështesë financimin projektit për ndërtimin dhe sistemimin e tregut çam. Kryeministri vuri në dukje rëndësinë e madhe të biznesit të vogël në zhvillimin ekonomik të një vendi. 4 vite më parë premtuam përgjysmimin e taksës kombëtare për këtë biznes dhe e realizuam atë, si një vendim shumë i rëndësishëm dhe i domosdoshëm. Ishte pikërisht politika e taksave të ulëta ajo që e ruajti Shqipërinë të paprekur nga kriza botërore ekonomike dhe që bëri që ndërkombëtarët të pohojnë se Shqipëria është e para për rritjen ekonomike në Europë, nënvizoi Berisha. Përfaqësues të biznesit të vogël në këtë treg i shprehën shqetësimin kryeministrit Berisha për rritjen e taksave vjetore nga bashkia e kryeqytetit, duke theksuar se këto taksa po rëndojnë dhe po bëjnë shumë të vështirë biznesin e tyre. Ata theksuan se në një takim të zhvilluar me kryetarin e bashkisë së Tiranës, i kishin kërkuar atij mbajtjen e premtimit për ndërtimin e këtij tregu me të gjithë elementët e nevojshëm, por prej tij kishin marrë përgjigje negative dhe arrogante. Kryeministri Berisha theksoi në këtë drejtim, se arroganca është tipari më i keq i një zyrtari dhe i siguroi biznesmenët se do të kenë mbështetjen totale të qeverisë së tij për sistemimin e këtij tregu dhe për ndërtimin e rrugës në këtë treg. I kërkova kryetarit të Minibashkisë suaj, zotit Bogdani, të bëni bashkërisht projektin dhe ne do ta financojmë ndërtimin e këtij tregu, të cilin ju e meritoni plotësisht, theksoi Berisha.
 **********************************************************************
Bashkia e Tiranës: Do të heqim taksën e sheshtë mbi biznesin
I menjëhershëm ka qenë reagimi i Bashkisë së Tiranës pas deklaratave të bëra nga kryeministri Sali Berisha se Bashkia shumëfishoi taksat për biznesin e vogël nga 2 deri në 4 herë. Nënkryetari i Bashkisë së Tiranës, Eduart Shalsi, ka deklaruar se Bashkia do të heqë taksën e sheshtë mbi biznesin, por nuk bëri të ditur kohën dhe modalitetet e heqjes së kësaj takse. Me taksat e Bashkisë, bizneset e vegjël pastrojnë e gjelbërojnë Tiranën, bashkë me të tjerët, ndërsa me taksën e re të qeverisë ata paguajnë spotet televizive dhe gënjeshtrat e Sali Berishës, theksoi Shalsi.

Last Updated on Wednesday, 03 June 2009 14:21

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›