Berisha u premton shkodraneve solidaritet
Urimit për Krishtlindje të mbara, Kryeministri Berisha i shtoi edhe të mirat që ofroi viti 2010 për shqiptarët. Kreu i qeverisë bëri me dije dje se këtë vit Krishtlindjet i gjejnë shqiptarët të lirë dhe ka uruar që vitin e ardhshëm t’i gjejnë edhe më mirë.
“Kjo ditë i bashkon njerëzit. Uroj popullin shqiptar që të festojë Krishtlindjet sa më mirë. Vjet i festuam si anëtarë të NATO-s, sivjet si qytetarë të lirë që lëvizin në mbarë Europën. Jam i bindur se Krishtlindje më të mira do të na gjejnë”, tha Berisha. Një mesazh të veçantë, Kryeministri u ka dërguar banorëve të Shkodrës, të cilët për shkak të përmbytjeve do t’i kalojnë festat në kushte të vështira. Duke theksuar se nga përmbytjet nuk pati asnjë humbje jete, Berisha u ka garantuar banorëve të qarkut verior mbështetjen e vazhdueshme të qeverisë së tij. “Një mesazh kam për banorët e Shkodrës, të cilët kremtojnë këtë ditë të madhe në rrethana shumë të vështira. Por sërish ata, ashtu si gjithë shqiptarët, kanë një motiv për të festuar Krishtlindjet, pasi nuk kemi pasur asnjë jetë të humbur. Ka një solidarizim vëllazëror nga mbarë shqiptarët dhe nga gjithë bota. I garantoj se qeveria do të vazhdojë t’i mbështesë ata. Gëzuar!”, tha Berisha.