Ceka: Legalizimet, vëmendje të veçantë në 4 vitet e ardhshme
Kreu i Aleancës Demokratike Neritan Ceka në vijim të turit të tij elektoral është ndalur në qytetin e Elbasanit. Gjatë takimit të zhvilluar me banorët, Ceka preku çështjen e legalizimeve, ecurinë e deritanishme, problemet dhe amendamentet në ligj.
Sipas Cekës Aleanca Demokratike si pjesë e koalicionit Aleanca e Ndryshimit do të jetë katalizatori kryesor për zgjidhjen e problemit të legalizimeve si një ndër proceset e rëndësishme që meriton vëmendje të veçantë. Në 4 vitet e ardhshme, ne do te bëjmë jo vetëm shpërndarjen e tapive të objekteve të pa legalizuara, por paralelisht do të vijohet me kompensimin real të ish-pronarëve, ka nënvizuar liberaldemokrati Ceka. Ai theksoi se çështja e legalizimeve të ndërtimeve pa leje është prioritet i kësaj mazhorance, pasi sipas tij, vënia në efiçencë e këtyre pronave ndikon drejtpërsëdrejti në zhvillimin e ekonomisë së vendit.