Koalicioni i djathtë, vijon turin elektoral nëpër Shqipëri
Disa prej drejtuesve të partive të koalicionit të djathtë dhe sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike Ridvan Bode kanë vazhduar takimet me simpatizantët e tyre në zona të ndryshme të vendit. Kreu i Partisë Agrare Ambientaliste ka vijuar turin e tij elektoral në disa zona të vendit nën sloganin Për një Shqipëri të gjelbër. Sipas tij, ky slogan nuk është përmbajta e angazhimit për realizimin e objektivave për periudhën 2009-2013, nga PAA.
Kjo do të thotë se ne punojmë dhe angazhohemi për një ajër dhe ujëra më të pastra, për një Shqipëri të gjelbëruar, për një bujqësi të bazuar mbi ekoturizmin dhe agroturizmin, u shpreh kreu i PAA-së Xhuveli. Ndërsa ministri i Financave, Ridvan Bode ka qenë i pranishëm në hapjen e fushatës elektorale të degës së Partisë Demokratike në Devoll. Gjatë këtij takimi, Bode bëri një rezyme të punës katër vjeçare të qeverisjes demokratike, para fshatarëve të Sulit të komunës Miras të Korçës. Ai u premtoi banorëve se në mandatin e ardhshëm do të ketë më shumë investime në infrastrukturë dhe në bujqësi. Në mandatin tonë të dytë, do të investojmë mbi 5 herë më shumë, për të bërë të mundur që çdo fshat të jetë me asfalt dhe do të sistemojmë cdo qendër fshati, u shpreh gjatë fjalës së tij Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Ridvan Bode. Ndërsa kreu i Partisë Republikane zhvilloi një takim me simpatizantët e kësaj partie në Qytetin e Sarandës. Mediu ritheksoi para sarandjotëve se nëse Shqipëria kërkon që të hyjë në Bashkimin evropian duhet që të zgjidhë më parë çështjen e pronave. Nëse kërkojmë të hyjmë në Europë pa zgjidhur çështjen e pronës private, nuk do tia arrijmë kurrë, u shpreh Mediu. Gjithashtu kryerepublikani Mediu bëri dhe prezantimin e kandidatit për deputet për qarkun e Vlorës, Arben Vogli.