E Diel, 1 Nëntor 2026

Topalli: Rama është çuar për të ikur

Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli ka vijuar turin e saj elektoral duke u ndalur në Laç-Vau i Dejës. Në tubimin e organizuar Topalli ka vijuar akuzat e saj ndaj liderit socialist dhe njëkohësisht kryebashkiakut të Tiranës Edi Rama, në lidhje me moskandidimin e tij për deputet. Këtë radhë, kryeparlamentarja Topalli e ka quajtur të humbur Edi Ramën duke iu referuar kundërshtimit të tij për të penguar reformat dhe punën e 4 viteve të fundit në vend dhe në këtë drejtim ka theksuar se Rama është ngritur për të ikur. Unë dua ti them kryetarit të Bashkisë së Tiranës, nga momenti që nuk ke pranuar të hysh në listën e deputetëve, ti je ngritur për të ikur, nga momenti që përçmon të varfrit ti je ngritur për të ikur, nga momenti që nuk voton përsëri, ti je ngritur për të ikur, nga momenti që i thua studentëve që nuk i njoh diplomat e tyre, ti je ngritur për të ikur. Ai është ngritur për të ikur edhe kur votonte kundër rritjes së rrogave, se ai ka votuar kundër rritjes së pensioneve dhe nuk pranonte anëtarësimin e Shqipërisë në NATO, nënvizoi ajo. Ndër të tjera në fjalën e saj, ajo ka theksuar se një filozofi dhe botë tjetër, tërësisht e ndryshme, e ndan nga ajo e kryetarit të Bashkisë së Tiranës, duke shprehur bindjen e plotë për fitoren e të djathtëve në zgjedhjet parlamentare të qershorit. Këtu nga bashkia juaj i them se fitorja e 28 qershorit do të jetë si fitorja e marsit të vitit 1992, sepse ajo do të jetë më e madhe dhe më e thellë se asnjëherë gjatë kësaj periudhe, u shpreh nënkryetarja e PD-së. Kryetarja e Kuvendit theksoi se pavarësisht përpjekjeve të Ramës për të hedhur baltë kundër PD-së, më 29 qershor, në mandatin tjetër, të djathtët do të mendojnë njëlloj. Do të mendojmë për ata që kanë më shumë nevojë, do të mendojmë për rritjen e rrogave dhe për ta bërë jetën më të sigurt, theksoi ajo. Në takimin e zhvilluar me banorë të komunës Laç-Vau i Dejës, kryetarja e Kuvendit dhe nënkryetare e Partisë Demokratike Jozefina Topalli theksoi se fitorja e 28 qershorit do të jetë më e madhe dhe më e thellë se asnjëherë gjatë kësaj periudhe. Në takimin me këta banorë, Topalli ka prezantuar kandidatët për deputetë të PD-së, për qarkun Shkodër Gjok Uldedaj, Astrit Bushati Gëzim Dibra, Ramiz Çoba, Shpresa Tepelia dhe Gjovalin Çuni.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›